X

I sekuestruan dhe pasaportën, Ronaldinho paguan “qimet e kokës” për të fituar lirinë

Ish-futbollisti i njohur brazilian, Ronaldinho Gaúcho, dhe vëllai i tij, biznesmeni Roberto Assis Moreira, u pajtuan me autoritetet që të paguanin një gjobë 1.3 milionë euroshe për dëmet mjedisore që kishin shkaktuar, duke bërë të mundur rimarrjen e pasaportave të tyre të sekuestruara nga policia. Kështu njoftuan burimet zyrtare të mërkurën. Marrëveshja u nënshkrua me autoritetet përkatëse publike dhe ligjore. Të dy u dënuan në vitin 2015 për ndërtimin e një platforme peshkimi dhe një strukture anijesh peshkimi në liqenin Guaíba, në qytetin e Porto Alegre, në në jug të vendit.

Ata nuk pranuan ta zbatojnë vendimin, pagimin e gjobës prej 1.9 milionë euro, sikurse vendosi gjyqtari i çështjes, ndaj në fund të vitit të kaluar iu sekuestruan pasaportat dhe iu bë i pamundur lëshimi i dokumenteve të reja identifikuese, derisa të shlyenin dënimin. Pra, mbetën të izoluar në Brazil, pa mundësi për të dalë jashtë vendit. Pas paktit të arritur me Prokurorinë, ish-futbollisti i PSG, Barcelonës dhe Milanit, ndër të tjera, dhe vëllai i tij, kanë kohë deri më 1 tetor për ta paguar gjobën, e cila është paksa më e ulët se ajo që u vendos në gjyq.

Në rast se nuk do ta bëjnë pagesën brenda afatit të planifikuar, shuma që do të duhet të derdhin në arkat e shtetit shkon në 2.1 milion euro, plus interesin përkatës. Pasi të paguajnë gjobën, autoritetet do t’iu kthejnë pasaportat dhe pasuritë, që iu sekuestruan gjatë procesit gjyqësor. Për më tepër, vëllezërit premtuan të kryenin, në një periudhë maksimale prej 60 ditësh dhe pasi të merrnin autorizimin e autoriteteve lokale, rimëkëmbjen e zonës së dëmtuar.

Rajoni i liqenit Guaíba konsiderohet një zonë e mbrojtur mjedisore, prandaj nuk u licencuan kur ndërtuan platformën e peshkimit. Javën e kaluar, Ronaldinho Gaúcho, 39 vjeç, u emërua ambasador i turizmit brazilian nga kompania shtetërore “Embratur”, e cila është përgjegjëse për inkurajimin e ardhjes së turistëve të huaj në gjigantin e Amerikës së Jugut. Ky vendim pati një ndikim të fortë, sepse në atë kohë, kampioni i botës me “Canarinha” në Botërorin e vitit 2002 e kishte të ndaluar të largohej nga vendi.

More in LAJME, SPORT
FOTO/ Tentoi të mbytet në Shkumbin, e shpëtoi Policia: Kush është kjo zonjë?

Në Sallë Operative të Komisariatit të Policisë Elbasan, ka ardhur një telefonatë nga një qytetar ku ka konstatuar se një...

Close