X

VIDEO/ Gënjeshtrat e Ramës sa herë i kapen njerëzit me histori kriminale


Sa herë që njerëzit e Edi Ramës përfshihen në një histori kriminale, kryeministri ndjek të njëjtat taktika.

Ai përdor çdo mënyrë, që nga shpërndarja e alibive të rreme e deri tek thirrja e blofit për opozitën, për të mbrojtur njerëzit e tij të lidhur me krimin.

Për të arritur tek ngjarja e djeshme ku kryebashkiaku rilindas i Shkodrës u provua i dënuar në Itali, duhet të ndjekim në rend kronologjik disa qëndrime të Ramës, që provojnë se ai nuk është aspak i besueshëm kur vjen puna tek pozicioni difensiv që merr ndaj akuzave për lidhje me krimin.

Kujtojmë avionët e drogës. Në vitin 2014 Sali Berisha deklaroi se në Divjakë po transportohej drogë me avionë. Ndryshe nga ç’u provua më pas, Rama replikoi në parlament duke i quajtur avionët mushkonja.

Në vitin 2015 Rama nuk nguroi të quante Dritan Zaganin kriminel dhe dekonspiures operacionesh. Ishte pikërisht ky oficer nga Vlora që denoncoi i pari grupin trafikant ‘Habilaj’ dhe lidhjet e tyre me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahirin.

Sot, ky grup dhe Tahiri po përballen me drejtësinë për të akuzat që ngriti Zagani.

Në vitin 2016, nga Kavaja, kur bashkinë e drejtonte socialisti Elvis Rroshi, Edi Rama ironizonte akuzat e opozitës, që u provuan më pas të vërteta.

Ndryshe nga ç’pretendonte Edi Rama, Elvis Rroshi ishte njeri me precedent kriminal dhe i dënuar për përdhunim në Itali.

Nuk do të kalonte shumë kohë dhe Rama sërish do ti kthehej taktikës së kthyer në zakon, të përhapjes së alibive të rreme. Kësaj rradhe me Agron Xhafën, vëllain e ministrit të Brendshëm të atëhershëm, Fatmir Xhafaj.

Përgjimin që denonconte lidhjet e Agron Xhafajt me veprimtari kriminale, Rama e quajti fallco. Skandali do të sillte skandalin kur më pas u publikuan përgjime se si policia punoi në funksion të zhvlerësimit të materialit audio.

Edhe pse pa sukses me ngjarjet e mësipërme, Rama nuk do të ngurronte të përsëriste gafën duke mbrojtur kryebashkiakun e tij të Durrësit, Vangjush Dakon në një konferencë për shtyp. Edhe në këtë rast, alibia e Ramës u shkërmoq brenda pak ditësh.

E për të ardhur tek dita e djeshme, kur PD publikoi dokumente që provojnë arrestimin, dënimin për trafik droge dhe dëbimin e Valdrin Pjetrit në Firence në vitin 2003, shihni çfarë qëndrimi mbajti Rama.

I prerë në reagimin e tij, Rama ka deklaruar se deri sa të zbardhet e vërteta, rrugët e Pjetrit me PS janë plotësisht të ndara.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!

I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.

E me këtë rast,të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt!Shkoj në luftë për çdo ide,qëllim a shok armësh,po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS!” – u shpreh Rama.

Në të gjitha rastet më sipër, Rama e humbi rastin për të dënuar lidhjet kriminale apo së paku për të heshtur.

Ai ka dalë bllof njësoj, histori pas historie, sa tani duket sikur është formuar një patern ku kryeministri mbron të pambrojtshmen dhe del bllof brenda një harku të shkurtër kohor.

Kësaj radhe ai duket se po eksperimenton me iluzionin se është distancuar nga Valdrin Pjetri, e se ai nuk ishte në dijeni për të shkuarën e kryebashkiakut të tij shkodran. Mbetet për tu parë nëse ‘historia’ do të përsërisë veten edhe kësaj radhe. /Lapsi.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Erion Braçes i mbesin vetëm fjalët, pas Taivanit Gjykata vendos edhe pro Havanës

Zëvendëskryeministri Erion Braçe njofton në rrjetet sociale se pas Taivanit në Tiranë, Gjykata ka vendosur që të zhbllokojë edhe Havanën...

Close