X

Rama: Të dorëhiqen drejtuesit lokalë në Shkodër; Bushati: Do të zhvendosë vëmendjen


Fshehja e së shkuarës kriminale të Valdrin Pjetrit ka shtyrë Kryeministrin Rama që në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste të vendosë për riformatimin e degës së saj në Shkodër, ose siç e cilëson Zëri i Amerikës “shkrirjen e strukturave aktuale atje”.

Valdrin Pjetri u tërhoq nga pretendimi për të marrë postin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër pasi Partia Demokratike vërtetoi se ai kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos treguar për një dënim të marrë në Itali në vitin 2000.

Pjetri ishte gjithashtu kryetar i PS në Shkodër, i vendosur në këtë detyrë nga Kryeministri Rama pasi largoi Ditmir Bushatin.

Pasi faktet për Pjetrin ishin të pakundërshtueshme Rama ndryshoi qëndrim duke ia ngarkuar të gjitha përgjegjësitë atij.

Sidoqoftë në mbledhjen e Kryesisë, ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kritikuar drejtimin e Ramës duke folur për një fenomen dhe jo më rast individual:

“Ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta trajtuar këtë fenomen dhe për ta shfarosur atë. Gabimet që kemi bërë në të shkuarën kur njerëz me të kaluar të dyshimtë, i përjashtuam nga radhët tona, u përshëndetëm publikisht nga SHBA, fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrëse. Dhe sot na duhet të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve”.

Përveç riformatimit të strukturave të PS në Shkodër, Rama ka kërkuar edhe dorëheqjen e të gjithë drejtuesve meshkuj të institucioneve lokale atje.

Këtë kërkesë të Ramës dhe riformatimin e strukturave të partisë, Bushati e ka cilësuar si “përpjekje për të zhvendosur vëmendjen me shkarkime në masë të njerëzve që nuk kanë lidhje dhe fajësi për situatën e krijuar”.

Ish-Ministri i Jashtëm citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se si politikanë, ata kanë përgjegjësinë për të hapur debat “për të trajtuar rrënjët e këtij fenomeni dhe jo thjesht për të menaxhuar pasojat”.

More in AKTUALITET, LAJME, NË FOKUS
Minj e merimanga në miell, grurë e misër, AKU mbyll biznesin në Fushë Krujë

AKU njoftoi sot se ka gjobitur me mbi 3 milionë lekë dhe e ka bllokuar një biznes në Fushë Krujë...

Close