X

Historia/ Fundi i paralajmëruar i “Dosjes 184” për vjedhjen e votave të Dibrës

Prej 3 vitesh “Dosja 184” është lakuar pafundësisht në politikën shqiptare dhe jo vetëm. Ajo që duhet të ishte “bomba” që plaste në duart e qeverisë u kthye këtë të mërkurë të nxehtë gushti në një çështje banale.

Bëhet fjalë për hetimet për shitblerje votash në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Dibrës që u zhvilluan në 11 qershor 2016. Gjithçka nisi pas shkarkimit të kryebashkiakut Shukri Xhelili i cili u përfshi në një skandal seksual me publikimin në media të një videoje ku ai i kërkon favore seksuale një vajze të re të cilës i premton vend pune në administratë.

Në ato zgjedhje Partia Socialiste garonte me doktorin Muharrem Rama ndërsa demokratët kishin vënë përballë një emër të njohur, deputetin Sherefedin Shehu. Pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve, Partia Demokratike bëri një kallëzim penal në Prokurori duke ngritur akuza për zyrtarë lokalë dhe të policisë së Dibrës të cilët sipas saj ishin përfshirë në pazare me blerjen e votave, por edhe presione për marrjen e tyre.

Që në atë kohë ishte vënë re se si e gjithë makineria shtetërore ishte angazhuar për të fituar një bashki që historikisht ishte drejtuar nga e djathta dhe vetëm pas përçarjes së saj ishte marrë nga socialistët. Që në atë kohë u përfolën personazhe me të kaluar kriminale, që kërkonin me çdo kusht dhe me çdo formë të fitonin zgjedhjet.

Në terren kishin zbritur më herët agjentë të SHISH ndërsa me nisjen e hetimeve drejt Dibrës së largët udhëtuan edhe Oficerë të Policisë Gjyqësore. Prokurori Gentian Trenova që drejtonte hetimet kishte urdhëruar edhe vendosjen nën përgjim të rreth 20 numrave të telefonit të zyrtarëve lokale dhe disa emrave të lakuar si biznesmeni Ymer Lala.

Zgjedhjet nxorën bindshëm fitues mjekun socialist Muharrem Rama, por pak ditë pas shpalljes së rezultatit Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën.

Këto përgjime që gazeta gjermane “BILD” i botoi në pranverën e 2019-ës i ka pasur në dorë prokurori Trenova (tashmë i shkarkuar nga Vetingu) që 3 vjet më parë. Trenova nuk bëri asnjë lëvizje duke e mbajtur dosjen në sirtar. Nuk do të kalonin vetëm pak muaj nga nisja e hetimeve dhe kryeprokurori Adriatik Llalla do ta largonte Trenovën nga kjo çështje duke e kaluar atë në Prokurorinë e Apelit të Tiranës.

Çështja do t’i mbetej përkohësisht drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Edhe ky nuk dihet të ketë bërë ndonjë lëvizje më shumë. Më pas çështja i kaloi një prokurori të ri, siç ishte Klodian Braho.

Braho e mbajti këtë çështje për gati 3 vjet dhe nuk bëri asnjë lëvizje derisa BILD publikoi një pjesë nga 60 disqet me përgjime. Çështja u “varros” edhe më shumë teksa në krye të prokurorisë kishin ardhur Arta Marku dhe Donika Prela.

Pavarësisht akuzave të vazhdueshme të opozitës për zvarritje të hetimeve, organi i akuzës nuk bëri asnjë hap.

Në qershor 2019, gazetari gjerman Peter Tiede publikoi një pjesë të përgjimeve ku ishte “peshkuar” i pari kryeministri Edi Rama që personalisht telefononte një “të besuarin” e tij në Dibër “nëse e kishte realizuar planin”.

Në dhjetra telefonata të tjera dilte ministri i kohës i transporteve Damian Gjiknuri që flet me Ymer Lalën dhe biznesmenë të tjerë ku flet “për transport të çunave jo dhe aq të sjellshëm” por edhe të parave. E famshme gjithashtu është bërë edhe batuta e Gjiknurit me Lalën se kishin “bërë tërmet në Dibër”, citon lapsi.al.

Në një tjetër telefonatë flet ministri i Brendshëm Saimir Tahiri që me një gjuhë krejtësisht banale i kërkon shefit të policisë lokale të “mos e rruajë k*rin” për ato që thuhen. Me të njëjtën gjuhë banale flasin edhe deputetë të tjerë si Ulsi Manja dhe Xhemal Qefalia.

Më e rëndë ishte një telefonatë e deputetit Pjerin Ndreu që kërkon të “deklarohet hapur vota për PS-në”.
Skandaloze edhe përgjimet se si Lala flet me bashkëpunëtorë të tij ku ofroheshin para në këmbim të votës, kërcënoheshin banorë të zonës ose merreshin kartat e identitetit për ata që nuk konsideroheshin të besuar.

Të gjitha këto nuk e bindën prokurorin Klodian Braho. Pas skandalit të bërë tashmë publik nga Bild ai bëri sikur u vu në lëvizje. U morën në pyetje disa nga personat që kishin dalë në përgjime, por vetëm kaq. 3 ditë përpara se të shkonte me pushime prokurori i krimeve të rënda e përcolli pa zhurmë drejt Dibrës një nga dosjet më të bujshme të manipulimit të dyshuar të votave.

Prokurori i çështjes ishte kapur pas një kleçke se “nuk kishte gjetur elementë të grupit të strukturuar kriminal dhe se për akuzën e “manipulimit në zgjedhje” duhet të ishte vënë në lëvizje prokuroria e rrethit. Braho kishte shpallur moskompetencë.

“Argumenti i prokurorit në shpalljen e moskompetencës është se nuk ka grup të strukturuar kriminal, por krime të dyshuara në fushën zgjedhore, të cilat nuk janë në kompetencën e hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, – i tha Prela në një bisedë telefonike BIRN, citon lapsi.al.

Sipas të njëjtave burime, prokuroria e Dibrës e refuzoi fillimisht hetimin e çështjes dhe pasi shpalli konflikt kompetence, e ktheu atë pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Pingpongu mes dy institucioneve u mbyll me ndërhyrjen e prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, e cila vendosi që pavarësisht pretendimeve, çështja duhet të hetohej nga Prokuroria e Dibrës.

Por Prokuroria e Dibrës ka mbetur aktualisht me vetëm tre prokurorë për shkak të vetingut dhe transferimeve. Vetë drejtuesja e Prokurorisë, Esmeralda Keshi Cami ka deklaruar tashmë konfliktin e interesit për shkak të lidhjeve familjare me njërin prej të akuzuarve kryesorë të çështjes, Arben Keshin.

Edhe prokurorët e tjerë mësohet se kanë bërë rezistencë për shkak të njohjeve me personat e akuzuar, por pas vendimit të kryeprokurores Marku, çështja pritet të ndahet mes zv.drejtuesit të prokurorisë, Rifat Kojku ose prokurores Belina Zeneli.

Transferimi i çështjes në prokurorinë periferike të Dibrës tashmë ka varrosur përfundimisht shpresat për të parë “peshq të mëdhenj” në bankën e të akuzuarve. /LAPSI.al

More in AKTUALITET, LAJME
I vihet zjarri masivit me mbeturina, rrezikohen banesat

Persona të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin një masivi me mbeturina. Si rezultat i përhapjes së flakëve të zjarrit, rrezikohen...

Close