X

PDK-ja e zyrtarizon, Kadri Veseli në garë për kryeministër

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, në mënyrë unanime sot ka zgjedhur Kadri Veselin si kandidat të PDK-së për kryeministër.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, në një konferencë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, tha se Kadri Veseli është personalitet i dëshmuar, njëri nga themeluesit e UÇK-së, një njeri që ishte i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ne zgjodhëm një njeri që jep shpresë për ta ndërtuar një të ardhme këtu. Zgjodhëm njeriun që mund ta udhëheqë një luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Kadri Veseli tashmë ka vepruar kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Ai ka bërë reforma të guximshme, duke nisur nga brenda PDK-së. Sepse, për ta ndryshuar vendin duhet që ndryshimin ta fillojmë nga vetvetja. Ne e kuptojmë se janë bërë gabime në të kaluarën. E kuptojmë që kjo ka bërë që shumë qytetarë ta humbin besimin në politikë. Sidoqoftë, mos harroni, politika e gabuar ka shkaktuar probleme, por politika e duhur është mënyra e vetme për t’i zgjidhur ato”, ka thënë Kuçi.

Ai shtoi se PDK ka bërë shumë për vendin dhe se njerëzit e kësaj partie kanë udhëhequr luftën për liri, procesin e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratiik.

“Kadri Veseli tash po bën ndryshimin e shumëpritur. Duke vendosur një standard të ri etik, ka larguar nga pozitat të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucione, të cilët kishin aktakuza. Ai ka mirëpritur në parti me mijëra të rinj dhe gra. Kadri Veseli ka emëruar persona të rinj dhe premtues në postet e ministrave dhe secili prej tyre ka bërë punë të mrekullueshme dhe një luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit. Jemi shumë krenarë për kryeministrin tonë – që është i vetmi që guxon ta luftojë korrupsionin dhe ka vendosmërinë për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe për vendin”, ka thënë Kuçi.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka shtuar se tani në kohë zgjedhjesh të gjithë flasin për luftën kundër korrupsionit, por vetëm ne e kemi guximin dhe vendosmërinë për ta bërë këtë. Ai foli edhe për problemin e korrupsionit, ndërsa iu përgjigj kritikëve duke thënë se ata që akuzojnë kanë në organikën e tyre figura të dyshimta.

“Teksa partitë tjera po rekrutojnë njerëz që kanë probleme me ligjin, lista jonë për deputetë do të jetë me kandidatë pa aktakuza. Asnjë nga drejtuesit e partive të tjera nuk e ndoqi shembullin e Kadri Veselit për t’i larguar njerëzit me aktakuza. Madje shumë kohë para se të dihej për zgjedhjet Kadri Veseli bëri hapa konkretë dhe ndërmori veprime të guximshme. Mori iniciativën për hetimin e abuzimit të listave me veteranët dhe liroi pronat publike të uzurpuara”, u shpreh Kuçi.

More in BALLKAN, LAJME
Vdes një nga njerëzit më të pasur të botës me një pasuri marramendëse dhe ndikim të gjerë

Miliarderi konservator David Koch, i cili u bëri emër në SHBA përmes perandorisë së tij ekonomike dhe politike, bashkë me...

Close