X

“Iki vetëm po më mbushën mendjen”: Duka tregon miqësinë me Ramën, kunjat me Braçen dhe premton finalen europiane

Armand Duka mund të jetë i qetë tashmë pasi inauguroi impiantin më të ri e modern të Shqipërisë e rinovoi kontratën me teknikun e kombëtares Edy Reja. Tani në mendjen e presidentit të FSHF është vetëm selia e Federatës, me të cilën vazhdojnë punimet, por në këtë periudhë qetësie, i ftuar në emisionin Java në RTSH, ai ka dashur të heqë gurickat nga këpucët, duke filluar me thirrjet “Rama ik” në ceremoninë hapëse në Air Albania, në ndeshjen kundër Francës: “E kam marrë vesh 24 orë më vonë, se një nga organizatorët për “Rama ik” isha vetë unë. Më vjen keq për fenomenin. Nuk jam dakord që tifozët të bëjnë kore politike. “Duka ik” mund të thonë se janë të pakënaqur me FSHF, por Shqipëria është vend demokratik. Të gjithë turmat mund të organizojnë një tubim, por atë ditë e mendoja që të festonim. Atij mund t’i thonë në bulevard, por jo në ‘dasmën’ e futbollit”.

Situata me Kryeministrin është në raporte të qendrueshme, por kunjat kanë qenë të gjithë për zëvendëskryministrin Erion Brace, që edhe pse Duka nuk e ka përmendur me emër është drejtuar me epitete që nuk mund të ngatërrohen: “Kam marrëdhënie të mira me kryeministrat, por unë shaminë e bardhë ia hedh çdo partneri që mund të bashkëpunoj për të mirën e asaj që unë drejtoj. Kur shamia të kthehet mbrapsht, do reagosh. Është një personazh i botës shqiptare, që ju e njihni më mirë se unë. Tifoz me Partizanin? Nuk ka qenë vetëm tifoz i Partizanit, por edhe i zgjedhjeve në FSHF”.

Air Albania e kaloi provn, ndoshta ka ende për të përmirësuar gjëra, sidomos fusha, që tregoi se nuk ishte gati, por tashmë impakti edhe në mediat e huaja ka qenë i jashtzakonshëm. Ndoshta edhe për këtë fakt Duka ka bindjen se një finale e rëndësishme europiane do të mirëpritet aty: “Ishte në fakt një skenar, për t’i marrë një lloj premtimi që presidenti i UEFA-s të jetë pozitiv për një finale europiane në Shqipëri. Ai e tha se procesi është transparent kur zgjidhet një stadium, por të kesh dashamirësinë e presidentit nuk është pak. Besoj shumë se një finale të një kompeticioni europian do e bëjmë në Shqipëri”.

Rinovimi me teknikun Edy Reja, si ndodh zakonisht në vendin tonë, është përfolur mbi bazën e shifrave të kontatës, që Duka i ka bërë të qarta: “Është një trajner i mirë, nuk ka shkopin magjik për ta çuar Shqipërinë në Botëror, por besoj se mund ta çojë para ekipin tonë. Mundësitë tona reale dhe objektivi që duhet të ketë Reja, është pjesëmarrja në EURO 2024. Kushtet financiare? Kushtet financiare me të do jenë të njëjtat”.

Ndërsa në fund batuta për jetëgjatësinë në krye të institucionit që drejton futbollin: “Këshilla e vetme që do i jepja një rivali të Dukës, do ishte që t’i mbushtte mendjen që të ikte. Besoj se kam ende gjëra për të bërë deri në fund të mandatit. Ka shumë kohë deri në atë moment”.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in LAJME, SPORT
Zaev: “Shengeni Ballkanik” lindi në New York duke pirë verë me Ramën dhe Vuçiç

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev rrëfen se ideja e Shengenit Ballkanik lindi gjatë një takimi në Asamblenë e...

Close