X

Borshard, gishti nervoz i Ramës ndaj qytetarëve të pambrojtur


Nga Ergys Mërtiri

Me një akt nervozizmi, Ambasadori i i OSBE-së në Tiranë Bernd Borshard u përfshi në një incident të turpshëm me banorët e Astirit, duke iu treguar atyre gishtin e mesit, teksa po kalonte në rrugën e Drejtorisë së Policisë ku ata po protestonin. Reagimi i tij ishte përgjigje ndaj thirrjeve “Shame on you”, Turp!, që me gjasa disa protestues ia drejtuan për shkak të indiferencës së tij kur u kaloi pranë.

Pas reagimeve të ashpra në rrjetet sociale, ambasadori u detyrua të kërkojë ndjesë, por duket se kjo nuk e ka zbutur shumë indinjatën. Shumë prej tyre kërkojnë, madje, largimin e tij nga Shqipëria, pasi e konsiderojnë të papranueshme që një ambasador të përqeshë popullin që proteston kundër një padrejtësie të qeverisë, ndërsa ambasadori vlerësohet gjerësisht se mban vazhdimisht anën e pushtetit.

Në fakt, gjesti i zotit Borshard duket se është më shumë një lapsus frojdian. Pa dashje, ai nxori në pah atë që duket se është përpjekur ta fshehë ta fshehë – mbështetjen ndaj qeverisë Rama – dhe kjo e bën ndjesën e tij po aq të papranueshme sa edhe vetë gjesti.

Në mënyrë të vazhdueshme ambasadori ka luajtur një rol të turpshëm, duke mbajtur plotësisht anën e qeverisë, edhe në rastet kur ajo është shfaqur kokë e këmbë e përfshirë në vepra që janë për të ulëritur, jo thjesht për të reaguar.

Ambasadori nuk ka folur kurrë për lidhjet e krimit me politikën, për kapjen e pushteteve të pavarura nga qeveria, për instalimin e një shteti autokratik, për shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës apo të të drejtave të njeriut, dhe për një mijë e një gjëra që ndodhin çdo ditë në këtë vend.

Përkundrazi, deklaratat e tij kanë qenë të përafërta me ato të Taulant Ballës apo Ulsi Manjës, duke e shndërruar zyrën e OSBE-së thuajse në një zgjatim propagandistik për legjitimimin e paudhësive të qeverisë.

Kjo nuk bën me faj e turp vetëm ambasadorin, por në radhë të parë institucionin që ai përfaqëson. Qëndrimet e tij janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimin për të cilin OSBE-ja ekziston. Organizata si OSBE-ja janë ngritur kryesisht për të kontrolluar qeveritë dhe për të mbrojtur qytetarët, ndërsa zyra e saj në Shqipëri bën të kundërtën, mbron qeverinë nga reagimi i qytetarëve. Borshard e ka tradhëtuar misionin e institucionit të tij.

OSBE-ja ka për qëllim të mbështesë demokratizimin e vendeve ku ofron ndihmën e saj, duke mbrojtur shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut si dhe konsolidimin e institucioneve. Veprimtaritë e saj nisin që nga lufta ndaj trafikimit, ndihma për zgjedhjet e deri te lufta kundër korrupsionit, zbatimi i ligjit apo siguria mjedisore. Të gjitha këto Edi Rama i ka shkelur me të dyja këmbët dhe OSBE-ja as që është ndierë.

Borshard as që e ka çelur gojën kur Kushtetuta është shkelur e vazhdon të shkelet me çizme, kur institucionet e pavarura janë vënë nën kontroll nga pushteti qendror, kur shteti shtyp dhe poshtëron qytetarë të pambrojtur, kur masakrohet mjedisi në mënyrë barbare, dhe lista vazhdon. Pas një letargjie të thellë, ambasadori tani u zgjua në vendin dhe çastin e gabuar me gishtin e mesit përpjetë, të cilin pafuqia ia uli shpejt.

Reagimi kundër qytetarëve të thjeshtë, të detyruar të protestojnë përditë prej gati një viti, të vjedhur, të kërcënuar, të shtypur e të dhunuar nga shteti i tyre, është poshtërsi. Me mbështetjen e tij, Borshard duket se pranon të bëhet rruspa që përpiqet të shembë shtëpitë e tyre.

“Do të doja t’iu kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, u shpreh ai pas ngjarjes, kur e kuptoi se e kishte qelbur.

Në fakt, është e vështirë të mos e vësh theksin te cinizmi i kësaj ndjese. Respekt për të drejtën e protestës në këtë rast do të kishte edhe dikush pa kurrfarë interesi mbi ngjarjen, bie fjala, ambasadori tajlandez në Zelandën e Re. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë ka për detyrë ta ndjekë me vëmendje protestën dhe t’i bëjë presion qeverisë që zëri i protestuesve të dëgjohet.

Ai do të duhet të ishte krahu i qytetarëve dhe jo i pushtetit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një projekt megakorruptiv, ku shteti, me një arrogancë të tmerrshme, – pasi iu prish njerëzve shtëpitë për të vjedhur një tender në vlerën 20 milionë euro, të fituar nga një kompani inekzistente e me dokumente false, – protestuesit e lënë në qiell të hapur edhe i dhunon e arreston, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën kushtetuese për të protestuar.

Në vend që të ishte bërë zëri i protestuesve gjatë kësaj kohe, ambasadori zgjodhi të bëhej gishti nervoz i Ramës kundër qytetarëve të shtypur e të pambrojtur. Turp! /Exit.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Vrasja në Kavajë, Marsida Qatja ndërron sërish version, nuk e përmend djalin 2 vjeç: Dritani qëlloi Bledarin, e shtyva që të dilte jashtë

Marsida Qatja e ftuar në “Open” ka rrëfyer edhe njëherë gjithë ngjarjen e ndodhur në Kavajë disa ditë më parë,...

Close