X

Pesëmbëdhjetë vjet nga tragjedia që tronditi botën dhe transformoi Rusinë


Më 1 shtator, 2004, Shkolla numër 1 në Besllan të Osetisë së Veriut mirëpriti nxënësit pas pushimeve verore.

Turma prej 1,128 prindërish, mësimdhënësish dhe nxënësish u mblodh në oborr në orën 9:00 të mëngjesit për ceremoninë që shënonte fillimin e vitit të ri shkollor.

Pavarësisht kësaj, rreth 30 separatistë të Çeçenisë dhe Ingushetisë kishin hyrë në Osetinë e Veriut disa orë më parë, të armatosur me armët dhe municionin e marrë gjatë një sulmi të mëparshëm në një depo armësh në Nazran.

Ata sulmuan turmën. Mblodhën mbi 1,000 njerëz brenda shkollës dhe kërkuan nga Rusia që t’i tërheqë trupat e saj nga Çeçenia.

Ishte fillimi i një pengmarrjeje që zgjati 52 orë. Pengjet, në mesin e tyre rreth 800 fëmijë, u privuan praktikisht nga ushqimi dhe uji. Deri në mëngjesin e së nesërmes, terroristët i ekzekutuan disa burra dhe e shndërruan shkollën në një bastion të minuar.

Rreth orës 1:00 të pasdites, më 3 shtator, dy shpërthime u dëgjuan brenda shkollës.

Derisa pengjet filluan të arratisen nga dritaret, të ndjekur nga të shtëna me armë nga pengmarrësit e tyre, forcat speciale ruse filluan operacionin e shpëtimit, që u përhap edhe në rrugët përreth dhe përfundoi dhjetë orë më vonë me vdekjen e 334 njerëzve – përfshirë 186 fëmijë – dhe me plagosjen e qindrave.

Në Besllan, qytet me 37,000 banorë, pak familje mbeten të paprekura. Jashtë qytetit u ndërtuan varre të reja për viktimat. Sot, ato shihen përgjatë rrugës që çon nga aeroporti për në kryeqytetin rajonal, Vladikavkaz. Në hyrje të tyre shkruan: Qyteti i Engjëjve.

Metoda të rënda

Pesëmbëdhjetë vjet pas sulmit që tronditi gjithë botën dhe transformoi Rusinë, të mbijetuarit e tij dhe familjet e viktimave vazhdojnë të pyesin se si është kryer sulmi dhe përse forcat e sigurisë kanë përdorur metoda të rënda për t’i dhënë fund atij.

Në operacionin për çlirimin e shkollës u vranë të gjithë militantët, përveç një. Në vitin 2006, Nurpashi Kulayev, zdrukthëtar çeçen, u dënua me burgim të përjetshëm për përfshirjen e tij.

Familjet u kompensuan, disa reforma u ndërmorën, ndërsa komisione të ndryshme qeveritare lëshuan vlerësime kundërthënëse për rolin e shtetit.

Deri më sot, pak janë të kënaqur me përgjigjet që u janë dhënë.

“Nuk ka pasur asnjë përpjekje nga ana e autoriteteve për një hetim të denjë”, tha Aguna Vatayeva, e cila si 13-vjeçare i mbijetoi sulmit duke ikur nga kafiteria e shkollës, ndërsa nëna e saj vdiq brenda.

Pas tragjedisë, Vatayeva u dërgua në Moskë për të trajtuar plagët që mori në sulm. Shteti e subvencoi kujdesin për të. Vatayeva po ashtu mori një kompensim prej 1 milion rublash (rreth 37,000 dollarë) për vdekjen e nënës së saj.

Vatayeva, e cila tani jeton në Vladikavkaz me bashkëshortin e saj dhe fëmijët, vazhdon të ketë pjesë të mortajës në kokë.

Ajo është e bindur se së paku një nga plagët që ka vuajtur gjatë rrethimit dhe ato që i kanë marrë jetën nënës së saj, janë shkaktuar nga përdorimi i supozuar i forcës së tepërt nga forcat speciale ruse.

Për të, kompensimi material nuk bën asgjë për t’i ndihmuar viktimat.

“Mendoj se me qeverinë aktuale, derisa njerëzit që kanë qenë në pushtet atëbotë, janë ende gjallë, përfshirë presidentin tonë, nuk do të mësojmë asgjë të re”, tha Vatayeva.

Në vitin 2007, në një përpjekje për drejtësi dhe për të zbuluar se çfarë vërtet ka ndodhur në Besllan, Vatayeva dhe rreth 400 të tjerë, të mbijetuar të sulmit terrorist dhe të afërm të të vrarëve ose të plagosurve, u ankuan në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke i kërkuar që ta detyrojë Qeverinë ruse të përgjigjet për reagimin e saj kaotik gjatë tragjedisë.

Vendimi i gjykatës mori shumë kohë. Por, në prill të vitit 2017, ajo dha një vlerësim të ashpër për reagimin e autoriteteve ndaj krizës.

Gjykata vuri në dukje “dështimin e tyre për të ndërmarrë masa parandaluese” kundër një sulmi të planifikuar terrorist në zonë, pavarësisht se “kishin informacione mjaft specifike” në lidhje me të.

Siguria në shkollë nuk është forcuar, konstatoi raporti, dhe publiku kurrë nuk u paralajmërua për rrezikun e mundshëm.

“Në mungesë të rregullave të duhura ligjore, në shkollë janë përdorur armë të fuqishme, të tilla si tanke dhe granatahedhës. Kjo i ka kontribuar shkaktimit të viktimave në mesin e pengjeve”, konstatoi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo e udhëzoi Qeverinë ruse që të ndajë mbi tre milionë euro për kompensim të mëtejshëm të viktimave.

Ministria e Drejtësisë fillimisht e apeloi vendimin, por shumë shpejt vendosi që të veprojë në përputhje me të. Vatayeva mori 7,000 euro, që i ndihmuan asaj të mbulonte faturat mjekësore.

Por, Besllani mbetet i ndarë se kë duhet fajësuar për humbjet katastrofike të jetëve.

Nadia Guriyeva, një mësuese që humbi dy fëmijë të saj në sulm, por arriti të shpëtojë me të tretin, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se është kundër përfshirjes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Unë nuk e kam miratuar atë kërkesë”, tha ajo dhe shtoi se u beson hetimeve të vazhdueshme të Qeverisë ruse. “Mendoj se njerëzit përgjegjës po i bëjnë punët e tyre”, tha Guriyeva.

Pesëmbëdhjetë vjet më pas, ajo beson se ushtarët rusë bënë gjithçka që mundën në ato rrethana.

“Praktikisht, çdo person ka versionin e vet të asaj që ndodhi. Është gjithmonë kështu. Por, si mund t’i fajësoni njerëzit, veprimet e të cilëve u mundësuan qindra njerëzve të shpëtonin të gjallë”, tha Guriyeva.

Situata e brishtë

Rusia ka luftuar dy luftëra kundër rebelëve separatistë në Çeçeni dhe dhuna është përhapur shpesh në rajone të tjera.

Sulmi në Besllan ka qenë akti i katërt terrorist, në dhjetë vjetët paraprakë, që ka përfshirë pengje. Ai ka ndodhur vetëm dy vjet pasi terroristët çeçenë kanë sulmuar teatrin Dubrovka në Moskë – një tragjedi që ka përfunduar vetëm kur forcat speciale ruse kanë nisur një operacion të dështuar për të liruar pengjet, çfarë ka çuar në vdekjen e së paku 130 personave.

Irina Borogan, bashkautore e “The New Nobility”, një libër për shërbimet sekrete ruse, i ka mbuluar të dyja rrethimet – edhe në Dubrovka, edhe në Besllan – si gazetare.

Sipas saj, operacioni i shpëtimit në Besllan ka qenë një “kaos total”, edhe krahasuar me atë që ka parë dy vjet më parë në Moskë.

“Ishte e qartë që autoritetet nuk kishin asnjë plan”, tha Borogan për Radion Evropa e Lirë.

“Ato thjesht nuk ishin të gatshëm për një ngjarje të tillë në Kaukazin e Veriut, pasi lufta në Çeçeni ishte shpallur e përfunduar”, shtoi ajo.

Si të tjerët, Borogan paralajmëron se pozicioni i Rusisë në Kaukazin Verior mbetet i tensionuar.

Republikat atje – sidomos Çeçenia, Ingushetia dhe Dagestani – kanë konflikte të pazgjidhura për kulturën dhe territorin, që në formën aktuale daton nga rënia sovjetike. Disa frikësohen se situata atje, edhe pse tani relativisht e fjetur, mund të përshkallëzohet në konflikt.

“Është e frikshme të mendohet se mund të shpërthejë në çdo moment”, tha Olga Allyonova, autore e një libri të ardhshëm rreth Besllanit, për stacionin televiziv RTVI.

Ajo shprehu skepticizëm se e vërteta për Besllanin do të dalë ndonjëherë.

“Deri më tash ka disa versione se kush ka qëlluar nga ku, sa grupe janë përfshirë, nën komandën e kujt dhe sa pengje janë marrë. Pesëmbëdhjetë pas, nuk ka përgjigje për pyetje të thjeshta. Natyrisht se nuk besoj se këto përgjigje do të dalin”, tha Allyonova.

“Nuk e dimë ende”

Dana Tsinoyeva jetonte pranë Shkollës nr.1. Ajo, tri motrat e saj dhe babai i saj kanë mësuar atje. Ajo rrëfeu se si dukej shkolla para tragjedisë.

“Ishte një shkollë e mrekullueshme. Çdonjëri, thjesht, mund të hynte brenda – dyert ishin gjithmonë të hapura. Keni mundur të hyni atje si në shtëpinë tuaj”, tha Tsinoyeva.

Ajo ishte 19 vjeçe kur ndodhi rrethimi dhe sapo kishte diplomuar në shkollën e Besllanit, për të nisur më pas studimet në Vladikavkaz.

Kushërira e saj 13 vjeçe, Inga Tsinoyeva, nuk ka qenë me fat. Më 4 shtator, ajo u gjet në mesin e mbetjeve të djegura në shkollë, duke mos pasur kurrë shansin të fillonte klasën e shtatë.

Shkolla, ku viktimat u mbajtën peng, vazhdon të qëndrojë në këmbë për pasardhësit. Vizitorët mund të hynë të lirë dhe të zhyten në atmosferën e zymtë.

Në mure janë të varura fotografi të fëmijëve dhe punonjësve të shkollës që vdiqën atje.

Nën to ka lodra të fëmijëve, ikona fetare dhe tufa me lule që sillen çdo vit për ceremonitë e përvjetorit.

Atje mund të shihen edhe shishe të plastikës, gjysmë të mbushura, që sillen nga vizitorët, për të nderuar fëmijët që vdiqën të etur për një pikë uji.

“Gjatë atyre tre ditëve, të gjithë jemi mbledhur në sheshin kryesor dhe kemi pritur informacione”, tha Tsinoyeva. “Jemi ndjerë si një familje që do t’ia dalë dhe do t’i dënojë përgjegjësit”.

Por, shpejt, shtoi ajo, “njerëzit u mbyllën në vete: disa iu kthyen fesë, të tjerët u barrikaduan në shtëpi”.

Një nga fqinjët e Tsinoyevas ka qenë një nga disa banorë të Besllanit që janë vetëvrarë. Ai e humbi djalin në rrethim.

Tsinoyeva tha se mungesa e qartësisë për atë që ndodhi 15 vjet më parë, mbetet për shumë njerëz elementi më i dhimbshëm për t’u pranuar.

“Ka konstatime të ndryshme dhe është ende e paqartë se kush është fajtor”, tha ajo. “Hetimet kurrë nuk na kanë dhënë përgjigje të qartë. Kush e ka urdhëruar atë (rrethimin)? Kush kanë qenë ata njerëz? Ne nuk e dimë ende”. /REL/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Temperatura deri në 31 °C, moti për çdo qytet

Mot me vranësira mesatare dhe të dendura parashikohet në të gjithë territorin. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se prej...

Close