X

Macron telefon urgjent me Edi Ramën, i kërkon disa herë ndjesë për ngatërresën e himnit


Ngjarja qesharake, që ndodhi në ndeshjen Francë- Shqipëri, ku Federata franceze vendosi në vend të himnit kombëtar të Shqipërisë, atë të Andorës, u pasua edhe nga një akt tjetër edhe më qesharak.

Sikur të mos mjaftonte himni i Andorës, komentatori i stadiumit me emrin Maks, i kërkoi ndjesë Armenisë, për këtë incident. Për fat, kjo lajthitje e dytë, u bë vetëm nga ana e komentatorit, sepse DJ i stadiumit, vendosi himnin e Shqipërisë dhe këtu turpi mbaroi.

I gjithë ky incident, që u mor vesh nga e gjithë bota, solli edhe ndjesat përkatëse nga autoritetet franceze të futbollit. Por duket se gjithçka nuk përfundoi këtu.

Burime jo zyrtare, bëjnë me dije se ky incident, që ndodh për herë të parë në botë, që nga dita kur është luajtur himni kombëtar në futboll, shqetësoi edhe vetë presidentin francez Macron, i cili thonë se i telefonoi kryeministrit Edi Rama, për t’i kërkuar ndjesë.

– Ç’është kjo fjalë zoti president, gjëra që ndodhin. Në fund të fundit, DJ i stadiumit e ka ngatërruar, – ia ktheu Rama Macronit, pas ndjesës.

– Jo, jo, kjo nuk duhet të ndodhte, – e ndërpreu Macroni.

– Mos u shqetëso zoti president! Urime për fitoren e Francës! Kjo është e rëndësishme. Sa i përket himnit tonë, edhe ne vetë e kemi ngatërruar, që kur e krijuam. Fjalët e himnit i ka bërë një shqiptar me emrin Asdren, me origjinë nga fshatrat e Korçës,  ndërsa si muzikë, kemi vjedhur një marsh rumun të kompozitorit Ciprian Porumbescu. Në fakt zoti president, ky himni ynë është i vetmi në botë, që i kushtohet flamurit. Ç’të të them zoti Macron?!

– Mirë, mirë, por këtyre të mijëve nuk u falet kjo ngatërresë, – vijoi ndjesën presidenti Macron.

– Mos e vrit mendjen zoti president! Mos u shqetëso! Ta dish ti se çfarë i punon himnit tonë të shkretë, Lulzim Basha, ky kryetari i opozitës që kemi këtu. Ç’të të them?!

– Ky Basha, është djali i  Berishës? – e ndërpreu Macroni.

– Po, po, djali politik, por nuk ka lidhje Berisha këtu. Deri dje, ky Luli, çdo javë bënte mitingje të panumërta, për rrëzimin tim dhe në fund të çdo mitingu, hypte tek shkallët e partisë dhe këndonte himnin kombëtar. E niste katër oktava më lart dhe me një zë koke të tmerrshëm, ngjirej brenda 30 sekondave, aq sa edhe Elisa Spiropalit, që nuk i funksionon emocioni i shqetësimit, i vinte shumë keq.

– Qenka himn i vështirë, – tha Macroni, problem e paskeni.

– Ndoshta e rregullojmë zoti president, – i tha Rama. Kam ngarkuar Elisën, që të përmenda më lart, zëdhënësen e qeverisë, që të gjejë ose sajojë një himn tjetër. Të gjitha gjërat që s’kanë nevojë për mendje, kësaj ja ngarkoj. Edhe këtë punën e himnit, them se do ta zgjidhë. Ka në këtë vend melodi baritore sa të duash zoti president. Për të votuar, e votojmë në parlament me 100% të votave. Se ti ndoshta ke dëgjuar, kemi këtë opozitën e re në parlament. Edhe pordhë të bëj unë, ata e votojnë.

– Mbylli edhe këto lloj punësh,  sa ke këtë opozitë, – tha Macroni dhe e mbylli telefonin.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Rudina Hajdari tmerron Bashën: Vërtet nuk di shqip, por anglishtja ime ka tronditur amerikanët dhe gjermanët!

Dy statuse tmerrësisht të fuqishme ka lëshuar sot në rrjetet sociale, deputetja shumë e njohur e opozitës së re, Rudinë...

Close