X

Raka, qyteti dikur kryeqytet i ISIS, sot në rimëkëmbje

Raka që dikur ishte epiqendra e Shtetit Islamik të vetë-shpallur që sundoi mbi një pjesë të Sirisë dhe Irakut, po mëkëmbet ngadalë pas çlirimit megjithëse sulmet e papritura nga ekstremistët janë në rritje. Ekziston një frikë e vazhdueshme mes banorëve të Rakas se celulat e fjetura të ISIS-it do të ngrihen dhe do të hakmarren kundër atyre që tani po jetojnë në paqe me autoritetet që mposhtën militantët dhe i dhanë fund versionit të ashpër të Ligjit Islamik që udhëhiqte sundimin e tyre.

Uji i Eufratit vërshon mbi një shtrat të lumit në këtë qytet dikur të pushtuar. “Raka, Siri. Ishte kryeqyteti i atij që militantët e Shtetit Islamik e quanin Kalifatin e tyre, një brez toke që përfshinte pjesë të Sirisë dhe Irakut”. Qyteti po rimëkëmbet ngadalë nga një luftë e ashpër për të dëbuar ekstremistët që sunduan Rakën për vite. Megjithatë, ndërsa rigjallërohet, ekziston një frikë e përhershme, ndërsa banorët thonë se sulmet po bëhen më të shpeshta dhe se ka celula të fjetura të ISIS-it që janë në pritje.

“Në aspektin ushtarak, janë mposhtur. Por ka ende celula të fjetura që janë të rrezikshme për njerëzit”, thotë Khalid Barkal, kryetar i Parlementit në Raka.

Kujtimet e regjimit të ashpër të ISIS-it janë ende të freskëta. “Kur erdhën fillimisht, thanë “jemi myslimanë “dhe ne u besuam. Por ata arrestuan një person për vjedhje, dhe i prenë dorën në Sheshin Na’eem si dënim”, thotë Adbullahu, një banor i Rakës.

Sheshit Na’eem, ose Sheshit Hyjnor, iu vu nofka “Sheshi i Djallit” nën sundimin e ISIS-it, pasi kokat e prera të kriminelëve apo spiunëve të akuzuar vendoseshin të ngulura në një gardh për disa ditë me radhë. Ky stadium futbolli ishte dikur një burg famëkeq, ndërsa kopshti i këtij muzeu është akoma i mbushur me mina.

Kopshti është mbyllur tani, stadiumi po pastrohet dhe gardhi në Sheshin Na’eem është zëvendësuar. Por këto ndryshime nuk kanë fshirë kujtimet e banorëve të Rakës dhe as nuk kanë lehtësuar frikën e tyre se militantët do të përpiqen të kthehen. /Zëri i Amerikës/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Paloka: Zgjedhjet, në pranverë. Rama i detyruar t’i pranojë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ishte i ftuar në studion e news 24, lidhur me zhvillimet e fundit politike....

Close