X

Klosi urgjent drejt Sarandës, karafila për një turiste që ka lënduar gishtin e madh të këmbës së majtë


Njoftohemi se një turiste polako-gjermane, që po kalonte 24 orët e fundit të pushimeve në një hotel luksoz në Sarandë, ra nga shkalla, duke lënduar gishtin e madh të këmbës së majtë.

Hapësira ku ishte akomoduar turistja ishte një duplex, në hotelin e një ndërtuesi të njohur shqiptar. Shkallët që lidhnin dy dhomat e dupleksit, në vend të tetë deri në dhjetë shkallinave, kishin gjashtëmbëdhjetë, ashtu siç i ndërtojnë shqiptarët. Duke zbritur, turistja harroi që kishte kaq shumë shkallë dhe ra…

Për shkak të rëndësisë, si turiste gjysmë gjermane dhe gjysmë polake, ajo u transportua në spitalin e qytetit të Sarandës, me makinën e pronarit të hotelit.

Paralel me transportin në spital, u lajmërua edhe Edi Rama në Whatsapp, duke iu bërë prezent edhe një foto e gishtit të lënduar të turistes.

Edi Rama nga ana e vet, lajmëroi dhe urdhëroi menjëherë Blendi Klosin dhe ekipin e tij, që të nisej drejt Sarandës.

Ministri i punëve të Turizmit, zotni Klosi, rrëmbeu menjëherë një buqetë me 18 karafila të gatshëm, nga ato që kjo ministri mban, për të gjitha takimet me turistë të lënduar dhe u lëshua drejt Sarandës.

Pas disa orësh, ministri Klosi mbërriti në spital, por turistja për shkak se lëndimi ishte fare i lehtë, ishte larguar.

Por, ministri edhe në këtë rast, nuk u dorëzua. Ai u nis menjëherë në drejtim të hotelit dhe e gjeti turisten polako-gjermane në plazh dhe në mënyrë gjysmë ceremoniale, i zgjati buqetën me karafila. Turistja duke qenë e re në moshë, e keqkuptoi këtë lloj propozimi të këtij burri me kostum në plazh dhe u bë gati ta qëllonte me pëllëmbë, por kameramani i një  televizioni me bord, bërtiti: “Mos, është ministri i Turizmit!”.

Turistja menjëherë u zbut dhe tha:

– Ah, po po, se tani u kujtova, ky ndan gjithmonë lule. Vetëm këtë punë bëni ju zoti ministër?

– Po zonja turiste, unë ndaj të gjitha buqetat e luleve, për turistët që lëndohen dhe u dalin probleme në Shqipëri, por njëkohësisht, kryeministri ynë i dashur, Edi Rama, më ka caktuar të numëroj edhe të gjithë turistët që hyjnë në Shqipëri çdo muaj.

– Sa për muhabet, – i tha turistja – sa turistë kanë hyrë në Shqipëri, gjatë muajit gusht zoti ministër?

– Kanë hyrë, shumë kanë hyrë, mbi një milionë kanë hyrë. Edi Rama na kanë thënë që kurrë nuk duhet të themi, që kanë hyrë poshtë një milionshit. Por, një gjë është e sigurtë, zonja turiste, nga soji juaj, domethënë turistë, puro turistë, nga Evropa, kanë hyrë plotë pesë mijë. Të tjerët, domethënë ata mbi një milionë,  kanë hyrë sipas një numërimi që e bëjmë ne në Shqipëri.

– Ç’është kjo mënyrë? – pyeti turistja.

– Po ja, 300 mijë kosovarë hynë gjatë muajit gusht, nga Muriqani dhe Hani i Hotit dhe pasi përshkuan gjysmën e Shqipërisë, kaluan në Kosovë. Të gjithë këta janë emigrantë që banojnë me ju në Evropë. Kur këta 300 mijë mbërritën në Kosovë, 300 mijë të  tjerë, që mbaruarn pushimet, u rikthyen nga Kosova, drejt vendeve ku kanë migruar. Pra 300 mijë plus 300 mijë, bëjnë 600 mijë. Ja ku  ikën 600 mijë.
Të tjerët, që plotësojnë një milionshin dhe diçka më shumë, janë emigrantë shqiptarë, që hyjnë nga Durrësi, Vlora dhe Rinasi, për të takuar familjet dhe me këtë rast, për të marrë një faqe diell. Ja ku u bënë një milion. Ç’dalin mbi një milionë jeni ju, turistët e vërtetë, që ose ju ndjek Mihal Kokëdhima, ose bini nga shkallët dhe në çdo rast,  vij unë dhe ju jap këto karafilat qeveritarë.

/TPZ.al/Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Avokati i ditur Ngjela bën copa copa kryeministrin grek Mitsotakis

Avokati shumë i ditur dhe shumë i njohur, Spartak Ngjela, në këto ditë të fundit të kësaj vere të nxehtë,...

Close