X

Lirimi i Suel Çelës dhe Florenc Çapjas, paralajmëron Artan Hoxha: Ekspertët të jenë gati për çdo kufomë

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar me një status në “Facebook”, lajmin e lirimit të Suel Çelës dhe Florenc Çapjas. Hoxha përcjell në rrjedhë kronologjike çfarë ka ndodhur sot me vendimet e gjykatës së Elbasanit dhe Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërsa vë alarmin për atë çfarë pritet të ndodhë pas lirimit të të dyve.

Sipas Hoxhës asnjë media në Elbasan nuk guxoi t’i afrohej gjykatës gjatë seancës së sotme, madje as ta jepte lajmin e lirimit e Çapjas për orë të tëra.

Ai iu bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë që të mos mbeten viktima në ndonjë cep rruge nga vrasës të panjohur që qërojnë hesapet me njeri tjetrin, ndërsa apelon që mjekësia ligjore të jetë gati për çdo kufomë të lënë pas nga atentatet.

Postimi i plotë i Artan Hoxhës

Elbasan i bukur, Elbaaaasaaan.. Presidenti takon ish-presidentët gjoja në mbrojtje të Kushtetutës dhe reformës në drejtësi, ndërsa ia kanë pluguar nënën kushtetutës sa herë u ka dashur qejfi dhe po mundohen t’ia lërojnë nënën edhe reformës në drejtësi nëse SHBA e lë në mes projektin e saj…
Nga ana tjetër kryeministri pret e përcjell ambasadorët po gjoja në mbrojtje të kushtetutës dhe reformës në drejtësi, duke na treguar se ndërkombëtarët janë me të…
Meta çirret e bërtet te holli presidencës se Rama ka kapur reformën në drejtësi, ndërsa Berisha nga gardhi presidencës thotë me sokëllimë se “reforma ka falimentuar”.
Vetëm 100 metra më poshtë, nga holli i kryeministrisë Rama shan e akuzon Metën se po shkel Kushtetutën, po pengon reformën në drejtësi dhe e kërcënon me shkarkim.
Vetëm 30 metra përballë, nga seli e kryesisë së kuvendit Taulant Balla ulërit se nuk duhet humbur asnjë minutë pa shkarkuar Metën…
Pastaj të gjithë së bashku kërcënojnë gjyqtarët, prokurorët, KLP-në, KPK-në, KED-në e dreqin me të bir…
Populli nuk thotë kot se “ujku mjegull do”, dhe organizata e ‘Kap ç’a t’kapësh’ (KÇK) nuk e la rastin t’i shpëtojë nga dora.
Mediat raportuan me zhurmë se gjykata e Elbasanit dënoi me 10 vite burg, Shkëlzen Hasanpapën, i ekstraduar nga Holanda dhe i akuzuar për atentatin e 6 qershorit 2016 kur u plagosën te dera e Drejtorisë së Policisë Elbasan, Bledar Muça dhe një oficere policie kalimtare e rastit, ndërsa Florenc Çapja shpëtoi pa pasoja nga ky atentat.
Një orë më vonë mediat njoftuan po me zhurmë se Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë shpalli të pafajshëm Suel Çelën, dënoi me 5 vite burg Klement Xhaferrin dhe me 6 vite burg Enea Bekteshin, për ngjarjen e 15 shtatorit 2017 gjatë tentativës së policisë lokale për të kryer një kontroll në një automjet të blinduar tip ‘Audi’…
Por në fakt, nisur nga kronologjia kohore, ngjarja e parë sot, ishte vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila në seancën paraprake e rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të çuar në gjykim dosjen e një personazhi mjaft të njohur në këtë qytet, Florenc Çapja.
Ky i fundit akuzohej për atentatin ndaj ish-shefit të qarkullimit Elbasan, Fadil Mema në vitin 2006. Mema i mbijetoi atij atentati duke marrë plagë të rënda dhe u largua në Itali ku të njëjtët autorë e gjetën sërish dhe e ekzekutuan në Torino në vitin 2015.
Por para se ta vrisnin ish-shefin e policisë, vrasësit kishin provuar dhe në vitin 2009 po në Itali për ta hequr qafë, ndërsa i ekzekutuan dhe kunatin Ardian Ibrahimi para dyqanit të tij. Florenc Çapja është arrestuar 3 herë për këtë ngjarje dhe 3 herë i ka shpëtuar drejtësisë për atentatin e një oficeri policie të kryer para familjarëve të tij. Çapja u kap me bujë nga forcat RENEA me 14 qershor 2019 gjatë operacionit “Krasta” por nga sot gjykata e Elbasanit e ktheu sërish të lirë në rrugët e këtij qyteti.
Për më tepër asnjë media në Elbasan nuk guxoi t’i afrohej gjykatës gjatë seancës së sotme, madje as ta jepte lajmin e lirimit të tij për orë të tëra. Lajmi u publikua vetëm pasi mediat në kryeqytet kishin publikuar vendimin e pafajësisë të Suel Çelës.
Ndërsa për atentatorin e Florenc Çapjas, Shkëlzen Hasanpapa u dhanë 10 vite burg, për kundërshtarin e tij, Suel Çela Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë vendosi pafajësi, për vet Florenc Çapjan Gjykata e Elbasanit as pranoi ta merrte në gjykim çështjen. Pra e cilësoi kohë të humbur të merrej me ekzekutorin e një oficeri policie.
Dëgjoni o popull, mos u hutoni nga zhurma e “mbrojtësve” të Kushtetutës dhe reformës në drejtësi, por qëndroni vigjilent, shikoni nga shkoni dhe ku shkelni që të mos mbeteni papritur viktima me tru të derdhur në ndonjë cep rruge, nga vrasës të panjohur që po qërojnë hesapet me njeri-tjetrin…
Pra qysh nga sot, ekspertët e mjekësisë ligjore duhet të jenë gati për çdo kufomë të lënë pas nga atentatet në Elbasan.
Shërbimi zjarrfikës i këtij qyteti duhet të jetë gati për të shkuar sa më parë të shuajë zjarrin që do jetë duke djegur mjetin dhe armët e atentatorëve pas krimit.
Qytetarët e pafajshëm të Elbasanit duhet t’i luten Zotit të mos ndodhen rastësisht në rrezen e breshërive të vrasësve që e mbajnë prej 2 dekadash të terrorizur këtë qytet.
Ndërsa “baballarët e kombit”, “i gjati”, “i shkurtri”, “doktori”, “piktori”, “artisti”, “doktoresha”, do jenë duke “mbrojtur” kushtetutën e një shteti të shpartalluar fund e krye.
Prandaj vrasës profesionistë, me pagesë apo me klering, nëse e keni ndarë mendjen ta vendosni vet drejtësinë me tytën e kallashnikovit, sepse në këtë shtet të diskredituar nuk ka kush tua vendos tjetër, dilni këtej nga Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, mbase ishallah breshëritë tuaja u fërshëllejnë afër veshit ‘baballarëve te kombit’, që ta kuptojnë këta fundërrina se çfarë është shkelja e Kushtetutës dhe kapja e reformës në drejtësi…

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Koncensionet, qeveria do të paguajë 14.6 miliardë lekë vetëm gjatë vitit 2020

Deri në vitin 2032 do të paguhen nga buxheti i shtetit këste për kontratat e partneritetit publik privat të lidhura...

Close