X

Kujt po i shkojnë 11 milionë eurot e Polit të Drejtësisë?


Nga Klodian Tomorri

Në vitin 2013, qeveria i dha Dhomës Kombëtare të Avokatisë, 25 mijë metra tokë shtetërore falas pranë fushës së Aviacionit.

Sipas vendimit, toka u dha me qëllim ndërtimin e Korpusit të Avokatisë dhe nuk lejohej ndryshimi i destinacionit.

Dhoma e Avokatëve e ndërtoi Pallatin. Se me çfarë çmimi dhe se me çfarë parash e financoi, kjo nuk dihet, pasi Dhoma Kombëtare e Avokatisë është një OJF dhe jo institucion publik.

Nën zë flitet se e gjithë ndërtesa ka kushtuar 2 milionë euro, por ky është informacion i pakonfirmuar, sepse nuk është publik.

Tani pallatin e ndërtuar mbi tokën e falur shtetërore, qeveria po e blen si zyra për institucionet e reja të drejtësisë.

Çmimi i blerjes edhe ky ende jo publik, flitet se është caktuar 11 milionë euro.

Pra, 11 milionë euro do të paguajnë qytetarët shqiptarë për Dhomën e Avokatisë, për një pallat të ndërtuar në tokë të falur shtetërore.
1- Kujt po i shkojnë paratë?
2 – Si do të përdoren ato?
3 – Pse u shkel vendimi i qeverisë, që ndalonte shprehimisht ndryshimin e destinacionit për pronën e falur?
4 – Me ç’bazë ligjore është blerë prona?

Sepse ligji nuk e lejon qeverinë të blejë prona private sipas qejfit, por e ka kushtëzuar vetëm me shpronësimet.

Edhe këto, me çmime të përcaktuara dhe vetëm kur përdoren për vepra publike, që kanë rëndësi të veçantë.

Nuk e lejon njeri qeverinë të blejë prona private si të dojë, sepse po të ishte ashtu, Buxheti i Shtetit do të masakrohej nga pazaret.

Ky transaksion ka pikëpyetje të mëdha dhe shumë anë të errëta.

Është biznes i rëndë, që do të plasë shumë shpejt në publik.

Boll më me institucione hibride, që ngrihen për të devijuar paratë e taksapaguesve në llogari të paqarta dhe me mekanizma të dyshimtë.

Sepse po na del Dhoma e Avokatisë si biznes ndërtimi, që merr troje publike falas dhe fiton miliona euro.

Ç’janë këta?

More in AKTUALITET, BLOG, LAJME
Eksod total, Kukësit i largohet një tjetër titullar!

Superkupa e Shqipërisë konfirmoi se Kukësi nuk është ende gati për një sezon të gjatë dhe si gjithnjë me objektiva...

Close