X

La të lirë një të dyshuar për vrasje në tentativë, merret vendimi në KPK për gjyqtaren e Krimeve të Rënda


Është konfirmuar në detyrë gjyqtarja e Krimeve të Rënda Daniela Shirka, ky ka qenë vendimi i dhënë sot në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjyqësore që po kryen rivlerësimin e Shirkas përbëhej nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Roland Ilia relator dhe Genta Tafa (Bungo) anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm John Leonardo. Komisioni bëri me dije se e kishte përfunduar procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Shirka në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin.

Daniela Shirka e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2003 gjatë kohës që ishte në Shkollën e Magjistraturës.

Ajo është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit në vitin 2004 ku ka shërbyer deri në vitin 2015 kur u dekretua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Pasuria

Relatori i çështjes Roland Ilia renditi në fillim të seancës pasuritë e pasqyruara nga gjyqtarja Shirka në deklaratën veting, nga të cilat u evidentua mungesë e burimeve të ligjshme financiare në vlerën -1.7 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në vitin 2012. Ilia tha se për këtë apartament me sipërfaqe 92 m2 të blerë në Tiranë, subjekti ka deklaruar si burim krijimi 3 milionë lekë nga pagat dhe kursimet ndër vite si edhe vlerën 3.5 milionë lekë të marrë hua nga persona të ndryshëm.

Sipas Komisionit, Shirka ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka marrë një hua 2 milionë lekë në vitin 2012 nga shtetasi B.L dhe se e ka shlyer dy vite më pas. Si burim financiar që ka shërbyer për shlyerjen e kredisë, Shirka ka deklaruar pagat e saj e të bashkëshortit dhe të ardhura të përfituara nga shpronësimi i një sipërfaqeje toke. Ilia pohoi se nuk arrihej të provohej mundësia financiare e huadhënësit B.L për t’i dhënë bashkëshortit të gjyqtares vlerën 2 milionë lekë në vitin 2011.

“Komisioni konstaton pamundësinë financiare në vlerën -1.7 milionë lekë për blerjen e apartamentit”, pohoi relatori Ilia. Ai shtoi se pas kalimit të provës, gjyqtarja Shirka kishte depozituar shpjegime e prova që do të vlerësohen gjatë marrjes së vendimit përfundimtar.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Shirka tha se huadhënësi ka qenë i regjistruar si biznes i vogël dhe se ka patur fitim të thjeshtuar.

Ajo pretendoi se kjo gjë ishte e provueshme dhe për pasojë huadhënësi nuk ka patur detyrim të deklarojë situacionet. “Ai e ka të pamundur të provojë me shkresa të ardhurat”, theksoi gjyqtarja Shirka e cila shtoi se huadhënësi ka pasur xhiro të mjaftueshme që tregon se ka pasur burime financiare.

Ndërsa për tre huatë e tjera nga 500 mijë lekë, nuk u identifikuan pamundësi financiare të huadhënësve.

Ndërkohë, u identifikua fakti se bashkëshorti i gjyqtares Shirka, si punonjës i Albtelekom ka blerë bono të kësaj shoqërie në vlerën 50 mijë lekë dhe se zotëron 0.0003% të aksioneve të saj.

Blerjen e këtyre bonove e ka kryer para lidhjes së martesës me gjyqtaren Shirka. Ilia tha se gjatë kësaj periudhe, Albtelekom ka marrë pjesë në 245 procedura prokurimi. Ai theksoi se personat e lidhur të gjyqtarëve apo prokurorëve e kanë të ndaluar të marrin pjesë në tendera publikë. Sipas relatorit të çështjes, gjyqtarja Shirka ka depozituar shpjegime e prova të cilat do të vlerësohen.

Komisioni nuk identifikoi probleme për një apartament 49.6 m2 në Tiranë, ku Shirka rezulton bashkëpronare me prindërit. Të saktë janë gjetur edhe deklarimi i blerjes së një autoveture në vitin 2009 për shumën 430 mijë lekë dhe përdorimi i një apartamenti në Tiranë për periudhën 2009-2012.

Relatori Ilia tha se gjyqtarja Shirka ka kryer deklarim të saktë edhe për likuiditetet, si për depozitat apo llogaritë bankare, ashtu edhe për gjendjen cash.

Profesionalizimi

Raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor lidhur me profesionalizimin e gjyqtares Shirka ishte pozitiv. Relatori Ilia tha se edhe dy denoncimet e kryera nga publiku kanë rezultuar pa indicie për të çelur ndonjë hetim.

Ndërkohë, u identifikua një çështje gjyqësore e vitit 2007 lidhur me subjektin e atëhershëm nën hetim Xh.I. të akuzuar nga prokuroria për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të tre personave, e mbetur në tentativë.

Relatori Roland Ilia tha se trupa gjykuese ku bënte pjesë në cilësinë anëtares edhe gjyqtarja Daniela Shirka, e ka ndryshuar akuzën e prokurorisë duke e klasifikuar si plagosje e më pas e ka pushuar hetimin në ngarkim të Xh.I për shkak të amnistisë së kësaj vepre penale. Trupa gjykuese ka vendosur t’i heqë të pandehurit Xh.I edhe masën e sigurisë arrest në burg dhe e ka liruar.

Por ky vendim i Gjykatës së Elbasanit është ndryshuar nga Apeli Durrës që e ka shpallur fajtor Xh.I për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të tre personave, e mbetur në tentativë dhe e ka dënuar me 8 vjet heqje lirie.

Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e kryer nga Xh.I duke lënë në fuqi vendimin e Apelit Durrës. Ilia tha se, lidhur me këto konstatime subjekti ka dhënë shpjegime që do të merren parasysh gjatë vlerësimit përfundimtar.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Daniela Shirka pohoi se Apeli Durrës nuk kishte konstatuar shkelje, por se ndryshimi i vendimit kishte të bënte me vlerësimin e provave. “Nuk ka të bëjë me shkelje disiplinore”, tha ajo.

“Konkluzioni ka ardhur si rezultat i vlerësimit të provave dhe aktit të ekspertimit mjeko-ligjor. Edhe vetë prokuroria nuk ka kërkuar masë maksimale të dënimit”, tha ndër të tjera gjyqtarja Shirka.

“Fakti që në folenë armës ishte edhe vetëm një fishek dhe se autori kishte qenë afër me personin tjetër, tregon se ai nuk ka pasur qëllim të vrasë njeri. Besoj se në vendimmarrje kam zbatuar vetëm ligjin”, shpjegoi Shirka para trupës së KPK-së.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar pranë Komisionit një raport pozitiv për pastërtinë e figurës së gjyqtares Daniela Shirka. Edhe Komisioni ka konkluduar përshtatshmërinë e subjektit për të vazhduar detyrën lidhur me këtë kriter.

Në fund të seancës dëgjimore ajo e cilësoi procesin e rivlerësimit si mjaft transparent dhe tha se kishte punuar gjatë gjithë kohës me ndershmëri e integritet. Shirka i kërkoi Komisionit konfirmimin e saj në detyrë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
“Po s’paguan 20%-in…”, ish deputeti i LSI tregon skemën korruptive ku janë qindra biznese: Këtë situatë ja kush e zgjidh

Ish deputeti i LSI-së nxjerr një shifër dhe thotë se “mbi 100 milion euro është shuma për t’ju rimbursuar nga...

Close