X

Kryeministër, mëshirë për të, është Sokoli yt!

Nga Ermal Mulosmani

Mbrëmë në emisonin Real Story të gazetarit të njohur Sokol Balla, ishte i ftuar Kryeministri i Shqipërisë. Duke qenë se në atë orar kisha zgjedhje më të mira televizive, dhe i bindur brenda vetes se Kryeministri ishte edhe punëdhënësi më i fundit i Sokolit, nuk e ndoqa. Madje, arsyeja e dytë përcaktoi të parën.

Por kurioziteti për të ndjekur Kryeministrin bëri që sot ta shoh intervistën të plotë.

Një editorial i pregatitur me kujdes nga autori i emisionit përpara sesa Kryeministri të hynte në studio, përpiqej që të na risillte kontekstin në të cilin po zhvillohej kjo intervistë. Spikaste edhe qëndrimi emocional i Sokolit kur e quante mundësinë e hapjes së negocitave aq të mundur “sa ishte fitorja e Premier League në Angli nga Leicester City”. Një paralelizëm servil, siç edhe pritej. Pra, nëse ndodh hapja ishte përpjekja spartane e Davidit-Kryeministër që e solli në kundërshtim me vullnetin e Goliatit-Evropë. Përkundrazi, nëse nuk ndodh, ishte faji i Evropës që nuk arrin të kuptojë gjenialitetin e Edi Ramës. Rezymeja e halleve qesharake të Edi Ramës, të ekspozuara me patetizëm komunist nga gazetari përfundonte me pyetjen retorike: ”A do të lëshojë pe Edi Rama apo do të ecë përpara edhe i vetëm trim në luftë me pritshmërinë “e gabuar” se mbrapa edhe atij i shkon historia”?

Kështu e mbylli monologun e tij të  frymëzuar Sokoli. E vetmja fjalë që do dëshironte të hiqte nga ai monolog ishte epiteti “e gabuar”. Të cilën e tha me gjysmë zëri dhe nëpër dhëmbë. Por që ia nxori për hundësh Kryeministri për dy orë të vështira për të, sa më bëri edhe mua, një shikues jo fort i dhimbshëm për servilizmin, të kisha mëshirë për Sokolin…

Shpërthime histerike, delir i pafshehur,  lëvizje si në ethe, ngërdheshje, skërmitje, grushta të mbledhur, batuta fyese për kundërshtarët, impostim superior ndaj gazetarit, publikut, Shqipërisë, Kosovës, Ballkanit, Ramushit e lëre pastaj kur gazetari guxonte e sillte në bisedë edhe terma vocërrakë si ilirmeta, lulbasha apo ivkaso. Një retorikë e tillë zeusiane, rrufehedhëse ndërpritej herëpahere nga buzëqeshjet miratuese  nga gazetari përballë, me shpresën se Zeusi, të paktën, do ta mëshironte atë vetë… U përpoq të bënte pyetje “të guximshme” me gojën e të tjerëve, fjala vjen gjeti të zakonshmin Gjekmarkaj, viktimën e preferuar të Zeusit. Por ç’e do, nuk mund ta vazhdonte gjithë emisionin ashtu, duhej t’i bënte edhe ai vetë ndonjë pyetje.

Ohhh, çfarë vuajtje dhe përgjërimi për mirëkuptim lexohej në qenien e Sokolit për faktin që ishte i detyruar t’i bënte pyetje atij, Zeusit të madh!  Herë pas here thoshte “Opozita thotë” me shpresën se do i lëshohej Opozitës si Gjekmarkajt.

Por ishte e kotë. Zeusi joshet nga adhurimi, e shton dozën e goditjes! Lermontovi e ka përshkruar mjaft mirë karakterin e Kryeministrit në librin “Një hero i kohës sonë”.

Disa mendojnë se Kryeministri është fenomen i ri i zbritur në tokë në kohën dhe vendin e gabuar. E keqja është se kështu mendon edhe Ai vetë.

***********************

Personazhi i Lermontovit quhej Peçorin dhe është i famshëm në letërsinë ruse. Shkrimtari ka harxhuar faqe të tëra për t’a përshkruar ndërsa unë jam i detyruar të kem vetëm dy-tre paragrafe në dispozicion.

Peçorini ishte një aristokrat i ri, rus,  i internuar në Kaukaz. Ai ishte trim i çartur, por, çuditërisht ndonjëherë, edhe frikacak e i butë, ishte i ashpër e pa ndjenja por ndonjëherë edhe melankolik e i dhembshur. Ndonjëherë të shkulte së qeshuri siç kishte ditë që nuk flitej me të.  Jeta në Kaukaz e lidhi fort me një ish ushtarak të vjetër të Rusisë- burrë trim dhe i ndershëm- i cili i rrëfen lexuesit një nga historitë më mbresëlënëse të dashurisë, atë të Peçorinit me një çerkeze të hatashme që vdiq nga dashuria për të dhe neglizhenca vrasëse e tij. Në momente të caktuara Peçorini shkrehej dhe i thoshte plakut që takimi me të ishte “ngjarja më e madhe e fatit” siç edhe kishte raste që nuk i binte ndërmend që ekzistonte.

Një ditë, shumë vjet pasi rrugët e tyre ishin ndarë, plaku i ngratë  takon rastësisht shërbëtorin e Peçorinit dhe fytyra i rrëzëllin nga gëzimi. Malli për ”mikun e rrallë” e  kishte bërë të vetën, koha e jashtëzakonshme e kaluar dhe sidomos fjalët e Peçorinit gjatë ndarjes së përmalluar me të e që e kishin bindur plakun për miqësinë e rrallë që koha veç do ta rriste. I kërkon me mirësjellje që “Kur të shkosh tek Peçorini tregoi që  filani është në filan fshat e të pret për darkë. Shih sesi do të vijë me vrap”.

I varfri plak e shtron darkën më të mirë të mundshme, porosit verë të shtrenjtë e gjithçka ia donte rasti. Mendoi që për një orë Peçorini do ishte aty. Kaluan orë të tëra, mbrëmja ra, erdhi darka e Peçorini nuk u duk. Dikur nga ora 1 e natës plaku i humbi shpresat por u zgjua në mëngjes herët. Doli në majë të një kodrine sepse me siguri ai do kthehej, nuk e harronte miqësinë “por kushedi se si i është bërë puna”.

Si puna e Migen te “Lulet e Mollës”.

Kur më në fund,Peçorini mbi kalë mbërriti, nga ora 10 e mëngjesit, plaku i harroi të gjitha pakënaqësitë.  Fytyra rrëzëlliti nga gëzimi, gjithë trupi i mori gjallëri dhe ia krisi vrapit t’i dilte përpara. Kur iu afrua, Peçorini pa zbritur nga kali  i zgjati dorën me përtesë dhe i deklaroi se nuk kishte kohë të rrinte por veç kaloi ta përshëndeste.

*******************

Krahasimi i mësipërm e nderon Sokolin, e vërteta është shumë më e rëndë se aq. Plaku i shkretë ishte i ndershëm ndërsa Sokoli servil. Një servil i kohës sonë duron më shumë. Duroi dhunën  sistematike,  të bërtiturat, talljet, e sikterisjet për pyetjet pa kuptim. “Ore je në terezi”, “Zotëri”, “Ç’i ke këto pyetje” “ Si është e mundur”, “ku janë tre”, “ça po bëjmë këtu, estradë po bëjmë” etj…

Për herë të parë pata mëshirë për Sokolin. Kurrë mos qofsha në lëkurën e tij! /Gazeta Express/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Denoncimi i avokatit/ Berisha: “Policia iu shkoi në 1:30 të natës, keqtrajtohen 45 të dënuar në burgun e Shënkollit”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një avokati që denoncon policinë e burgjeve për dhunë ndaj të dënuarve në...

Close