X

Skenarët e Shkodrës/ Të gjithë me sytë nga Meta, a do të dekretojë presidenti datë të re zgjedhjesh?

Fati i bastionit më të rëndësishëm të demokratëve, Shkodrës, ku përkrahja konvencionale ndaj partisë opozitare u dëshmua në njëfarë mënyrë nga pjesëmarrja tejet e ulët në zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, ndodhet në udhëkryq.

Sikurse shkruante edhe “Zëri i Amerikës” ditën e djeshme, fitorja e kandidatit socialist, Valdrin Pjetri, për drejtimin e Bashkisë së Shkodrës duket se është e lidhur pashmangshmërisht me fundin e tij politik, pas publikimit të dokumenteve që vërtetonin arrestimin për trafik droge, dënimin me 18 muaj burg dhe dëbimin e tij nga Italia.

Pak orë pas deklaratës së PD-së, Pjetri humbi edhe mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, i cili siç e ka bërë “rrugë”, foli për përgjegjësi individuale dhe u distancua nga i zgjedhuri i tij lokal deri “sa të flasë drejtësia”.

Këto zhvillime rihapën betejën vendore dhe kryebashkiakja ende në detyrë, Voltana Ademi, mund të vijojë të ushtrojë funksionin edhe përtej mandatit.

Konstituimi i Këshillit Bashkiak i parashikuar të zhvillohej më datë 20 gusht së bashku me ceremoninë e betimit procedurial të Pjetrit, është shtyrë për një datë të pacaktuar, në pritje të përfundimit të procedurave të verifikimit të pastërtisë së figurës së Pjetrit.

Nëse akuzat e ngritura vërtetohen nga organet e drejtësisë shqiptare dhe italiane, kandidati socialist do të largohet pa kthim nga politika, për shkak të ligjit të dekriminalizimit, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të reja në Shkodër. Pikërisht, në këtë rast, të gjithë do të jenë me sy nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, që meqënëse nuk e njeh 30 qershorin, mund t’i kërkohet, edhe pse me pak gjasa që të zbatohet prej tij, dekretimi i një date të re zgjedhjesh.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
AKU ndërpret aktivitetin e katër subjekteve në Tiranë e Lushnjë

Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit ka “goditur” të tjera raste të subjekteve që ushtrojnë aktivitet pa licencë. AKU thotë se...

Close