X

“Nuk e dija se isha dënuar”/Ja si ngjajnë si dy pika ujë, dorëheqjet e Valdrin Pjetrit dhe Elvis Roshit 


Valdrin Pjetri dhe Elvis Roshi, betohen se nuk kanë patur dijeni, që kanë qenë të dënuar. Të dy betohen se janë të pafajshëm, për veprat penale për të cilat janë dënuar. Për koiçidencë, të dy këta rilindas janë dënuar në Itali.

Për ta bërë të besueshme pafajësinë e tyre, ata paraqesin si provë, moshën e tyre të re, në kohën e kryerjes së aktivitetit kriminal.

Të dyja dorëheqjet, si ajo e Valdrin Pjetrit dhe ajo e Elvis Roshit, ngjajnë si dy pika ujë.

Dhe si gjithmonë edhe në këto dy raste, i vetmi njeri që nuk di absolutisht asgjë, është Edi Rama.

Duket sikur dorëheqjet në Rilindje, i shkruan e njëjta dorë e vogël, në një trup edhe më të vogël.

Lexoni dy dorëheqjet e mëposhtme:


LETRA E DORËHEQJES SË VALDRIN PJETRIT:

Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi….

Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës.

Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.

Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem.

Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë!

Ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai.

Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua.

Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj !


LETRA E DORËHEQJES SË ELVIS ROSHIT:

U bënë vite që mbi mua hidhen papushim akuza sikur jam kriminel, trafikant dhe gjithë të zezat. Unë u mësova me këto që për mua u kthyen në energji plus për të fituar zgjedhje dhe ndryshuar Kavajën. Po familja ime nuk e ka të lehtë asnjëherë me këtë sulm papushim. Me vjen tmerrësisht keq për shqetësimet që iu ka shkaktuar kjo histori.

E kam ditur se këtë punë do kisha me Partinë Demokratike, qysh ditën e parë që shporra Sali Berishën dhe ordinerët e vet nga Kavaja që e zhytën në zhul dhe mjerim njëzet vjet rresht. Arsyeja e vërtetë e sulmeve të tyre ndaj meje ka qenë kjo dhe s’ka për të ndryshuar asnjëherë. Po sot unë kam një arsye shumë më të fortë se kjo për të lajmëruar dorëheqjen time!

Që në momentin kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, u lidha me avokatët e mi që të siguroja përgjigje me dokumente ndaj çdo sulmi te Shqup-it për jetën time në emigracion. Të gjitha dokumentet që mora nga të gjitha shtetet ku ka kaluar rruga ime e emigrimit, provojnë qartësisht atë që unë kam thënë: Asnjëherë i dënuar askund, përveçse i përzënë si dhjetëra mijëra shqiptar në vitet e para të emigracionit për probleme dokumentesh.

Kam ikur fëmijë nga Kavaja dhe kam kaluar vështirësi të mëdha dhe situata të jashtëzakonshme. Lufta për mbijetesë në fillim pa ditur asnjë llaf italisht dhe duke lëvizur për të bërë çdo lloj pune ka qenë libër më vete. Po nuk më ka bërë as kriminel, as trafikant, as hajdut dhe as shkelës të ligjit. Prandaj kam dalë ballëlart përpara qytetarëve të Kavajës dhe opinionit publik kur i jam përgjigjur shpifjeve monstruoze të Sali Berishës. Në fillim më vinte të vija ulërimën nga shpifjet dhe akuzat pastaj u mësova dhe e përqeshja me përbuzje luftën e tyre me mua.

Po sot duhet te ndaj publikisht me keqardhjen më të madhe, një informacion që më ka kapur në befasi të plotë dhe ndryshon gjithçka. Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultojë të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç.

Kjo është e vërteta tronditëse që sapo kam marrë dijeni. Por s’ka pike rëndësie e vërteta që tregoj unë sot. Faktikisht pa e ditur këtë dënim s’kam pasur si ta deklaroj. Ndërsa pasi jam venë në dijeni, kjo për mua është bërë një çështje që i përket drejtësisë jo politikës. Prandaj unë nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi.

E kam të pamundur të vazhdoj të kryej detyrën time si Kryetar i Bashkisë së Kavajës edhe sikur kundërshtarët e mi të mos e merrnin vesh kurrë këtë informacion.

Dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës po edhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija.

Ndoshta do vijë dita që këto fjalë që duken si llafe që i merr era, do t’i provojë drejtësia. Në radhë të parë për hatër të familjes time dhe dy gocave të mia, po dhe për hatër të gjithë atyre që nuk i besuan kurrë shpifjet ndaj meje dhe më mbështetën pa rezerva. I falënderoj të gjithë dhe kërkoj falje që duhet të largohem kokulur nga detyra.

E kam bërë këtë detyrë me gjithë forcat e mia. Kam punuar ditën dhe natën. Kam qëndruar afër çdo kavajasi në nevojë për shërbimin dhe ndihmën e bashkisë. S’kam kursyer asgjë dhe tani që largohem i shokuar nga kjo që më ndodhi papritur, kam vetëm një ngushëllim: Kavajën që rindërtuam nga gërmadhat në 4 vjet e gjysmë! Një qytet që ka hyrë në rrugën e një ndryshimi të madh dhe që gdhihet i pastër dhe në darkë është plot jetë.

Nuk e kisha menduar kurrë këtë ndarje me qytetin dhe njerëzit si kryetar bashkie. Po as nuk e mendoj që ta mbyll këtë histori pa fituar në rrugën e drejtësisë pafajësinë që meritoj. Kjo është tani beteja ime për dy gocat e mia dhe për gjithë qytetarët e Kavajës.

Faleminderit te gjitheve.

/TPZ.AL/ Tej e këtej/

More in TEJ E KETEJ
“Ngrihuni të mbrojmë Kombin!”, Kaubojsi ju bën thirrje të gjithë shqiptarëve pa dallim feje dhe krahine

Në mes të këtij zhegu përvëlues, vjen një thirrje e madhe, një ulërimë në mbrojtje të vatanit, mëmëdheut tonë të...

Close