X

Dinjiteti njerëzor vlen me shumë se një pako me ushqime

Nga Mentor Kikia

Më tërhoqën vëmendjen sot disa foto, të bëra në një familje në një fshat të Rrogozhinës. Një person, Ferdinad Saraçi, i kishte dhuruar asaj, për festën e Kurban Bajramit, një pako me ushqime. Të ndihmosh atë që është nënshtruar nga mjerimi, është një gjë e mrekullueshme. Ndaj përgëzime Saraçi për atë që keni bërë.

Por ajo që më bëri përshtypje është se për këtë akt bamirësie ai kishte hedhur në faqen e tij nja 7 fotografi, duke dëshmuar të gjithë brutalitetin e mjerimit që ka pllakosur kësaj familjeje.

Cili do të ishte ndryshimi nëse ky akt bamirësie publikohej, për të përcjellë mesazhin tek të tjerët, por pa foton e njerëzve të zbathur e të drobitur?

U ndala në këtë rast pasi ky nuk është i vetmi. Fondacione dhe persona të ndryshëm bëjnë sot bamirësi.

Por shpesh një “aksion” bamirësie ka më shumë kameramanë e fotogravë sesa misionarë. Fotografohen dhe filmohen ndërsa u dorëzojnë qeset me ushqime njerëzve të varfër. Fotografohen e filmohen ndërsa mbajnë në prehër fëmijë të pangrënë e të leckosur, u shtrëngojnë duart, i përqafojnë.

Ata kujdesen që ushqimet të fotografohen në të gjitha këndet e mundëshme, edhe njerëzit po ashtu, që mjerimi të shpërshfaqet në të gjithë dimensionet, nga këmbët e zbathura, tek duart dhe fytyrat e papastra, tek divanët e lecksour, tavani dhe muret e rrjepura, deri tek evetmja tepsi që ndodhet në shtëpi. Dhe këto foto e video shfaqen nëpër rrjete sociale, apo edhe më keq, nëpër ekrane, në edicione lajmesh apo emisione televizive.

Përse kjo sjellje me mjerimin? Përse ky përçudim barbar ndaj atyre njerëze që i ka nënshtruar skamja? Bëjeni bamirësinë, por pa bërë spektakël me të.

Çdo të ndodhë me këta fëmijëve që kanë mbajtur bamirësit në prehër në momentin e “ceremonisë së madhe” të dorësimit të qeses me ushqime?

Çfarë mund të thonë ata, kur shokët tu nxjerrin nesër nga rrjeti apo nga You Tube, videot e mjerimit të tyre këmbëzbathur?

Bullizmi është sot një problem i madh në mesin e adoleshentëve. Në këtë foto është edhe një vajzë, që sipas Z.Saraçi, është ekselente në shkollë. A do të ndjehet mirë ajo nëse dikush në klasë, për arsye xhelozie, ia kthen nësër këtë foto duke e shpërndarë tek të gjithë nxënësit e shkollës?

Ndaleni këtë show me mjerimin të dashur njerëz të mirë. Uria vërtet nuk pyet për dinjitet, por edhe të varfër, njerëzit kanë njësoj dinjitetin e tyre, ndaj duhen respektuar po njësoj.

p.s: deformimi i imazhit të dy vajzave të mitura në këtë foto është bërë prej meje, jo prej autorit.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Kërkohej nga policia, dorëzohet nëndrejtori i Kadastrës. Përgjimet ‘fundosën’ numrin dy të PS-së në Durrës

Dorëzohet në polici pas disa ditësh që ishte shpallur në kërkim nga policia, numri dy i PS-së së Durrësit, Arben...

Close