X

A do t’a inagurojë Uriahu (Erion Veliaj) rrugën e vdekjes?

Nga Ermal Mulosmani

Dje një lajm i tmerrshëm na kujtoi se ndër ne ka akoma heronj që kacafyten me vdekjen në kërkim të bukës së përditshme. Ne kemi shumë vanitet, dembelhane, intriga, korrupsion, mafiozë,  nacionalizëm fals e gjithfarë cikërrimash që na e kthejnë jetën në një farë telenovele a reality show. Mbetemi në qerthullin e lajmeve pa kuptim që na lajmërojnë edhe për mbesën e vogël të Noizy-t apo ditëlindjen e babait të Bleonës derisa vjen një lajm tronditës si ky i djeshmi.

Dy burra të rinj, 31 dhe 36 vjeç bien nga skela dhe humbasin jetën. Më falni, nuk bien ata nga skela, bie skela mbi ta dhe u merr jetën!

Me siguri ata dy burra të rinj kishin vite përvojë në atë zanat. Kërkova emrat e tyre në FB dhe Instagram por sigurisht nuk i gjeta. Kërkova foto të tyre në google por më dolën veç policë, skela pallatesh, skela Syla, ambulanca, njerëz të grumbulluar pranë një aksidenti…

Ata nuk kanë FB as Instagram. Madje ata nuk kanë as foto…Ata janë vetëm emra dhe numra!

Më e trishtueshme se vdekja e tyre është pasvdekja! Në kronikën e lajmeve mjaftohen me emrat dhe me faktin që ishin të pasiguruar! Po, po, kjo është shumë e rëndësishme të theksohet sipas gazetarëve, ata ishin të pasiguruar. Domethënë, pas vdekjes së tyre, familja nuk përfiton asgjë! Nuk jepej ndonjë informacion se çfarë familje kishin, sa fëmijë kishin, as ndonjë foto. Jo, asgjë tjetër.

Ergysi dhe Orjani janë numra.

Ata rrinë në “Omonian” shqiptare, sheshin “Partizani i panjohur”. Në fakt epiteti i panjohur i shkon shumë atij sheshi. Por, më i saktë do të ishte “Punëtori i Panjohur”! Banorët e atij sheshi janë të pasiguruar. Ata as nuk guxojnë ta përmendin siguracionin. Më guximtari prej tyre e përmend në biseda me shokë orëve të gjata të pritjes: “Në botë edhe punëtorët si ne janë të siguruar. Kompanitë u paguajnë siguracionet dhe ata në njëfarë moshe dalin edhe në pension”. Shoku në krah buzëqesh idhshëm. “Ëndrrat janë falas” -duket se thotë ajo buzëqeshje… “Është si të kërkojë ëmbëlsira në luftë. Lufta është luftë vëlla, nuk ka vend për ëmbëlsira”

Në atë shesh hallesh, hallexhinjtë më  të mëdhenj të Tiranës  zbresin qëmenatë me shpresën migjeniane të bukës së përditshme. Bisedat e mëngjesit janë të bollshme sa janë edhe shpresat. Ka edhe humor e barcaleta. Por, me kalimin e kohës shpresat mpaken derisa shuhen pas orës 12.00… Atëherë fillon halli i kthimit në shtëpi. Kthimi i drobitur në banesën ku presin gruaja me fëmijtë, gjithashtu me shpresë se diçka e mirë do të vijë bashkë me babain… Por e dallojnë nga ecja me brengë dhe trasta në shpinë që punët nuk kanë shkuar si duhet. Punëtorin e panjohur nuk e lodh puna, e lodh pritja. Ai është më i lodhur atë ditë sesa kur vjen pas një pune që do kishte lodhur çdo kalë. Se në fund të asaj dite do të mund të shikonte shkëlqimin e syve të fëmijëve të tij, të gruas…

Dje Orjani dhe Ergysi ishin as fort të gëzuar e as fort të mërzitur. Ishte dita e fundit, kishin për të çmontuar skelën nga pallati 13 katësh ku banonte ZV/Kryeministri. Ndërkohë që punonin edhe lëshonin ndonjë romuz për zv/Kryeministrin, Berishën, Ramën,  për Tunën, Çiljetën, Messin, Ronaldon. Njëri tregonte që në botë ka edhe pushime në det të kaltër e rërë si miell, i kishte parë në televizor. Tjetri i mallëngjyer mendonte se në këtë jetë me siguri i është caktuar nga fati të jetë i vuajtur por, në një jetë tjetër, me siguri do të jetë nga ata që bëjnë pushime në Bora Bora apo Karaibe….

Kur fap, një lëvizje e lehtë nën këmbë ia ndërpreu fantazinë… Nga një lartësi 30 m skela fillon e shembet. Një karakatinë hekuri e ndryshku, që duket sikur ka dalë nga rrënojat mijëravjeçare nga fundi i një oqeani, shkërmoqet si fije shkrepseje. Orjani dhe Ergysi fluturojnë në ajër dhe hekurishtet ua marrin edhe atë grimë shpirt që u kishte mbetë pas rënies.

Zv. Kryeministri para tre ditësh na bënte qerpaze nja dy firma ndërtimi për bllokimin e trotuareve afër pallatit të tij. Me gjithë të drejtën e Zotit! Sot u futa në Instagramin e tij për të parë çfarë thoshte për shpirtin e Orjanit dhe Ergysit. Gjeta një panoramë nga Çerma e Lushnjës që e mahniste. Dreqin! Mirë Çerma po të varfrit e vdekur punëtorë? Thuaje një fjalë z. Zv/Kryeministër, bjeru fajtorëve, dikush ka faj për këto vdekje…Ata punëtorë vdiqën shumë afër banesës tënde, ndoshta edhe të kanë përshëndetur ndonjë ditë.

Nejse, thashë po kaloj nga Uriahu, mbase ka një qëndrim andej nga faqja e tij. Uriahu na jepte një pamje të qetë të Tiranës me diçiturën “Pamje e paqtë nga Liqeni” me mjellma, shtërvane e gjelbërim në një muzg si në ëndrrat e punëtorit tonë të vdekur…Pak përpara këtij postimi, vetëm 1 orë pas vdekjes së dy punëtorëve, ishte një postim tjetër edhe më kontravers! Uriahu ishte me banorët e rrugës “Thanas Ziko”, i përqafonte, fotografohej, sillte fotot “Si ishte” dhe “si u bë” sipas modelit të Zeusit të tij Kryeministër. Po çfarë kishte bërë Uriahu që po e inaguronte me kaq pompë?

Në bashkëpunim  me komunitetitn e kësaj rrugë kishte restauruar fasadën e një pallati. Pra, në bashkëfinancim 50% me fondet e banorëve, kishin zgjedhur një kompani që ua kishte restauruar fasadën. Mundet të ishte edhe Skela Syla, mundet që edhe aty të kenë punuar Ergysi me Orjanin. Por ata nuk u thirrën në inagurim…Ata sapo kishin dhënë jetën në një tjetër pallat, me të njëjtin qëllim…

Uriahu e dinte, aksidenti kishte ndodhur. Por Uriahu e ka të pamundur të heshtë, të rrijë një ditë pa foto. Qoftë kjo edhe në nderim të viktimave të tij.

Të shohim nëse Uriahu do ta inagurojë rrugën “Faik Konica”. /Gazeta Express/

More in IDE, LAJME
Shembja e skelës/ Punëtori që mbijetoi tregon detaje nga ngjarja: Isha varur nga bluza te…

Tre punëtorët që morën plagë të rënda nga shembja e skelës ditën e djeshme nga pallati 13 katësh në rrugën...

Close