X

Plasi libri në Tiranë; shkëlqen i pari libri i Fevziut, e dyta Ornela Vorpsi dhe e treta Anxhela Martini

Plasi libri në Tiranë. Një panair i madh i paparë ndonjëherë, ngriti siparin sot në ish Pallatin e Kongreseve, në kryeqytet.

Kjo situatë ka lumturuar të madh e të vogël dhe dyert e panairit po shqyhen, nga një numër rekord vizitorësh.

Në këtë festë popullore, tre janë librat që po shkëlqejnë mbi të tjerët dhe po tërheqin mbarë leximtarët.

Libri i Fevziut, “Tirana e Nonës”, i bërë i famshëm përpara botimit, me reklamën e përminutshme që Sandri i ka publikuar Fevzos, në pak orë arriti majat dhe s’ka ku të shkojë më tej.

Në gjithë këtë vepër voluminoze, romano-publicistiko-historike, tregohet Shqipëria në kohën para Nonës (gjyshes së Fevziut), në kohën e nonës dhe në kohën e post-nonës, përndryshe në të tre kohët e Fevziut, çfarë i ka punuar ai Nonës.

Kjo vepër, ju shpjegon shqiptarëve për herë të parë, se nga vijnë, ku shkojnë, çfarë bëjnë dhe ku jetojnë. E thënë ndryshe, në këtë libër shpjegohet dhe deklarohet, se historia e vetë Fevziut, është historia e Shqipërisë.

Tre gra të rëndësishme të fisit më të rëndësishëm të Shqipërisë, të lidhura harmonikisht dhe genetikisht me Fevziun, nga koha kur lindi shqiptari i parë dhe deri më sot, shpjegojnë botën ku jetojmë.

Libri i dytë, që ka zgjuar vëmendje të madhe studimore, intelektuale, por edhe seksuale, është romani i Ornela Vorpsit, i titulluar, “Vendi ku nuk vdiset kurrë”. Kjo kryevepër e Vorpsit, është botuar për herë të parë në vitin 2003 në gjuhën italiane dhe është e mbushur plotë me erotizëm dhe abuzim seksual, në një mënyrë që vetëm kjo shkrimtare di ta bëjë dhe ta mendojë thellësisht.

Dëshira e vazhdueshme e Ornelës, ka qenë që përkthimin e këtij libri, nga italishtja në shqip, ta bënte Edi Rama, të cilin ajo e ka dashuruar pambarimisht gjithë jetën. Ende nuk dihet përse Rama nuk e bëri këtë përkthim, apo ndonjë përkthim tjetër të veprave të Ornelës, gjë që mund t’i jepte atij edhe statusin e një përkthyesi të madh, krahas statusëve të tjerë të panumërt që ai disponon.

Libri i tretë, që po merr më pak shkëlqim se dy të parët, por ama edhe ky po merr, është ai i Anxhela Martinit, me titull “Dashuri, shpresë, dritë”.

Ndryshe nga Fevziu, ku fisi dhe familja e tij, shihen si themelues të mbarë shqiptarisë, Anxhela  vështron në këtë libër me një sy kritik dhe realist, jo vetëm fisin, por edhe familjen.

Shpërthimi dhe shkëlqimi i madh i këtyre tre veprave, ku në kopertinat përkatëse, shkëlqen Fevziu me praninë e tij, Anxhela Martini me bukurinë e saj dhe një palë shalë të gjata dhe të pashme, ndoshta të vetë Ornela Vorpsit, ka lënë në errësirë Andi Bejten, me 50 poezitë e veta, ku i shkreti kishte kohë që nuk kishte botuar ndonjë libër.

Në librin e tij, Bejtja i shkretë, kishte marrë përsipër të shpjegonte botën sipas tij, në 50 vjersha, duke gabuar shumë rëndë dhe duke marrë pjesë në një panair ku Fevziu të mund, qoftë edhe vetëm me pjesëmarrje, apo vetëm me reklamën te Sandri. Si mund të kenë vëmendje, poezitë e Andi Bejtes edhe pse njërën prej tyre e ka mburrur vetë Edi Rama, kur aty  afër është kopertina me kokën e Fevzos dhe shalët e Vorpsit dhe Martinit.

Në ditët në vijim, ne do t’ju informojmë më gjerësisht, për panairin e librit që ka plasur në Tiranë dhe personazhet e famshme,  që e dominojnë atë.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Ministri Lleshaj: Unë e shpëtova Alvinin! Morën pjesë edhe forca italiane, kryqe të kuq, gjysmëhëna po të kuqe, etj etj 

Ministri i Punëve të Përbrendshme, Sandër Lleshaj, pas një mungese disa ditore, në media dhe në Shqipëri, doli sot paradite...

Close