X

DETAJE/ “Të tërheq zvarrë pas Reinxhit”, zbardhet kërcënimi që mori gjyqtari Markelian Kuqo: Jam oficer i CIA-s!


“…mua më lind e drejta t’ju lidh dhe t’ju tërheq zvarrë pas Reinxhit tim dhe t’ju çoj në KLP para Teo Jacobs. Unë jam shtetas grek dhe quhem Nikos Kostandinos … jam oficer i CIA-s…”. Kjo është një nga letra kërcënuese që gjyqtari i Korçës Markelian Kuqo ka marrë nga një i dënuar që vuan dënimin në burgun e Drenovës.

Fill pas këtij kërcënimi, Kuqo në muajin tetor 2019 u kërcënua për praninë e një sasie tritoli në makinë.

Dosja e kërcënimit me tritol në makinë të gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo, do hetohet nga prokuroria e Pogradecit dhe jo nga ajo e Korçës.

Kjo për shkak të konfliktit të interesit që ka kjo prokurori, pasi gjyqtari Kuqo ushtron detyrën e tij pikërisht në gjykatën e Korçës. Për këtë arsye në 24 tetor 2019, prokurorja e çështjes Oli Visi, ka vendosur t’ia përcjellë dosjen për hetime të mëtejshme kolegëve të saj në prokurorinë e Pogradecit. Çështja penale që është regjistruar në 15 tetor të këtij viti për akuzën e Kanosjes ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo, flet për një person të dënuar nga drejtësia Shqiptare, për vrasjen e një taksisti në Fier.

Për këtë krim, ky person që quhet Neim Behari, është dënuar dhe vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës.

Për shkak se me gjyqtarin Markelian Kuqo, kishte një proces gjyqësor pasi Behari kishte depozituar një kërkesë për transferimin e tij nga burgu i Drenovës në një burg tjetër dhe kërkesa e bërë në gjykatë ishte refuzuar nga Kuqo, Neimi ka zgjedhur ta kërcënojë atë, duke telefonuar në policinë e Korçës dhe njoftuar se “…është vendosur lëndë plasëse makinës së gjyqtarit Markelian Kuqo, e cila mund të shpërthejë për 30 minuta…”.

Në fakt një mekanizëm të tillë ky i dënuar ka ndjekur edhe disa kohë më parë ku ka kërcënuar me jetë Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, duke telefonuar në sallën operative të Policisë Vlorë.

Pas njoftimit për bombë në makinë nga ana e punonjësve të Policisë Korçë, të Komisarit të Policisë, si edhe nga specialistët e Njësisë Speciale Anti Eksploziv (NJSAE), është bërë verifikimi dhe kontrolli i mjetit të gjyqtarit Markelian Kuqo në garazhet e Gjykatës së Korçës dhe gjatë këqyrjes nuk u konstatuan mjete shpërthyese apo ndezëse në mjetin e këtij gjyqtari.

Më pas është marrë një informacion në rrugë operative se telefonata është kryer nga një numër i regjistruar i kompanisë “Mobitel” pranë IEVP Drenovë, kjo e konfirmuar edhe nga deklarimi marrë Drejtorit të IEVP-së Drenovë, në datën 16 tetor 2019, Genci Fejzollari.

Më pas është marrë kontakt me Markelian Kuqo, ku nga ana e tij janë hedhur dyshime se kjo telefonatë mund të jetë kryer nga Neim Behari, i cili aktualisht vuan dënimin pranë IEVP-së Drenovë, ku ky person vuan dënimin për veprën penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, të një taksisti në Fier.

Njëherësh Kuqo ka përmendur edhe emrin e një të dënuari me burgim të përjetshëm në Greqi por që mbahet i mbyllur në burgun e Drenovës Roland Luli. Gjatë fazës së hetimit janë administruar pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë në IEVP-në Drenovë, ku duket qartë një person i veshur me tuta blu e errët, i cili afrohet te kabina telefonike, por nuk jepet ora kur janë kryer telefonatat.

Kjo pasqyrohet në raportin e shërbimit të datës 15 tetor 2019, ku në njërin prej orareve të telefonatave është e cituar edhe ora 09:16 deri në orën 09:17 dhe është pikërisht ora kur është telefonuar salla operative e Drejtorisë Vendore Korçë.

I pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, Genci Fejzollari drejtori i burgut Drenovë ka deklaruar se i dënuari Neim Behari është një person i cili vuan nga probleme shëndetësore dhe këtë veprim e ka të përsëritur edhe në disa institucione të tjera, ku në fillim të muajit korrik 2019 ka kërcënuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, me një telefonatë të kryer në Drejtorinë Policisë Vlorë, si edhe shumë raste të tjera gjyqtarësh e prokurorësh.

Neim Behari vuan nga sëmundja mendore e skizofrenisë dhe theksohet se bashkëpunimi me këtë shtetas është i pamundur.

Në dosje janë administruar si prova edhe dy letra, njëra prej të cilave i është drejtuar gjyqtarit Markelian Kuqo me fjalë kërcënuese, ku thuhet: “…mua më lind e drejta t’ju lidh dhe t’ju tërheq zvarrë pas Renxhit tim dhe t’ju çoj në KZP para Teo Jacobs. Unë jam shtetas grek dhe quhem Nikos Kostandinos … jam oficer i CIA-s…”. /Shqiptarja.com

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/