X

Zëri i Amerikës: Polemika mbi hetimin e zgjedhjeve në Dibër


Kalimi i dosjes nga Krimet e Rënda te Prokuroria e Dibrës çoi në përplasje mes tyre. Shkak u bë vendimi i Prokurorit të çështjes Klodian Braho për të shpallur “moskompetencën” për procedimin penal të nisur që prej tre vjetësh, pasi më parë ka ndryshuar cilësimin juridik të një prej veprave penale për të cilat është rregjistruar ky procedimi atë të “Grup i strukturuar kriminal”, në “Bashkëpunim të thjeshtë”.

Prokuroria e Dibrës ka kundërshtuar kalimin e dosjes pranë saj, dhe në kushtet e kësaj përplasjeje, ka qenë Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku e cila ka marrë vendimin përfundimtar. Zonja Marku ka dhënë të enjten një shpjegim të gjatë të situatës së krijuar. Një nga arsyet e kundërshtimin nga Prokuroria e Dibrës ka qenë se “prokurori duhet t’i ishte drejtuar gjykatës për pushimin e akuzave dhe jo të procedonte me ndryshim të cilësimit juridik”. Por sipas kryeprokurores “nga shqyrtimi i akteve nuk rezulton që prokurori të ketë ngritur akuza për ndonjë prej personave nën hetim dhe për këtë arsye nuk ka qenë e nevojshme t’i drejtohej gjykatës me kërkesë për pushimin e tyre. Megjithatë, pavarësisht se ndryshimi i cilësimit juridik është bërë nga prokurori pa u shprehur gjykata në lidhje me këtë, kontrolli i gjykatës është i pashmangshëm pasi çështja nuk mund të zgjidhet pa kaluar nëpërmjet filtrit të gjykatës, cilado qoftë ajo”. Por zonja Marku saktëson se ajo vetë “nuk e ka kompetencën që të shfuqizojë aktet, urdhrat apo vendimet e prokurorit të çështjes”.

Një tjetër arsye e refuzimit nga ana e Prokurorisë së Dibrës ka të bëjë me faktin se prokurorët e saj “janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk mund ta hetojnë çështjen në fjalë”, për shkak të lidhjeve farefisnore apo njohjeve me personat e dyshuar. Sipas kryeprokurores “nëse të gjithë prokurorët që ushtrojnë funksionin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër do e gjejnë veten në kushtet e konfliktit të interesit dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës dhe këtë do e shprehin me dorëheqje, kjo është një situatë që i duhet njoftuar menjëherë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili mund të caktojë përkohësisht një prokuror tjetër për hetimin e çështjes në fjalë”.

Zonja Marku nuk e ka vlerësuar gjithashtu të drejtë pretendimin e Prokurorisë së Dibrës për “mungesë stafi të mjaftueshë për të përballuar këtëçështje”. Sipas saj “ky është një problem i burimeve njerëzore dhe mënyra se si ato menaxhohen dhe shpërndahen ka karakter administrativ dhe nuk mund të jetë argument në favor të mosushtrimit të ndjekjes penale apo të mungesës së kompetencës lëndore”.

Shpjegimi i kryeprokurores jep ndërkohë disa detjae të reja. Së pari faktin që pas tre vitesh janë zbardhur me fund të gjithë përgjimet e bëra. Dhe së dyti se “disa prej personave nën hetim dyshohet se kanë kryer veprat penale të “Dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve”, si dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim. Persona të tjerë nën hetim, emrat e të cilëve nuk mund të bëhen publikë për shkak të sekretit hetimor, dyshohet se kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit te detyrës”, “Dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve”, si dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim”

Dosja e zgjedhjeve të Dibrës, tërhoqi vëmendjen pas publikimit të një pjese të përgjimeve të Prokurorisë fillimisht nga Zëri i Amerikës dhe Birn, e më pas, fragmente shumë më të zgjeruara të bisedave, dhe audio, nga gazeta gjermane Bild, të cilat ngritën dyshime për implikim të drejtuesë të institucioneve lokale dhe strukturave partiake socialiste, deri dhe të zyrtarëve të lartë të kësaj partie.

Opozita reagoi me forcë ndaj vendimit për zhvendosjen e hetimeve nga Krimet e Rënda. Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi direkt të enjten kryeprokuroren Marku dhe drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela se po I shërbejnë kryeministrit Edi Rama. “Me veprimet që kanë ndërmarrë, të dyja janë penalisht të ndëshkueshme nga ligji, s’kanë bërë asgjë më pak e asgjë më shumë sesa shpërdorim detyre me qëllim mbulimin e një vepre të rëndë kriminale, siç është ngritja e një grupi të strukturuar kriminal, me përfshirje të politikanëve më të lartë të Partisë Socialiste, të kriminelëve më të rrezikshëm në Shqipëri, të oficerëve më të lartë të Policisë së Shtetit dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vjedhur zgjedhjet në Dibër. Pra, të dyja, prej këtij momenti, duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre”, u shpreh zoti Basha. Edhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi të enjten se sipas tij bëhet fjalë për një veprim “të qëllimshëm që synon bllokimin e dosjes hetimore”./ VOA

More in AKTUALITET, LAJME
Pamje të dhimbshme/ Zjarri ‘pushton’ Shëngjinin, pushuesit braktisin plazhin

Pamje dhe informacione të tmerrshme vijnë në redaksinë e Faxëeb.al lidhur me djegien masive të pyjeve, kullotave dhe ullishteve në...

Close