X

Ku gabojnë Calavera dhe OMN për reformën në drejtësi?


Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Në një intervistë më 8 gusht, për Zërin e Amerikës, Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për reformën në drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera deklaroi:

“Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, vetingut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethënëse.

Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim si konfirmimin se vetingu po trondit themelet e sistemit të korruptuar.”

Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme nga i njëjti person që në shkurt 2017 deklaroi se “i vetmi zë që do të komentojë punën tonë është [zëri] i publikut” dhe se ajo vetë, pra Calavera, nuk do të binte pre e “politizimit.”

Shumë gjëra paskan ndryshuar nga koha e këtyre deklaratave të mëparshme!

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se kuadri ligjor, me të të cilin po funksionon reforma në drejtësi, është i kalbur deri në rrënjë. Çdo afat i mundshëm i parashikuar nga Kushtetuta është shkelur.

Vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, një situatë krejtësisht e pallogaritur dhe e paparashikuar kur u miratua reforma.

Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) u zgjodhën pa përfunduar vetingun. Disa prej tyre u shkarkuan në nivelin e apelit të vetingut, por ndërkohë kishin marrë pjesë në vendime të rëndësishme të këtyre institucioneve.

Në shkelje të Kushtetutës është vendosur që anëtarët e Gjykatës së re Kushtetuese dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) nuk do të kenë nevojë ta kalojnë vetingun. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) duket se ka miratuar një rregullore që lejon zgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë pa veting.

Të gjitha këto paraqesin rrezik të madh për besueshmërinë e reformës në drejtësi, në një kohë kur besimi i shqiptarëve te Bashkimi Evropian ka rënë ndjeshëm.

Megjithatë, Ruiz Calavera mendon se të gjitha pretendimet janë “të pabaza”. Ndërsa unë mendoj se faktet flasin me zë të lartë dhe qartë.

Këto fakte e drejtojnë gishtit drejt Komisionit Evropian joprofesional dhe të paaftë, bashkë me të gjithë “asistencën” e tij, si dhe drejt qeverisë së prirur për ta kapur gjyqësorin.

Qeveria me siguri që do ta arrijë këtë qëllim, pasi aktualisht ka shumicën e nevojshme në Parlament, pasi i plotësoi vendet e opozitës, pas lënies së mandateve, me individë të dëshpëruar për ca përfitime financiare dhe imunitet.

Ndryshe nga sa mendon Ruiz Calavera, ata që kritikojnë reformën në drejtësi nuk e bëjnë këtë ngaqë u janë tronditur “themelet e sistemit të korruptuar”.

Përkundrazi, kritika rrjedh—të paktën në rastin tim—nga një shqetësim i vërtetë për qëndrueshmërinë e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe për efektet negative afatgjata që mund të ketë për vendin zbatimi i gabuar dhe i politizuar i reformës në drejtësi.

Ky ndoshta është edhe më tepër sesa shqetësim. Është frikë se reforma në drejtësi do të jetë kthyer në një mjet për të krijuar shtetin njëpartiak.

Fatkeqësisht, deklaratat e zonjës Ruiz Calavera janë një shembull ilustrues i asaj që unë e kam quajtur “Reformizmi Drejtësist”. Një besim i gënjeshtërt se ata që tregojnë prova faktike të dështimit të politikave janë të korruptuar.

Ky është i njëjti lloj besimi që bëri që shumë studiues “heretikë” të digjeshin në zjarr.
Ideja e zonjës Ruiz Calavera se do të ishte “e papranueshme” çdo lloj goditjeje ndaj saj, apo ndaj misionit ndihmës që ajo administron, në thelb tregon se ajo pretendon se ata janë të pagabueshëm—sikur papët dhe kardinalët e Komisionit Evropian, në gjithë mençurinë e tyre, të kishin urdhëruar zbatimin e ligjeve të përjetshme në tokat përtej kontinentit “të tyre”.

Po të mos ishte kaq e parashikueshme, arroganca e një deklarate të tillë do të kishte qenë tronditëse.

Exit.al

More in BLOG, LAJME
FOTO/ Skafi shpërthen në flakë në plazhin e Borshit

Një skaf është përfshirë nga flakët në plazhin e Borshit mesditën e sotme. Fatmirësisht nga incidenti nuk ka të lënduar,...

Close