X

Rama i cilësoi si grupi kriminal ‘KÇK’, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor


Një ditë pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama në foltoren e Parlamentit, ku lëshoi akuza të forta në adresë të prokurorit të Durrësit dhe gjykatëses atje, e i kërkoi Kuvendit, reagim me forcë ndaj këtyre prokurorëve, që i ka etiketuar si pjesë e grupit më të madh kriminal në vend, “KÇK”, ose kap ca të kapësh, ka ardhur edhe reagimi i gjyqtarëve.

Në një deklaratë të përbashkët, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, thonë se “përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve”.

Me tej ne reagim thuhet:

Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.

Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit.

Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi.

Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor.

Ndërsa qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit”.

DEKLARATA E RAMES NE KUVEND

I them parlamentit se ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetingun e dinë që nuk e kalojnë dhe kanë nxjerrë dhe një togfjalësh mes tyre, KÇK, kap ca të kapësh.

Këtë grupim KCK ky parlament duhet ta shpalli grup në kërkim, jo metaforikisht, e them në mënyrë të drejtpërdrejtë”- tha Rama. duke shtuar me tej, “Ta shpalli në kërkim, me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu të gjithë së bashku, është e kotë ti bëjmë njëri tjetrit predikime dhe e kotë që nga tryezat e opozitës të ngrihemi këtu e të fajësojmë qeverinë, apo nga qeveria të ngrihemi e të justifikojmë.

Procesi i vetingut për të përfunduar do kërkojë disa vjet, e ne nuk lejojmë që prokurorë si ai i Durrësit, gjykatës si ajo apo plot të tjerë të bëjnë kërdinë mbi njerëzit, çdo ditë”.

KÇK, sipas kryeministrit Rama është grupi më i madh kriminal në vend.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Fituesit e Çmimit Nobel për Letërsinë, autorja polake Tokarczuk dhe “adhuruesi” i Millosheviç, Handke

Ditën e sotme janë shpallur fituesit e Çmimit Nobel për Letërinë, për vitin 2018 dhe vitin 2019, në Stokholm të...

Close