X

Media e kapur – Ç’e do Shqipëria molotovin?


Nga Edlira Gjoni

Kapja e medias është përqasje strategjike famëkeqe e përdorur nga politika dhe biznesi, nga autokratët, diktatorët, manipuluesit dhe kleptokratët në mbarë globin. Nuk është histori që ka nisur sot, por interneti e bën efektin e kapjes shumë më të vrullshëm dhe të frikshëm.

Sot, shumë familje shqiptare i zë shiu jashtë, apo pa punë, pa të ardhura, pa shpresë se do gjejnë punë, me tokë të zaptuar apo blerë të gënjyer (edhe nga shteti vetë): e në këtë dramë, media hedh valle amatoreske, por shpesh jo dashamirëse e akoma më shpesh, të dëmshme shumë.

Media ka interesa që nuk kujdeset më t’i fshehë: të vockla sa një bursë fëmije e të mëdha sa një koncesion disa-miliardësh. Ka lidhje me politikën, me paratë publike, me oligarkët, me krerë të institucioneve e qeverive ndër vite. Në treg ka media që nuk e dinë as vetë ku i kanë rrënjët, burimet e sekretet e zeza, paratë e kërkuara, ato të premtuara e ato të qarkulluara si fjalët në erë. Këto media në marrëdhënie intime me interesin politik e para-madh, raportojnë sot sipas oreksit e interesit të tyre ditor, kundër çdo parametri etik apo profesional.

Mediat e kapura nga interesat nuk janë më të lira, jo më të pretendosh të jenë të pavarura, cilësore apo me dorën në zemër për publikun. Media-biznes. Media-politikë. Media shërbyese e autokratëve që ata në këmbim, t’i shërbejnë asaj.

Disa nga kanalet kryesore televizive në vend e kanë humbur aftësinë të reflektojnë mbi ngjarjet e ta venë veten në rolin e publikut. Nuk i kërkojnë më llogari qeverisë. I kërkojnë vetëm para, pushtet, favor, tendera, koncesione me firma që iu kanë ndërruar emrat më shumë sesa qeveritë vetë.

Media të kapura nga qeveria e nga plutokratët që pasurinë e kanë vënë me politikë, ndërtim, tregti pa dogana, sekrete skandaloze, ose kombinim i të gjithave.

Efekti i kësaj kapjeje që nuk na shqitet nga sytë 24 orë në 24 është dhuratë e medias dixhitale, që ka zbehur rolin, fuqinë, vërtetësinë dhe besueshmërinë e lajmeve.

Dixhitalizimi që u prit me brohoritje ka ndryshuar tregun, mënyrën e konsumimit mediatik e edhe median vetë. Mirë që iku sistemi analog, por bashkë me të mori fund i gjithë modeli i dikurshëm i funksionimit të medias: me burime, me profesionalizëm, me kohë në dispozicion, me lajme të mirë-menduara, me kronika e emisione që furnizonin një strategji, jo çdo rastësi. Media me mision!

Dixhitalizimi e ka bërë median biznes: të shpejtë e cilësore teknikisht, por e ka zhytur në terr nga ana profesionale dhe etike. E i ka shkulur shkallët e rezistencës, ndaj nuk rri dot pa u përdorur nga biznesi apo pushteti qeverisës.

Tregu sot nuk ka vend për profesionalizëm e interes qytetar, por vetëm për mbajtje krahu, klikime e politikë redaksionale klienteliste, që ka konsoliduar pushtetin e një numri të vogël mediumesh a platformash. Zotëruesit e tregut mediatik përfliten nga njëri-tjetri si oligarkë e përfitues kontratash të majme të parave publike nga të gjitha qeveritë. Oligarkë që blejnë sferën publike dixhitale, edhe nëse për median nuk kanë nevojë ( a ide) as fillestare. Në këmbim të favoreve për bizneset e tyre të ndërtimit, naftës, tregtisë, shkëmbimit a transaksioneve të dyshimta, këto media ndërmarrin pa më të voglin shqetësim fushata dezinformuese, manipuluese e denigruese për publikun.

“Shfarosje e banorëve me Molotov” – shkruajnë oligarkët që mezi presin të vijë në pushtet e djathta.

“Shteti prish banesat e kompensuara deri në 150 milionë lekë” – gënjen në mes të ditës me dhunë media e oligarkëve që nga e majta nuk po dinë të numërojnë nga u vijnë koncesionet e favoret për shërbime. Shërbime që kurrë më parë nuk i kanë ofruar.

Po sot nuk ishte molotovi që ndau edhe një herë tjetër njerëzit. Ka ikur koha e terrorit me kallashnikovë e me molotovë! Eshtë më e thjeshtë, më e shpejtë, më e kollajtë dhe më efektive ta kontrollosh, përçash e sundosh popullatën përmes lajmeve të tilla, e përmes medias së zellshme për të përhapur këndvështrime kaq të polarizuara, që i mësyjnë njerëzit kundër njëri-tjetrit.

Në komentet online të lajmeve të tilla, shqiptarët i janë vërsulur njëri-tjetrit më keq se me molotov: “Uzurpatorë, komunistë, shpellarë, mirë ua bënë, çeçenë, oligarkë, kokëpalarë, ik zhdukuni fare nga Shqipëria…” – i drejtohen komentuesit sho-shoqit poshtë lajmeve te sotme për përplasjet tek Astiri. Shpërthim urrejtje e ndasie e frikshme online që nuk e shërbeu policia, por politika, në shtëpinë si han pa porta të medias së vet.

Nuk është vetëm zelli. Secila nga mediat që ka ndikim, ka edhe para. Pronarët e aksionerët duan t’i ruajnë e t’i shtojnë ato, më shpejt se deri tani. Mënyrë të shpejtë pasurimi media ka vetëm një: të kapë për brirësh politikën, ose t’ia dhurojë asaj brirët e vet. Në gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri.

Mënyra si janë zhvilluar ngjarjet është e çuditshme, e trishtë dhe kundër-produktive për qytetarët: politika nuk ka nevojë fare ta korruptojë median, thjesht e blen atë. Ose, krijon median e saj dhe i shpërfill, duke i detyruar t’i blejnë përmbajtjen. Në këtë mënyrë, bëhen më të pasur e më të pushtetshëm edhe njerëzit e mediave, edhe politikanët. Por gazetarë në funksionin të qytetarit, nuk ngelen më! Ata që janë, të pavarur a në media më të vogla, nuk kanë arrijnë dot të kenë influencën e nevojshme në emër të të mirës së përbashkët!

E nëse kërkojmë rotacion e ndryshim sistemi, ndërrime mund të ëndërrojmë sa të duam. Edhe do ketë! Politikanë e gazetarë të thjeshtë mund të ikin plot, por të pasurit e të fuqishmit, kurrë!

Kush e ka kapur median? Si? Pse nuk kanë më frikë të gënjejnë? Incentivat që merr media për të informuar sipas interesit, e jo sipas vërtetësisë së plotë të ngjarjeve, e bën të vështirë bisedën për to, e akoma më të vështirë gjetjen e ndonjë zgjidhjeje reale.

Është naivitet të besosh se gazetarët e profesionistët do venë dorën në zemër e do mbajnë anën e profesionit e të qytetarëve. Nuk do bënin dot përpara! Tregu u dikton mbijetesën e pronarët duan të bëhen të pasur më shpejt sesa qytetarët, kështu që motivime idealiste, misione e ndjenja përgjegjshmërie nuk ka më!

Ka vetëm disa zëra që po mbyten, e po u zhdukën edhe ata, Shqipëria nuk do ketë më nevoje të blejë asnjë njësi të vetme molotovi. Mjafton të ketë në llogore median e kapur!

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
“Gjithçka u bë për viktima”, pasi u shembën banesat, banorët e Astirit tregojnë ku do ta kalojnë natën

Vetëm pak momente më parë, mjetet e IKMT kanë prishur edhe objektin e 33 në zonën e “Astirit”. Nga operacioni...

Close