X

Trumpi dhe Erdogani shtyjnë Evropën të krijojë aleanca të reja



Evropianët kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm për këtë fakt, dhe në mënyrë private Macron ka deklaruar se, sipas mendimit të tij, në pesë vjet NATO nuk do të ekzistojë më. Ky kërcim në errësirë ka një potencial shkatërrues, por gjithashtu mund të ofrojë një mundësi për Evropën, nëse ajo do të mund ta shfrytëzojë atë. Përcaktimi i aleancave është një nga sfidat strategjike të kohës sonë

 Nga Pierre Haski

Fjala e momentit është padyshim “aleancë”, dhe shoqërohet me një dilemë: çfarë të bëjmë kur një “aleat” sulmon një tjetër? Ose më saktë, çfarë të bëjmë kur Turqia (një anëtar i NATO-s) sulmon luftëtarët kurdë të Forcave Demokratike Siriane (FDS), së bashku me aleatët në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit të Shtetit Islamik (IS), në të cilin bënin pjesë Shtetet e Bashkuara dhe Franca? Një pyetje e tillë vë në pikëpyetje vetë konceptin e një aleance.

Presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi përkatësinë e përbashkët në të njëjtën aleancë kur zbuloi se kishte dëgjuar për tërheqjen e SHBA nga Siria … përmes Tuiterit! Lehtësia e papërballueshme e Donald Trumpit, i cili nuk është merakosur fare që të paralajmërojë vendet që kanë një kontigjent në terren, bashkë me ushtarët amerikanë, dhe i ka dërguar një letër surrealiste Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, konfirmon vetëm ato që dimë nga dita e parë e mandatit të tij: për presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara, fjala “aleancë” nuk ka shumë peshë. Duke marrë parasysh që po flasim për fuqinë e parë botërore, është e qartë se ky është një zhvillim dramatik.

“Aleancë” është një nga fjalët kyçe të marrëdhënieve ndërkombëtare, në histori dhe në botën e pasluftës që ndërtoi arkitekturën, në të cilën jetojmë ende edhe sot. Në kohën e luftës së ftohtë, bota ishte e organizuar në aleanca ushtarake dhe politike rreth dy poleve, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Të gjithë e dinin se një sulm ndaj një anëtari të njërës prej dy aleancave, do të shkaktonte përgjigjen automatike të njërës prej superfuqive. Në ato vite pati konflikte, por pas krizës së vitit 1962 në Kubë, ne nuk rrezikuam më një konfrontim të drejtpërdrejtë midis dy blloqeve.

Erdogan sheh nga Moska

Me zhdukjen e BRSS-së, rregulli i lojës është bërë i ndryshueshëm. Nga hiper fuqia amerikane, arbitri universal i të gjitha konflikteve, ne kemi kaluar në një botë shumëpolare dhe anarkiste, e shenjuar nga rënia e ndikimit të Uashingtonit, ngritja e gjigantit kinez dhe rritja e fuqive rajonale, gjithnjë e më autonome, duke përfshirë këtu Turqinë. Kolonë Lindore e NATO-s me praninë e raketave bërthamore të SHBA në bazën e famshme të Incirlikut, Turqia është emancipuar në mënyrë progresive nga besnikëria (disa thonë bindja), që pritet prej një eksponenti të Aleancës Atlantike.

Kur Erdogani vendosi të blinte sistemin anti-raketor R-S-400, ai e dinte që do të shkelte një vijë të kuqe, por presidenti turk po kalon një fazë të afirmimit të “fuqisë” së tij brenda rajonit, gjë e cila e shtyn atë të frekuentojë Vladimir Putinin dhe jo Donald Trumpin, duke planifikuar të ardhmen e Sirisë, pa u shqetësuar për “aleatët” tradicionalë.

Sa i përket presidentit të Shteteve të Bashkuara, ai me sa duket nuk është i “formatuar” për të kuptuar konceptin e një aleance. Kjo dëshmohet me faktin se ishte e nevojshme ta detyroje atë, që t’i shkëpusje një gjysmë konfirmim mbi Nenin 5 të Traktatit të Aleancës Atlantike, i cili parashikon solidaritet automatik në rast agresioni. Aspekti më shqetësues për evropianët, të përgjumur prej dekadave të tëra varësi nga NATO për çështje të sigurisë, është se një largim nga skena i Trumpit, nuk do të thoshte një kthim në status quo, e prishur tashmë që në kohën e Obamës.

Evropianët kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm për këtë fakt, dhe në mënyrë private Macron ka deklaruar se, sipas mendimit të tij, në pesë vjet NATO nuk do të ekzistojë më. Ky kërcim në errësirë ka një potencial shkatërrues, por gjithashtu mund të ofrojë një mundësi për Evropën, nëse ajo do të mund ta shfrytëzojë atë. Përcaktimi i aleancave është një nga sfidat strategjike të kohës sonë.

Obs – Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in ANALIZË
Kaosi i Donald Trumpit në Siri: “Pa strategji serioze”

Nga DW SHBA ndërmjetësuan një armëpushim mes Turqisë dhe kurdëve në Siri. Ajo do të zgjidhë problemet, që ka shkaktuar...

Close