X

Ik zoti President!


Nga Ermal Mulosmani

Qysh në kohët e largëta e ndoshta edhe në kohët që po flasim, në Shqipëri e Kosovë ekzistojnë Komitetet e Pajtimit të Gjaqeve. Zakonisht në krye të këtyre Komiteteve vendosen njerëz me reputacion dhe ndikim në lokalitetin ku veprojnë, njerëz të shquar për fuqinë e fjalës dhe të mendimit. Më i njohuri prej tyre ka qenë Anton Çeta, profesori me reputacion mbarëkombëtar që ndikoi në pajtimin e mjaft shqiptarëve në kohën e terrorit të zi serb. Plaku i urtë do të mbetet mes shqiptarësh simboli më i madh i paqes dhe i mirësisë.

Ekzistenca e këtyre figurave, është paralele me pushtetet ekzekutive në Shqipëri, shpesh e injoruar, por, ndonjëherë edhe bashkëpunuese me to.

Mjaft prej këtyre “pleqnarëve” tanë e kanë shpërdoruar emrin e mirë dhe janë përfolur edhe për matrapazë e tregtarë të vdekjes duke bërë pazare mes hasmit e viktimës ose duke dhënë dëshmi që janë keqpërdorur nga të rinj shqiptarë që duan të ndërtojnë jetën jashtë Shqipërie.

Në vitet e tmerrshme ‘97 dhe ‘98, kjo kategori pajtuesish gjaqesh u kthyen në objekt humori mes banorëve ngaqë askush nuk i përfillte. Ata vazhdonin kapardisjen rrugëve si figura të respektuara, ndërkohë që vrasjet bënin kërdinë në qytet. Për të shtuar humorin e zi, në këto raste, banorët dhe vrasësit përmendin pikërisht pajtuesit se ”nuk po punojnë mirë dhe duhen shkarkuar”!

Pikërisht kjo figurë qesharake m’u kujtua dje kur pashë në debatet e mbrëmjes diskutimet me temën “A duhet të shkarkohet apo jo Presidenti i Republikës”?

Ngjarja duhej të trajtohej sikur kishte rëndësi të madhe përderisa atje kishte mbërritur edhe Batoni, kryekëshilltari kryeministror, drenicaku që njihet për afërsinë e gjithkohshme me të gjithë Kryeministrat, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Nuk ka rëndësi nëse Kryeministër është Meta, Berisha apo Rama- Batoni do jetë aty, në paradhomën e tyre.

Gjithmonë me më të fortin, siç i ka hije gazetarit të tipit të ri.

Fushata elektorale në Kosovë është në ditët e fundit, ethet elektorale po kulmojnë, emisionet politike fillojnë në orën 4 pasdite deri në 00.00 të mbrëmjes. Por, “një çështje kaq e madhe sa shkarkimi i Ilir Metës” nuk mund ta linte indiferent Batonin. Ai regjistroi emisionin e darkës në Klan Kosova dhe u nis me urgjencë për të dhënën verdiktin!

“Fajin e ka Presidenti, e tha edhe Venecia”- argumentonte Batoni.

Mu duk fiks si ata vrasësit që tallen me pajtimtarin e gjaqeve!

“Shteti e vrau opozitarizmin, e detyroi të dilte nga Parlamenti, e detyroi të mos merrte pjesë në zgjedhje lokale (pasoja të dosjeve të famshme të vjedhjeve të votave).

Por fajin kryesor e ka Ilir Meta, ai desh të vërë paqen dhe pluralizmin”.

Nuk ka paqe nëse nuk e parashikon Kanuni (Kushtetuta).

“Është shumë e rëndësishme të parandalohet precedenti i anullimit të zgjedhjeve sa herë i teket Presidentit”- thoshte Batoni.

“Me këtë vendim Komisioni i Venecias e ndali njëherë e përgjithmonë mundësinë e bojkotit zgjedhor nga një palë” – deklaronte edhe Preçi në studion tjetër…

Ndërkohë, vrasësi i pluralizmit në emër të Kushtetutës, po shijon frutet e vrasjes. Ka marrë 120 deputetë (nuk i bën dot për qamet 140 por kjo nuk quhet shkelje kushtetuese), ka marrë 61 njësitë administrative të vendit, po shpërndan paratë e buxhetit të 10 vjetëve të ardhshëm përmes PPP-ve, vendi nuk ka Gjykatë të Lartë e as Gjykatë Kushtetuese, nuk ka prej dy vjetësh Prokuror të Përgjithshëm e as Kryetar të Kontrollit të Shtetit, narkotrafiku e vrasjet po bëjnë kërdinë.

Por e kemi gjetur, Ilir Meta i ka fajet!

Dhe në fakt kanë të drejtë. Përderisa Ilir Meta ka rënë kaq poshtë sa del përpara Komisioneve të Ulsiut, përderisa me urdhërat e tij tallet Denar Biba e gjithfarë bibe tjetër që del në televizor, Ilir Meta ka faj. Qenia e tij në atë post nuk garanton absolutisht asgjë për Opozitën por është një lolo i mirë për pushtetin për të organizuar debate televizive “e shkriu nuk e shkriu”.

Edhe një dallkauk patetik si Kreshnik Spahiu del e na bën moral në televizor a thua se nuk e njohim kush është.

Ik zoti President!

Ik nga ai post qesharak ku të kanë çuar qëllimisht për të tallur. Ik që të mos mendoj edhe unë si Kreshniku që “po rrin nga frika e SPAK-ut”.

Ik që “vrasësit” të mos thonë “e ka fajin pajtimtari që donte të na pajtonte”./ Gazeta Express/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Lajm i mirë për kosovarët, lëshohet viza e parë në Ambasadën Amerikane

Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se sot kanë lëshuar vizën e parë. Përmes fotografie të publikuar në...

Close