X

Porti i Durrësit në funksion të ekonomisë së Kosovës

Hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit të Shqipërisë, sipas autoriteteve në Prishtinë, ka ndikuar në rritjen e importit të mallrave përmes transportit detar që destinacion kanë Kosovën, si dhe ka lehtësuar procedurat doganore.A625BB37-6A5A-4EA5-BF16-6019EA256161_w1023_r1_s

Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, që nga vendosja e pikës doganore në Portin e Durrësit janë proceduar rreth 4 mijë maune me destinacion terminalet doganore në Kosovë.

Kjo pikë doganore në Portin e Durrësit ishte vendosur më 15 janar të këtij viti. Mallrat që kanë destinacion tregun e Kosovës kontrollohen dhe zhdoganohen nga zyrtarë doganorë të Kosovës të vendosur në këtë port.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovë, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se për subjektet importuese kosovare, funksionimi i kësaj zyre doganore në Portin e Durrësit, ka shkurtuar koston e shpenzimeve të transportit, kohën si dhe procedurat burokratike tregtare.

“Aktualisht, në këtë zyre punojnë 6 zyrtarë doganorë. Brenda 11 muajve kjo zyre doganore e Kosovës në Portin e Durrësit ka proceduar 3.668 kërkesa apo maune transit me destinacion terminalet doganore në Kosovë. Për subjektet importuese kosovare funksionimi i kësaj zyre paraqet lehtësim, sepse agjencive doganore të autorizuara (nga këto kompani kosovare) që iu kryejnë shërbimet në zhdoganim të mallrave në Kosovë, u është dhënë mundësia që të kryejnë edhe procedurën e transitit nga Porti i Durrësit deri në destinacion, brenda Kosovës”, thotë Stavileci.

Më shumë se 60 për qind e mallrave të huaja që hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, shfrytëzojnë transportin detar, konkretisht Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit në Shqipëri. Shfrytëzimi i transportit detar për mallrat e importuara kishte filluar të shënojë rritje pas përfundimit të autostradës “Ibrahim Rugova”, e njohur edhe si ‘Rruga e Kombit’, e cila lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe anasjelltas.

Bizneset që përdorin transportin detar me destiancion të mallit Kosovën, që nga vendosja e pikës doganore në Durrës po e shfrytëzojnë këtë port shumë më shumë sesa në të kaluarën, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

“Porti i Durrësit është pika më strategjike e transporti të mallrave dhe udhëtarëve, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por për gjithë Ballkanin e që deri më tani është shfrytëzuar jo në mënyrën që ofron për shkak se pak është investuar në këtë port, kurse portet e tjera në shtetet tjera që janë konkurrente, siç është Porti i Tivarit (Mali i Zi) dhe Porti i Selanikut (Greqi) janë porte që ofrojnë më shumë hapësirë, lehtësira, por edhe më shumë shërbime”.

“Bizneset e Kosovës pothuajse mbi 60 për qind të mallrave që i importojnë nga vendet e ndryshme të largëta përmes rrugëtimit detar e shfrytëzojnë Portin e Durrësit dhe kjo është mundësia që i është ofruar edhe për shkak të infrastrukturës rrugore që është ndërtuar”, thotë Shahini.

Porti i Durrësit është i pozicionuar në pjesën jugore të Detit Adriatik, në jug të qytetit, në pjesën veriore të gjirit të Durrësit.

Delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë për shumë vjet diskutuan për vendosjen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, por kjo u arrit të funksionalizohet vetëm në fillim të këtij viti.

Po ashtu, Qeveria e Shqipërisë ia kishte premtuar Kosovës dhënien në menaxhim të Portit të Shëngjinit për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë së përgjithshme, por kjo nismë nuk u realizua, pasi që Shqipëria kishte hequr dorë nga ky premtim.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BALLKAN, LAJME
Starova: Në Europian shkuam se na hapi rrugën Armenia, trajnerët shqiptarë do bënin më mirë

Sulejman Starova mendon se Shqipëria ka vepruar gabim që në fillim të eliminatoreve të Europianit. Në “Pressing”, trajneri i njohur...

Close