X

Kërkohej nga policia, dorëzohet nëndrejtori i Kadastrës. Përgjimet ‘fundosën’ numrin dy të PS-së në Durrës


Dorëzohet në polici pas disa ditësh që ishte shpallur në kërkim nga policia, numri dy i PS-së së Durrësit, Arben Isaku.

“Panorama” mëson se në polici është dorëzuar shtetasi Arben Isaku, i cili aktualisht mban detyrën e zv. drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës dhe atë të kryetarit të këshilltarëve të PS në Bashkinë Durrës, e cila tashmë drejtohet nga Valbona Sako, si edhe njëherësh sekretar i përgjithshëm i degës së PS në qytetin bregdetar.

Ai u shpall në kërkim të shtunën, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Bashke me të, u vetëdorezua në polici edhe ekonomisti, shtetasi Redi. K, 27 vjeç.

Përgjimet që e “fundosën”

Isaku është mbajtur për disa muaj në përgjim, nga ku ka rezultuar se në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t në Durrës ka legalizuar me tituj pronësie dy persona, të cilët kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Bëhet fjalë për dy truaj në zonën e plazhit në Durrës, përkatësisht 123 metra katrorë dhe 500 metra katrorë, që janë përfituar nga dy të rinj, një nga Durrësi dhe tjetri nga Berati, në dëm të pronarit të vërtetë të tokës.

Njëri prej bashkëpunëtorëve të Isakut, R.K., 27 vjeç, banues në Durrës, me detyrë ekonomist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, është ndaluar, ndërkohë është shpallur në kërkim F.R., 28 vjeç, banues në Durrës, me detyrë specialist në këtë institucion.

“Pas një hetimi disamujor, në kuadër të goditjes së veprave penale kundër evazionit fiskal në zonat turistike, është ndaluar një shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, të cilët kanë pajisur me leje legalizimi, duke u falsifikuar dokumentet, dy shtetas për një sipërfaqe 123 metra katrorë dhe truall 500 metra katrorë në zonën e plazhit.

Është ndaluar shtetasi R.K., 27 vjeç, banues në Durrës, me detyrë ekonomist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës-Durrës.

Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve A.I., 42 vjeç, banues në Durrës, me detyrë zv/drejtor pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës; F.R., 28 vjeç, banues në Durrës, me detyrë specialist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës.

Tre shtetasit e mësipërm janë proceduar për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’”, njoftoi policia në komunikatën e ditës së shtunë.

Tre zyrtarët ishin mbajtur në vëzhgim dhe në përgjim telefonik dhe ambiental nga ana e specialistëve të Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për disa muaj me radhë. Në kërkim, përveç Isakut dhe specialistit të Kadastrës, janë shpallur edhe dy personat që kanë përfituar truall në zonën e plazhit në Durrës përmes dokumenteve të falsifikuara.

“Personat më lart kanë pajisur me leje legalizimi duke falsifikuar dokumentet, shtetasit Xh.N., 29 vjeç, banues në Durrës dhe E.S., 39 vjeç, banues në Berat, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale ‘Vjedhja me pasoja të rënda’”, bëhet e ditur më tej nga Policia.

Nga fundi i vitit 2017 deri në shkrirjen e ALUZINI-t me Kadastrën, Isaku mori postin e zv. drejtorit të Kadastrës. Arben Isaku, gjatë kohës që Vangjush Dako ishte në qendër të sulmeve mbi përfshirjen e tij në hetimet e dosjes “339”, ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të ish-kryebashkiakut.

42- vjeçari publikisht, por dhe në rrjetet sociale, ka mbështetur qëndrimet e Dakos.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, babai i dy fëmijëve të mitur ka publikuar në rrjetin e tij social në “Facebook” një thënie në anglisht që shqipërohet: “Thuaj të vërtetën, edhe nëse zëri juaj dridhet”./Panorama

More in AKTUALITET, LAJME
Ku gabojnë Calavera dhe OMN për reformën në drejtësi?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei Në një intervistë më 8 gusht, për Zërin e Amerikës, Shefja e Operacionit Ndërkombëtar...

Close