X

Prokurorët e akuzojnë si spiun rus kreun e një OJQ-je në Bullgari

Prokurorët bullgarë akuzuan të martën kreun e një organizate joqeveritare (OJQ) për spiunim për Rusinë, si pjesë e një skeme, për të cilën prokurorët thonë se kishte për synim të largonte Bullgarinë nga aleatët e saj perëndimorë dhe ta orientonte drejt Moskës.

Bullgaria, vendi më besnik i Moskës në periudhën sovjetike, tani është anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por ka lidhje të ngushta kulturore dhe historike me Rusinë, e cila mbetet furnizuesi i saj më i madh i energjisë. Prokurorët thanë se, Nikolai Malinov, 50 vjeç, kreu i Lëvizjes Kombëtare Rusofile, kishte punuar për Institutin Rus për Studime Strategjike, i drejtuar kryesisht nga ish zyrtarë të inteligjencës, dhe gjithashtu për një OJQ ruse, që nga viti 2010.

“Nikolai Malinov është akuzuar se e vuri veten në shërbim të organizatave të huaja për të punuar si spiun”, tha zëvendës-kryeprokurori bullgar, Ivan Geshev. Malinov është liruar me kusht, por iu ndalua të largohet nga vendi, tha kryeprokurori Sotir Tsatsarov.

Malinov, tash për tash, nuk ishte i arritshëm për të komentuar akuzat ndaj tij, transmeton agjencia Reuters. Prokurorët thanë se ata kishin gjetur një dokument, në gjuhën ruse, të përgatitur nga Malinov që fliste për “ri-orientimin e nevojshëm gjeopolitik të Bullgarisë”.

“Dokumenti përshkruan hapat që duhen ndërmarrë për të rregulluar plotësisht orientimin gjeopolitik të Bullgarisë larg Perëndimit, drejt Rusisë”, tha Geshev. Prokurorët nuk njoftuan kur është shkruar dokumenti.

Sipas kësaj prove të prokurorisë, Malinov kishte planifikuar të krijonte faqe interneti, një kanal televiziv, dhe një parti politike për të inkurajuar bullgarët të formojnë pikëpamje më pozitive për Rusinë, bazuar në traditat e tyre të përbashkëta sllave dhe krishterimin ortodoks.

Prokurorët thanë gjithashtu se ata kishin ndaluar një zyrtar veteran rus të inteligjencës, Leonid Reshetnikov, të hynte në Bullgari për 10 vjet. Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili është miqësor me Rusinë, tha se akuzat kundër Malinovit ishin “shumë serioze” dhe tha se prokurorët duhet të paraqesin prova të keqbërjes.

Disa politikanë të opozitës e komentuan këtë rast, si një përpjekje për të ndikuar në opinionin publik, përpara zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 27 tetor. /Rel/

More in BALLKAN, LAJME
Të shtëna me armë pranë Katedrales në Lezhë

Të shtëna me armë zjarri pranë Katedrales në Lezhë. Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes, ku dyshohet të ketë...

Close