X

Tërheqja e SHBA nga Siria: një kurban strategjik



Nga Mirjam Benecke

Pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë nga Siria e Veriut, mund të jenë interesa gjeostrategjike, thotë politologu dhe eksperti gjerman Josef Braml. Vështrimi drejtohet nga Irani.

Pas meje le të përmbyset bota? Donald Trump i tërhoqi trupat amerikane nga Siria veriore, duke hapur rrugën për ofensivën ushtarake turke në rajon. Vendimi shkaktoi kritika ndërkombëtare. Thuhet se Trumpit nuk i intereson  politika e jashtme strategjike. Por kjo nuk është e vërtetë, thotë politologu Josef Braml. Sepse pas tërheqjes së trupave mund të qëndrojnë interesa gjeostrategjike të SHBA.

“Që Trumpi tërhiqet tani në guackën e tij është një keqinterpretim,” i thotë Josef Bramli DW. Bramli është drejtues i Programit të Amerikës në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë dhe autor i blogut “Eksperti i SHBA”. Sipas mendimit të tij, Shtetet e Bashkuara nuk mendojnë për tërheqje nga rajoni i Lindjes së Mesme. Në vend të kësaj, me tërheqjen e forcave tokësore, SHBA kujdesen që të minimizojnë objektivat për kundërsulme të mundshme. Këto mund të vijnë nga Irani.

Bramli vëzhgon politikën ndaj Sirisë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në lidhje me Iranin. Sepse në konflikt me Republikën Islamike, amerikanët ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit. “Unë besoj se SHBA duan që me goditje parandaluese ta pengojnë Iranin të armatoset me armë bërthamore,” thotë Josef Braml.

Po të ndërmarrin SHBA sulme ajrore kundër Iranit, do të priten kundërsulme. Për shembull, objekt i Iranit mund të bëhen trupat amerikane të vendosura në Sirinë pranë. “Kur SHBA kanë më pak ushtarë në rajon, ata do të kenë edhe më pak viktima të mundshme, që Irani të mund të godiste në një goditje të dytë,” thotë Josef Braml.

Josef Braml Josef Braml

Vështirësia për ta parashikuar Trumpin vështirëson parashikimet

Ajo që i bën të vështira parashikimet tashmë të ndërlikuara në lidhje me strategjinë e Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme është vështirësia për ta parashikuar presidentin amerikan Donald Trump. Kështu mendon politologu Christian Hacke. “Ajo që thotë nuk është aspak në përputhje me ato që bën,” tha Hacke në një intervistë për DW pas sulmeve në industrinë saudite të naftës.

Kjo e bën të vështirë për palët e përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme të vlerësojnë situatën. Pas tërheqjes së trupave amerikane, Turqia ka filluar ofensivën e saj ushtarake kundër milicisë kurde YPG në veri të Sirisë. Pasojat janë që tani të mëdha: sipas OBSH, trupat turke dhe militantët xhihadistë aleatë të tyre kanë detyruar 200.000 vetë të largohen. Sipas Qendrës Siriane për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 130 luftëtarë të Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, si dhe 69 civilë janë vrarë.

Kina është blerësja më e madhe e naftës iraniane. Përveç kësaj, lidhja me Iranin është një pjesë e rëndësishme e Iniciativës Kineze të Rrugës së Mëndafshit. Projekti synon të krijojë korridore të reja ekonomike nga Kina në Evropë dhe Afrikë.

Kjo nuk e bën situatën më të thjeshtë. Interesa dhe aktorë të ndryshëm janë ndërthurur ngushtë në Lindjen e Mesme. Për ta thënë përmbledhtazi: tërheqja e trupave amerikane nga Siria mund të përfaqësojë një minimizim strategjik të objektivave. Kjo do të jetë e rëndësishme për SHBA, po të ketë një përshkallëzim ushtarak me Iranin. Dhe atëherë as Kina nuk është më larg. Bramli thotë: “Kur godet Iranin, godet gjithashtu rivalin kryesor global, Kinën, e cila duhet të furnizohet nga ky rajon”.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
O “të marrë”, çfarë prisni nesër?! Shqipëria i ka çelur negociatat

Nga Luan Rama O “të marrë”, çfarë prisni nesër?!Shqipëria i ka çelur negociatat. Vërtetë nuk e mbani mend? Kaq shpejt...

Close