X

Profecia e Tony Blair me koncesionet e Rilindjes


Nga Klodian Tomorri

Negociatat e fshehta në aksin mes sheshit “Skënderbej” dhe atij “Nënë Tereza” për të zgjatur koncesionin e kolaudimit janë përmbyllja fatkeqe e vërtetimit të një profecie të hershme britanike. Në verën e vitit 2013, pak javë pasi kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme, Edi Rama pati filluar një seri mbledhjesh informale nëpër Shqipëri me kabinetin e projektuar qeveritar. Në njërën prej tyre, të mbajtur në qytetin bregdetar të Vlorës ishte prezent dhe ish kryeministri britanik Tony Blair, i sapopajtuar si këshilltar nga Rama.

Teksa ministrat e emëruar të Ramës prezantonin njëri pas tjetrit programin qeverisës dhe masat e 300 ditëve të para, njëra nga pikat që ngacmoi më shumë arkitektin laburist të “Rrugës së Tretë” ishte zotimi në bllok për të anuluar koncesionet e dhëna nga Sali Berisha.

Kur të njëjtin zotim e dëgjoi të përsëritej me forcë edhe nga punëdhënësi i tij, Edi Rama, Tony Blair u bind se kishte ardhur koha të jepte këshillën e parë për qeverinë e Rilindjes, e ndoshta edhe më të vlefshmen. “Nëse doni me të vërtetë të anuloni koncesionet, atëherë bëjeni që në muajin e parë të qeverisjes sepse pastaj do fillojnë t’ju pëlqejnë” – tha ai duke ju drejtuar Ramës.

Në atë kohë as vetë “Phony Tony” nuk do ta kishte imagjinuar se profecia e tij do të vërtetohej brenda pak javësh. E madje, koncesionet e Berishës nuk do t’i pëlqenin vetëm qeverisë së Edi Ramës, por edhe vetë bashkëshortes së ish kryeministrit britanik.

Që në muajin e parë sapo u ul në kolltukun e kryeministrit, Edi Rama pajtoi Cherie Blair si konsulente për të zhbërë koncesionin e skanimit në dogana. Por pasi u pagua 1.5 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, këshilla e avokates Blair për qeverinë ishte të mos e anulonte koncesionin.

Ky ishte vetëm fillimi i komedisë. Edi Rama mandatoi në atë kohë Elisa Spiropalin dhe Shkëlqim Canin për të rivlerësuar koncesionin e skanimit. Ajo që ndodhi më pas ishte një cmenduri financiare me pasoja të rënda për xhepat e shqiptarëve.

Koncesioni u ndryshua dhe nga 40 euro për çdo kamion, tarifa e re e skanimit u vendos 22 euro për çdo deklaratë doganore. Përmes ndryshimit të marrëveshjes fatura e koncesionit të skanimit për qytetarët u rrit në 210 milionë euro, tashmë të sigurta dhe të garantuara me ligj. Për të zbutur impaktet e kësaj çmendurie në publik, qeveria vendosi që koston e skanimit ta paguajë përmes buxhetit të shtetit. Kështu edhe rezistenca e qytetarëve do të ishte më e ulët. E megjithatë ky ishte vetëm akti i parë i vërtetimit të profecisë Blair.

Pasi hoqi dorë nga zotimi për të anuluar koncesionet e Berishës, qeveria e Partisë Socialiste nisi të prodhojë koncesionet e saj. Fillimisht ishte sektori i shëndetësisë, ku katër kontrata të dyshimta dhe pa garë koncesionuan mbi 300 milionë euro shërbime, të cilat kishin qenë gjithmonë ekskluzivitet i shtetit. Pas shëndetësisë, gangrena përfshiu gjithë ekonominë kombëtare. Në mjedis, arsim, kontroll fiskal, energji, kudo. Qershia mbi tortën e çmendurisë ishte programi i famshëm 1 miliardë dollarë, ku 51 kilometër rrugë u koncesionuan për 800 milionë euro.

Në opozitë Edi Rama përbetohej se do të anulonte të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria e kaluar, të cilat i ka quajtur si afera më e madhe korruptive në historinë e Shqipërisë. Por jo vetëm që nuk anuloi asnjë kontratë të vetme, por i përkeqësoi. Skanimit i rëndoi faturën, koncesionin e aeroportit e zgjati edhe me 3 vite të tjera, atë të kromit me 10 vjet, ndërsa tani po bën gati monopolin dhjetëvjecar të kolaudimit të makinave për koncesionarët e automjeteve.

Gjatë viteve të vona të qeverisjes së tij në Britani, Tony Blair pati fituar epitetin Bliar (mashtruesi) për shkak se gënjeu Parlamentin për të nisur luftën në Irak. Por për fatin e keq të Shqipërisë, 6 vjet më parë ai zbuloi një të vërtetë profetike; dashurinë fatale të Rilindjes me koncesionet.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Abuzimi me TVSH, Prokuroria ndryshon qëndrim për shtatë nga biznesmenët e arrestuar

Prokuroria ndryshon qëndrim për 7 nga 15 biznesmenët e arrestuar për mashtrim me skemëne TVSH. Nga masat e kërkuar fillimisht...

Close