X

Vendimi për Tahirin, Nishani: Prova më e fortë e kapjes së Drejtësisë nga mafia e krimi i organizuar


Ish-presidenti Bujar Nishani ka komentuar në një status të gjatë në facebook, vendimin e dhënë mbrëmjes e së enjtes nga gjykata e krimeve të rënda për ish ministrin Saimir Tahiri.

Në reagimin e tij Nishani shkruan se dje shqiptarëve ju demonstrua prova më e fortë dhe në flagrancë, ajo e kapjes, kontrollit dhe komandimit të sistemit të drejtësisë nga Mafia dhe krimi i organizuar.

Postimi i plotë:

Dje pushteti i drejtësisë tentoi t’ju thotë shqiptarëve se nuk ka prova për ish-ministrin e akuzuar për trafikant e bashkëpunëtor me krimin e organizuar.

Por në të vërtetë, dje shqiptarëve ju demonstrua prova më e fortë dhe në flagrancë, ajo e kapjes, kontrollit dhe komandimit të sistemit të drejtësisë nga Mafia dhe krimi i organizuar.

Shqiptarët u ushqyen prej dy vitesh rrjesht me iluzionin e rithemelimit të sistemit të drejtësisë dhe ribërjen e shtetit ligjor.

Dje shqiptarët dhe bota, panë se si nga një sistem drejtësie me plot të korruptuar e të pa aftë brenda tij, tashmë është kthyer në një sistem drejtësie të kapur, kontrolluar dhe përdorur nga mafia dhe krimi i organizuar.

Eshtë e vërtetë që rregjimi narkos, bëri gjithshka të bllokonte marrjen e provave, shkatërrimin dhe asgjesimin e plotë të tyre.

Angazhimi i hapur i narkorregjimit për të bllokuar jo thjesht arrestimin e ministrit gangsterr por për të ndaluar kontrollin e menjëhershëm të banesës, ku prokuroria kërkonte prova materiale, ishte nisja e proçesit të fshehjes së krimit dhe jo zbulimit të tij.

Megjith angazhimin kriminal të narkorregjimit provat bazike ishin dhe mbeten aty, sepse jo vetëm që ishin bërë publike por ishin e janë edhe në dosjet e agjensive ligjzbatuese të vendeve partnere.

Për drejtësinë e narkorregjimit nuk përbën provë;

– makina e ministrit dhënë trafikantëve të kalonin serbes e pa guxuar kush, ti kontrollonte në kufi.

Një skemë tipike mafioze, ku bosi bënte shitjen formale me letra të makinës, që nëse kapej nga vendet e huaja, u thoshte shqiptarëve se unë e kam shitur dhe kështu dënoheshin veç ushtarët, por nga ana tjetër nuk deklaronte zyrtarisht shitjen dhe pronësinë e re, që policia shqiptare ta trajtonte si makina e ministrit.

Po ju kujtoj sot shqiptarëve se nga grabitja e parave në Rinas janë në burg vetëm ata mekanikët që adaptuan makinën e grabitësve, apo jo ?

Për drejtësinë e narkorregjimit nuk përbën provë as ;

– skafi me kapiten ministrin gangsterr por i paguar nga kapo i bandës dhe administruar në lëvizjen e tij me hyqmin e ministrit.

Nuk përbëjnë provë për drejtësinë e narkorregjimit as ;

– përgjimet e bandës tek deklarojnë dhuratat dhe paratë e dhëna për blerjen e votave në fushatën elektorale.

Nuk janë provë as ;

– qindramilionat e gjendura me patentat e skafistit ministër në të njëjtin e vend, falë aksidentit në ikje ndaj kontrollit të policisë.

Nuk qenka provë as ;

– emërimi i drejtuesve të policisë në akset kyçe të trafikimit dhe përfshirja e tyre në bashkëpunim drejtpërdrejt me bandën.

Nuk është provë sipas drejtësisë së narkorregjimit as ;

– fshehja e kanabizimit masiv dhe mashtrimi i opinionit publik, si një sinjal i qartë për policinë për të mos guxuar të ndalojë trafikun.

Nuk denjon as ta marrë si provë, drejtesia e narkorregjimit ;

– dëshminë e ish oficerit të policisë, Zagani dhe përfshirjen e ish ministrit gangsterr në përndjekjen dhe linçimin e këtij polici që guxoi të denoncoi dhe hetoi grupin kriminal.

Natyrisht që nuk mund të konsideronte provat flagrante drejtësia e komanduar nga narkorregjimi i cili pas emërimit skandaloz dhe antikushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm, lëshoi avoketerit mediatik të tij në butaforinë e shëmtuar në çdo ekran dhe hapsirë mediatike, duke na “garantuar” se do të ishte vetëvrasje për rregjimin po të largonte prokurorët që hetonin ish-ministrin gangsterr.

Se ajo nuk mund të ndodhte kurrë , etj., etj. !

Nuk kaloj shumë dhe prokurorët u shkarkuan dhe dosja u shkalafit turpësisht.
Por sado të përpiqet drejtësia e narkorregjimit të fshehë provat, kushdo në Shqipëri, Amerikë dhe Evropë e njeh mirë doktrinën e drejtësisë penale.

Se si konsiderohet fajtor një bos i krimit të organizuar.

Pablo Eskobar, nuk u dënua se transportonte ai vete me thesin në krah drogën.

Toto Riina nuk u dënua se ishte filmuar duke vrarë ai me armë në dorë viktimat e mafies.

Në Shqipëri dhe në botë ka shumë bosë të krimit të dënuar nga përgjimet dhe dëshmitë e dëshmitarëve si prova të krimit të kryer.

Narkorregjimi harron se droga masive nuk shkoi dhe helmoi vetëm Italinë, por shumë prej vendeve të tjera evropiane, Gjermaninë, Francën, Holandën, Britaninë e Madhe, etj.
Rregjimi harron se kriminalizimi i rëndë i shtetit dhe institucioneve të një vendi anëtar i NATO-s, ka minuar drejtpërdrejtë sigurinë e të gjitha vendeve të hapsirës trans-atlantike.

Ndaj rregjimi nuk duhet të harrojë se pavarësisht që e ka dorëzuar drejtësinë shqiptare te mafia dhe krimi organizuar, kjo çështje dhe të tjera të ngjashme, bazuar në të gjitha konventat dhe praktikat ndërkombëtare, do të mund të hetohet dhe gjykohet në cilindo prej vëndeve të aksit euro-atlantik.

Shqiptarët e kërkojnë dhe e shpresojnë shumë këtë.

Por sot, beteja me mafien që ka kapur jo vetëm qeverisjen por dhe pushtetin e drejtësisë tàshmë, është një betejë jashtëzakonisht e madhe dhe që do të zhvillohet me dimensione të papara më parë, e që duan ta qesharakizojnë duke e zëvendësuar me “takim për kafe” ku të shkruhen ca nene Kodi, se si krijohen komisionet e qendrave të votimit nëpër katundet e Shqipërisë.

Sot, mafia dhe krimi i organizuar po bëjnë gjithshka jo vetëm të bllokojnë rrugëtimin evropian të shqiptarëve, por ti largojnë ata sa më shumë të jetë e mundur nga modeli dhe aleanca perëndimore.

Pikërisht për këto, sot shqiptarët janë të thirrur në një betejë për sakrifica të mëdha, përndryshe do të shuhet dhe i fundit prej tyre mbi këtë dhè.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Meta i jep titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’ ambasadores kroate

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ambasadoren e Republikës së Kroacisë,...

Close