X

Sigurimi i nxënësve dhe studentëve – një sfidë që prindërit e lenë pasdore


Nga Eglantina Hoxha

Nxënësit dhe studentët janë gati për sfidat e një vit të ri shkollor apo akademik. Vendimet tashmë janë marrë, për institucionin arsimor ku do të formohen, dhe nëse do të jetë brenda apo jashtë Shqipërisë.  Ndërsa, ende nuk janë gati për sfidat shëndetësore, të cilat fatkeqësisht janë të papritura. Në shoqërinë shqiptare ende ka një ndërgjegjësim shumë të ulët sa i përket sigurimit të jetës së nxënësve dhe studentëve, duke e lënë tërësisht në dorë të fatit të ardhmen e tyre në shëndet.

Kompanitë e sigurimeve ofrojnë paketa specifike për sigurimin e nxënësve dhe studentëve kundrejt çmimeve edhe simbolike,  duke tentuar t’ia heqin prindërve “barrën” e kostove shëndetësore, dhe duke u lënë vetëm atë të arsimimit.  Por megjithatë, janë prindërit ata që nuk mendojnë mjaftueshëm në këtë drejtim, për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Konkretisht, kompanitë e sigurimeve ofrojnë sigurim jete 1 vjeçar për nxënësit në një vlerë mesatare simbolike prej 500 lekësh  dhe për studentët që kryejnë studimet në universitetet shqiptare kjo vlerë shkon 1000 lekë. Kontrata e sigurimit është dizenjuar me synimin që të ofrojë për prindërit një mbështetje financiare në rast sëmundje apo aksidenti të fëmijës, gjithashtu dhe për të krijuar një kulturë sigurimesh tek brezi i ri.

Në varësi të kompanive, pasi secila ka paketën e saj specifike, kontrata e sigurimit ofron kryesisht përfitime  për paaftësi të përkohshme; përfitime për paaftësi të përhershme;  mbulimi të shpenzimeve spitalore dhe farmaceutike; përfitime për frakturat; dëmshpërblim për humbjen e jetës së të siguruarit; dëmshpërblimi për sëmundjet kritike; dëmshpërblimi për humbjen e jetës së prindërve, etj.

Kryesisht bëhet fjalëë për dëmtime të cilat mund të lindin nga ngjarje aksidentale, të  paparashikuara, të dhunshme, dhe që shkaktojnë dëmtime fizike që janë objektivisht të vërtetueshme, apo edhe sëmundje të papritura.

Ky sigurim, është edhe më i domosdoshëm, për studentët që zgjedhin të kryejnë studimet jashtë vendit, për shkak të kostove shumë të larta që kanë spitalet.  Në këtë rast, kompanitë e sigurimeve mbulojnë shpenzimet dhe ndihmën e menjëhershme për emergjencat mjekësore; shpenzimet e riatdhesimit ose të transportit special në rast dëmtimi trupor apo sëmundje të rëndë; dëmshpërblimin për humbjen e jetës së të siguruarit. Për këto kategori, primi i sigurimit është i ndryshëm nga një kompani në tjetrën dhe në varësi te shtetit ku shkon studenti apo shtrenjtësisë së kostove spitalore. Por mesatarisht primi luhatet në intervalin 70-100 euro për student në vit.

Po të analizojmë të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vihet re së primi i shkruar bruto për sigurimin e jetës së nxënësit dhe studentit ka një rënie të ndjeshme me 84.8 për qind për periudhën Janar-Korrik 2019, krahasuar me 7-mujorin e 2018-ës. Po ashtu edhe në kategorinë e sigurimit të jetës “Jeta e studentit” ka një rënie të pashpjegueshme me 58 për qind.

Në total, volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jetës kapi shifrën e rreth 722 milionë lekëve gjatë periudhës Janar-Korrik 2019, duke shënuar. një rritje me 8.67 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Ndërsa numri i kontratave në sigurimin e jetës arriti ne 65.297, duke shënuar një ulje në masën 10.89 për qind në krahasim me Janar-Korrik 2018.  Ndërkaq, numri i dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve për aktivitetet e jetës u rrit me 25.4 për qind gjatë kësaj periudhë, çka tregon gatishmërinë e tyre për të marrë përsipër të gjitha kostot që u takojnë nga kontratat e nënshkruara.

Në çdo fillim viti shkollor dhe akademik, fillojnë edhe sfidat financiare për çdo familje, të cilat investojnë jo pak për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Çështja shtrohet, sa të interesuar jemi të bëjmë investimin më të zgjuar për vete dhe për fëmijët tanë, atë të sigurimit të shëndetit dhe të jetës?

Bëjmë cdo gjë për shkollimin e tyre, investojmë në kurse të ndryshme për të rritur shkallën e tyre të njohurive, përpiqemi t’i përgatisim për sfidat e jetës, por vetëm kulturën e sigurimit nuk e kemi as ne si prindër e nuk ua përcjellim as fëmijëve.

Ndërkohë që përpiqemi të përllogaritim çdo detaj të përditshmërisë tonë, shëndetin dhe sigurinë ia lëmë në dorë fatit dhe rastësisë.

More in LAJME
Ky Kuvend duhet shpërndarë një minutë e më parë!

Nga Artan Fuga Ky Kuvend duhet shpërndarë një minutë e më parë! Mediokritet parlamentar! Për dijeni: Kryetarit të Kuvendit zotit...

Close