AKTUALITET, 11 Nëntor 2019, 16:28

Aleksandri, pirati dhe KÇK-ja e Edi Ramës

Aleksandri, pirati dhe KÇK-ja e Edi Ramës


Nga Klodian Tomorri

Ka një histori shumë të famshme, që për herë të parë mendohet se është shkruar nga Ciceroni në kryeveprën e tij “De Republica”. Historia flet për një pirat të quajtur Diomedi, i cili ishte bërë i famshëm sepse me varkën e tij grabiste anijet e vogla dhe torturonte familjet e fshatrave rreth brigjeve duke ju vjedhur gjithçka kishin.

Një ditë Diomedi u kap nga ushtarët e Aleksandrit të Madh diku në bregun e Aleksandrisë dhe u çua përpara Perandorit. Sipas ligjeve të instaluara nga Aleksandri i Madh pirateria dhe grabitjet ishin krime që dënoheshin automatikisht me vdekje.

“Kush ta jep ty të drejtën të grabisësh me forcë, gjëra që nuk janë të tuat?- e pyeti Aleksandri piratin.

-“O Perandor”- ju përgjigj Diomedi. “Kush ta jep ty të drejtën, që të udhëtosh në të gjithë botën dhe të marrësh me forcë gjëra që nuk të përkasin? Kush ta dha të drejtën të pushtosh Egjiptin? Kush të bëri mbret të Persisë? Me çfarë autoriteti e pushtove Indinë?”

Aleksandri mbeti i shtangur nga përgjigja e piratit, teksa ky i fundit vazhdoi argumenti: “Perandor, ne të dy jemi njësoj. Bëjmë të njëjtën gjë. Ndryshimi i vetëm është se unë vjedh vogëlsira me varkën time dhe më quajnë pirat. Ndërsa ty, që pushton kombe me ushtrinë tënde të madhe të shpallin Perandor.”

Në kohën e Aleksandrit termi KÇK nuk ekzistonte akoma. Ai do të shpikej mijëra vite më vonë, në një katund të vogël, afër vendit ku Aleksandri nisi gjithçka. Por fabula mbetet e njëjtë. Ata që vjedhin në shkallë të madhe, nuk i durojnë dot hajdutët e vegjël.

Prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë sot ngjajnë shumë më Diomedin. Ata grabisin pronat e të pafuqishmëve, marrin rryshfete dhe shtrëmbërojnë drejtësinë. Por prape te gjitha keta jane te vegjel para Aleksandrit.

Shqipërinë e ka pushtuar Perandori i KÇK-së. Jo me ushtri. Por me rritjen dy herë të rryshfeteve në administrate, me PPP-të, tenderat pa gare dhe ligjet abuzive, të cilat shpërndajnë paratë dhe asetet publike në mënyrë të padrejtë. Njësoj si Aleksandri grabiste vendet e pushtuara mijëra vjet më parë.