X

Mbijetesa e demokracisë në Europën Qendrore dhe Lindore



Nga Sławomir Sierakowski

Pas zgjedhjeve parlamentare në Poloni dhe zgjedhjeve lokale në Hungari, autokratët populist në të dy vendet vazhdojnë të mbeten në pushtet, ku ata do të vazhdojnë të shkatërrojnë institucionet demokrate. Edhe pse kështu, fitoret për forcat opozitare në të dy vendet tregojnë se “demokratët iliberal” të rajonit nuk janë të pamposhtur.

A po humbet më në fund vrullin populizmi në Europën Qendrore dhe Lindore? Në Poloni, partitë opozitare fituan Senatin dhe pjesa e votave për partinë në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) u ul në 43.7%, nga 45.5% që ishte në zgjedhjet e Parlamentit Europian majin e kaluar. Dhe në zgjedhjet lokale të Hungarisë, opozita rimori pushtetin në Budapest dhe fitoi garat për kryetarë bashkie në dhjetë qytete të tjera.

Tani shtrohet pyetja nëse këto rezultate nxisin një ndryshim më të gjerë politik në rajon. Ruajtja e pushtetit të PiS në Sejm – dhoma e ulët dhe më e fuqishme e parlamentit të Polonisë – është padyshim një sukses i rëndësishëm. Por lideri i partisë, Jarosław Kaczyński, priste qartazi një rezultat më të mirë. Humbja e Senatit nga PiS do të thotë që ajo nuk mund të miratojë më legjislacione kontroverse pa ndonjë debat të vërtetë (edhe pse 235 votat e saj në Sejm do të lejojnë që ajo të mposhtë veton e Senatit).

Opozita polake tani ka një shans të tregojë veten. Në përgjithësi, partitë e opozitës morën 900,000 vota më shumë sesa totali i kombinuar i PiS. Kjo do të thotë se një shumicë e ngushtë e elektoratit është në anën e opozitës dhe mund të japë një fitore për një kandidat të përbashkët të opozitës në zgjedhjet presidenciale pranverën e ardhshme. Sidoqoftë, nuk ka ndonjë zgjedhje të dukshme për atë rol. Donald Tusk, presidenti në largim i Parlamentit Europian i cili më parë ka shërbyer si kryeministër i Polonisë, tashmë është harruar, kjo duke gjykuar nga shfaqja e tij e dobët në sondazhet e fundit. Megjithatë, opozita ka ende kohë për t’u organizuar.

Partia më e madhe e opozitës, Platforma Qytetare (PO), ruajti nivelin e saj të mëparshëm të mbështetjes, duke garuar si pjesë e Koalicionit Qytetar, i cili fitoi 27.2% të votave. Por udhëheqësi i PO, Grzegorz Schetyna, doli shumë keq në Uroklau dhe mbetet një nga politikanët më pak të njohur dhe më të kritikuar të vendit. Shumë duan që ai të japë dorëheqjen e megjithatë ai nuk ka ndonjë pasardhës të dukshëm brenda PO-së, e cila përfshin politikanë që vetë Schetyna i ka ngritur.

Amullia e PO-së paraqet një mundësi për Lewica (E majta), një koalicion i ri i majtë që mori 12.5% ​​të votave. Edhe pse Lewica përbëhet nga tre parti, ajo mbajti një front të bashkuar gjatë fushatës dhe u ka ofruar politikanëve të rinj, të talentuar dhe të arsimuar një platformë alternative.

Megjithatë, kërcënimi më i madh për PiS janë dy parti, përkrahësit e të cilëve janë të ngjashëm me vetë mbështetësit e saj. Konfederacja, e cila mori 6.8% të votave, pa dyshim që do të shkaktojë tension politik, qoftë nga trafikimi i antisemitizmit apo duke kërkuar një ndalim të plotë të abortit. Dhe Partia konservatore e Popullit Polak (PSL) mund të shfuqizojë votat e PiS, nëse partia qeverisëse hynë në telashe.

Nga ana e saj, PiS duket se ka arritur limitin e saj zgjedhor. Gjatë kohës që ka qenë në pushtet, ajo ka ruajtur popullaritetin e saj duke rritur përfitimet sociale dhe duke shpallur një dyfishim të pagës minimale deri në vitin 2023. Tre muaj para zgjedhjeve, ajo prezantoi një pension prej 500 złoty (128 dollarë) për fëmijët. Por, pavarësisht kushteve të favorshme ekonomike, mbështetja e partisë ra. Votuesit polakë duket se kanë filluar të kenë frikë nga sundimi absolut nga një parti.

Duke parë përpara, PiS nuk mund të pretendojë edhe katër vjet rritje të fortë ekonomike. Por ajo mund të mendojë se mund të përdorë shpenzime sociale për të blerë kohë për të çimentuar kapjen e saj të sistemit gjyqësor, mediat e pavarura dhe qeveritë lokale, duke kufizuar kështu aftësinë e opozitës për të bërë për vete votues edhe në rast të një recesioni. Këto lëvizje me siguri janë duke u planifikuar për pas zgjedhjeve presidenciale. Për shkak se presidentit aktual nga partia PiS, Andrzej Duda, i duhen mbi 50% e votave që të mund të rizgjidhet, partia duhet të shmangë ndërmarrjen e ndonjë mase tepër radikale para se të ndodhë kjo.

Pas kësaj, PiS nuk do të ketë alternativa të vërteta për autokracinë, duke pasur parasysh që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë edhe më sfiduese për partinë. Ekziston një arsye përse ka kooptuar institucionet shtetërore dhe gjykatat, dhe duke formuluar legjislacionin për të “ri-polonizuar” mediat kryesisht në pronësi gjermane dhe amerikane të vendit. Këto masa kanë të bëjnë me “Pushkën e Çehovit”: “Nëse në aktin e parë të një drame ke varur një pushkë në mur, atëherë në aktin tjetër pushka do të duhet të shkrepet.” Për Kaczyńskin, katër vitet e ardhshme janë shansi i fundit për të konsoliduar pushtetin dhe për të krijuar një trashëgimi të qëndrueshme.

Por përtej politikës së brendshme, Kaczyński gjithashtu do të duhet të jetë i kujdesshëm ndaj faktorëve ndërkombëtarë. Për shembull, braktisja e kurdëve në Siri nga presidenti amerikan Donald Trump tregon se atij s’mund t’ia kesh besën si aleat. A do ta pranonte ai një goditje ndaj dy kanaleve televizive më të mëdha tregtare të Polonisë – TVN dhe TVN24 – apo do të ishte në anën e pronarit të tyre amerikan, Discovery Inc.?

Dikush mund të mendojë që PiS mund ta civilizojë ende veten duke lëvizur në qendër dhe duke i apeluar disa elementeve brenda opozitës së fragmentuar. Por kjo është shumë e pamundur. Votuesit e PO dhe Lewica janë të vendosur kundër PiS. Në fakt, kjo është një nga çështjet kryesore që i bashkon ata. Subvencioni preh 500 złoty për fëmijë zor se ka rëndësi për familjet më të pasura të vendit dhe rritja e shpallur e pagës minimale ka tronditur pronarët e bizneseve, të cilët do të duhet të përballojnë shpenzimet ose të pushojnë nga puna  punëtorë. Atëherë, mundësia e vetme e PiS është që të përfundojë revolucionin e saj autokratik para se të vijë një recesion. Kaczyński do të duhet të luajë çdo kartë që ka në dorë.

Sa për Hungarinë, zgjedhjet e fundit do të kenë më pak ndikim të menjëhershëm praktik, sepse ato ishin të kufizuara në qeveritë lokale dhe qytetet e mëdha, ku opozita gjithmonë ka mbështetje më të madhe. Hartat e mbështetjes elektorale për PiS ose për partinë qeverisëse të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, Fidesz, zakonisht bëjnë që të duket sikur qytetet e mëdha po rrethohen.

Sidoqoftë, simbolikisht, zgjedhjet e Hungarisë ishin më domethënëse edhe në krahasim me zgjedhjet në Poloni, sepse ato tregojnë se partitë e opozitës ende mund të fitojnë në atë që tani është një “demokraci totalisht iliberale”. Aty ku kandidatët e opozitës mbizotëruan, ata e bënë atë pa pasur mbështetjen e ndonjë shtypi të lirë, pa ndonjë krizë ekonomike për t’u shfrytëzuar dhe pa ndonjë gabim domethënës nga ana e Orbánit.

Dikush mund të shohë Europën Qendrore dhe Lindore si një burim zhgënjimi, duke pasur parasysh që populistët ende po zgjidhen dhe rizgjidhen. Megjithatë, ndryshe nga autokracitë diku tjetër, populistët e rajonit ende mund të humbasin. Pas zgjedhjes së presidentes sllovake Zuzana Caputová më herët këtë muaj, humbja e senatit nga ana e PiS dhe performanca e fortë e opozitës hungareze në qytetet e mëdha tregojnë se demokracia liberale nuk është zhdukur ende.

Project Syndicate/BIRN

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in ANALIZË
Nuk ka datë për Shqipërinë, BE e lodhur me lindjen

Analizë e Bloomberg Shpresat e Ballkanit për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian janë “në fije të perit”...

Close