X

DETAJE/ Dosja “184” pse Krimet e Rënda shpallën moskompetencë, hetimet në Dibër


Me argumentin se nuk janë konstatuar elemente të grupit kriminal dhe se krimet zgjedhore nuk janë në kompetencën e tyre, Prokuroria për Krime të Rënda dërgoi dosjen “184” në Prokurorinë e Dibrës për hetime të mëtejshme.

Vendimi për shpallje e moskompetencës është firmosur nga prokurori Klodian Braho në muajin korrik, ndërsa mësohet se fillimisht Prokuroria e Dibrës nuk e ka pranuar dhe ka ngritur konfliktin e kompetencës, duke e dërguar çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit, i ka dhënë zgjidhje, duke e dërguar përfundimisht në Dibër.

Dosja 184, e njohur gjerësisht si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 2016-ës, shkaktoi debate në opinionin publik disa muaj më parë, pas përgjimeve të publikuara nga media gjermane “Bild”, ku rezultonin të përfshirë zyrtarë të lartë.

Pas zhurmës mediatike, Prokuroria për Krime të Rënda që e kishte prej tri vitesh nën hetim, e ka dërguar për vazhdimin e hetimeve në Prokurorinë e Dibrës, vend ku edhe dyshohet se janë konsumuar veprat penale për të cilat është regjistruar procedimi.

KONFLIKTI I INTERESIT

Prokuroria e Dibrës ka në përbërjen e saj 3 prokurorë, drejtuesja Esmeralda Keshi, zëvendësdrejtuesi Rifat Kojku dhe prokurorja Belina Zeneli. Drejtuesja Keshi, duke u gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, nuk mund të marrë këtë dosje për hetim, çka do të thotë që do të hidhet një short mes dy prokurorëve të tjerë. Keshi ka shpallur konfliktin e interesit, për shkak të lidhjeve familjare me një prej personave që kanë rezultuar në përgjime, Arben Keshin.

HETIMET

Hetimet për dosjen 184 kanë nisur në vitin 2016, pas akuzave publike të bëra nga opozita për vjedhjen e votave gjatë përsëritjes së procesit zgjedhor në Dibër. Kujtojmë se pas një skandali seksual, dha dorëheqjen drejtuesi i bashkisë në atë kohë, Shukri Xhelili.
Prokuroria vuri nën përgjim një sërë numrash në atë kohë, ndërsa hetimet u zgjatën në kohë për një periudhë prej 3 vitesh, ku nga rezultati, duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka kryer asnjë veprim tjetër hetimor përveç përgjimeve.

Pas publikimit të këtyre përgjimeve, Prokuroria u vu në lëvizje duke thënë se janë duke u transkriptuar përgjimet dhe Prokuroria do të dilte me një vendim përfundimtar, që ishte regjistrimi i procedimit për krime zgjedhore dhe dërgimin në Prokurorinë e rrethit.

KOMPETENCA E KRIMEVE TË RËNDA

Veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara nga nenet 325 deri në 332 të Kodit Penal, nuk rezultojnë në listën e veprave penale që ligji i parashikon Prokurorisë për Krime të Rënda të hetojë.

Në kushtet kur në këto vepra penale, nuk konstatohet të jenë kryer në kuadër të grupit kriminal, ato janë vepra penale që hetohen dhe gjykohen në prokuroritë dhe gjykatat e rretheve ku dyshohet se ka ndodhur vepra penale.

Duke përfshirë, “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Falsifikimi dhe dëmtimi i materialit zgjedhor”, “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

PËRGJIMET E BILD

Gazeta gjermane ‘Bild”, publikoi pak kohe me pare 16 përgjime të reja, në lidhje me skandalin e blerjes së votave në Shqipëri.

Përgjimet e publikuara janë pjesë e dosjes 184 të prokurorisë, për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër.

Sipas “Bild”, përgjimet tregojnë se ka pasur një plan sistematik nga Partia Socialiste e kryeministrit Rama, për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2017.

Në përgjimet e publikuara del emri i kryeministrit Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-deputeti Pjerin Ndreu, ish-deputeti Artan Gaçi, drejtor në ministrinë e Brendshme, Arben Keshi, shefi i komisariatit numër pesë në Kamëz, Sali Skura si dhe drejtori i zyrës arsimore të Dibrës, Drini Gjeçi.

More in AKTUALITET, LAJME
“Shuplaka” e Bankës Botërore: Shqipëria, kampione e “borxhit të lartë publik”

Shqipërisë dhe Malit të Zi do t’i duhet më shumë angazhim për zbatimin e rregullave fiskale që vendosin dhe që...

Close