X

Socialistët luftë “të fortëve”, kryebashkiaku i Beratit tregon muskujt…me delet e qytetit

Këmborët e bagëtive nuk do të dëgjohen më në brigjet e lumit Osum pranë urës së Goricës. Kryetari i ri bashkisë, Ervin Demo i ka shpallur luftë qytetarëve të Beratit që mbarështojnë bagëti të imta dhe kullosin tufat e tyre pranë zonës së banuar.

“Pas fazës së njoftimeve, grupi i punës ka vendosur sanksionet e para ndaj atyre që vazhdonin të pashqetësuar të mbanin dhe kullosnin bagëtitë e tyre brenda në qytet,” deklaroi Demo nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook. “Nuk janë fjalë, nuk është aksion, është vendosmëri për një pamje të denjë urbane të Beratit,” shtoi ai, duke e shoqëruar postimin me një ‘emotikonë’ muskujsh.

Bashkë me njoftimin kryetari i baskisë Berat ka postuar edhe një fletë gjobe me vlerë 20 mijë lekë, sanksion i dhënë kundër një qytetari për mbarështim të bagëtive në zonë të banuar.

Sanksionet e vendosura nga bashkia mbështeten në vendimin e Këshillit Bashkiak, nr.11, i datës 20 janar 2016, për miratimin e shkeljeve që përbëjnë kundravajtje administrative.

Sipas gërmës ‘g’ të këtij vendimi, në territorin e bashkisë Berat ndalohet mbajtja në ambiente publike ose private e bagëtive, gjedh ose të imta, shpendëve, lepujve dhe bletëve. Çdo konstatim përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë 20 mijë lekë.

I njëjti vendim ndalon dhe mbajtjen e kafshëve shtëpiake të paresgjistruara dhe çdo kundravajtje e ndëshkon me 10 mijë lekë gjobë. Ndërsa për ato që i quan ‘kafshë luksi’ si qen dhe ari, bashkia e Beratit ndalon mbajtjen dhe lëvizjen e tyre në hapësirat publike pa masa mbrojtëse.

Edhe pse masat mbrojtëse për qentë mund të imagjinohen, vendimi nuk e bën shumë të qartë se çfarë masash mbrojtëse duhet të marrin beratasit kur t’i shëtisin ‘arinjtë’ e tyre nëpër kalldrëmet e qytetit.

Ndërkohë, pas bagëtive Demo ka paralajmëruar se së shpejti do sjellë zgjidhjen e duhur edhe për qentë e rrugës.

“Puna vazhdon…” përfundoi kryebashkiaku.

/Reporter.al

More in AKTUALITET, LAJME
Transportonin 1477 litra naftë kontrabandë me jaht nga Saranda, shkatërrohet banda ruse

Shtatë persona janë vënë në pranga, pasi akuzohen për kontrabandë ndërkombëtare. Mësohet se në pranga kanë rënë disa shtetas rusë...

Close