X

Lulzim Basha, rënia e një shprese të kotë!

Nga Ermal Mulosmani

Zgjedhjet e vitit 2017 i kujtoj gjithmonë me një lloj trishtimi.  Opozita e udhëhequr nga Lulzim Basha ishte e hallaktur dhe pa një ide sesi të mundte Kryeministrin arrogant që po konsolidonte çdo ditë e më shumë pushtetin personal falë një mbështetje të fortë në elitën e biznesit dhe të krimit, oligarkët e tyre. Në vende të vogla e të varfra si Shqipëria është e pamundur që një kriminel elitar të mos ketë status biznesmeni të respektuar publik. Epiteti “elitar” veç e shkëput pak nga krimi ordiner, bën që të harrohet kryefjala “Kriminel”. Në atë moment ai futet në një botë tjetër, në botën e biznesit të ligjshëm ose të politikës. Ose te të dyja bashkë…

Kauza më e madhe e Lulzim Bashës gjatë viteve të qeverisjes ishte dekriminalizimi. Pas një përpjekje të vazhdueshme  u bë e mundur të nxirrte nga politika disa “kriminelë elitarë” që kishin arritur të kenë karrige të rëndësishme si Kryetar Bashkie, Deputetë etj por që kishin të ruajtur kartela kriminale dhe emra të shumëfishtë në vende fqinje. Këtu bëjmë fjalë për Mark Frroku (i burgosur dhe dënuar nga drejtësia belge për vrasje) Elvis Roshi-n i dënuar nga drejtësia italiane për përdhunim në grup, Arben Ndoka, Armando Prenga etj etj. Është absolutisht meritë e Lulzim Bashës mbyllja e karrierës së tyre politike. Sigurisht këta janë vetëm ata për të cilët ekziston një dosje kriminale dhe një dënim ligjor me burg. Imagjinoni se sa është lista në total, pra edhe atyre që i kanë shpëtuar dënimit penal në vendet fqinje. Më shumë kriminelë gjeje në Parlamentin e Shqipërisë sesa në një Ndërmarrje fjala vjen Pastrim-Gjelbrimi.

Por edhe Edi Rama nuk duket se e vuajti shumë ikjen e tyre. Siç duket ata ishin faza e parë e pushtetit të tij. Tanimë duheshin njerëz të rinj dhe metoda më të sofistikuara. Në vazhdim të mandatit të parë ai kishte gjetur bashkëpunëtor më të sofistikuar dhe strategji më efikase. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, kishte arritur të konsolidonte figurën e shtetarit që po përpiqej të vendoste rend e rregull në vend. Parulla “Policia që duam” me një fushatë të gjerë propaganduese nga vetë Ministri filloi të merrte mbështetjen e njerëzve. Mbyllja e Lazaratit si vrima e zezë e një shteti paralel që kultivon dhe tregton hashash me dijeninë e të gjithëve ishte kulmi i suksesit të tij…

Por, siç koha do ta vërtetonte më vonë, viti 2016 ishte një vit i begatë narkotik për Shqipërinë! Ca avionë droge filluan të binin sa për të prishë imazhin. Se këtu po mos kapet avioni me drogë nuk quhet. Kur kapet thuhet ishte rastësi. Probabiliteti që një avion të mbetet pa u ngritur nga ngarkesa e kanabisit është 1 me 1000. Pra nëse ka rënë 1 do të thotë që 999 kanë mbërritur në destinacion. Leja për udhëtimin e avionit ishte dhënën nga Ministrja e Sotme e Punëve Publike…Kur thuhej që po bëhet transport droge me avionë përgjgja ishte “Po spërkasin kundër insekteve”… Derisa mbeti avioni. Policia bëri disa tentativa për ta ndihmuar pilotin të ngrihej por, kur nuk e ndihmoi dot dhe njerëzia erdhi aty, u desh ta arrestojë Riformaton e ngratë… Sikur ishte faji i tij. Ai i prenotuar ishte.

Nga Vermoshi në Konispol, parcelat e kanabisit ua kalonin atyre me misër e grurë. Bereqet i madh ishte ai vit. Lazarati i dikurshëm  dukej si ai i forti i fshatit kur del në metropol dhe kupton vogëlsinë e tij. Krimi u ul,njerëzia me bekimin e policisë por edhe ujësjellës kanalizime, pushtet lokal, bashkëfshatar, studentë vazhdonin mbjelljen, kultivimin korrjen dhe shitjen pa ndonjë drojë. Nuk kishte vrasje më, legalizimi ul krimin.

Kjo ishte situata në fillim të vitit 2017! Kryeministri dukej se kishte gjetur formulën. Nuk i duheshin më as të fortët e dikurshëm, as aleatët e LSI-së, tani ishte ai më i forti fare. Njerëzit do ta votonin sepse po jetonin parajsën narkotike.

Në këtë situatë Lulzim Basha dukej i pashpresë dhe u fut në një qorrsokak tjetër. Para Kryeministrisë, hapi një çadër të madhe për të protestuar pa kufinj kohorë. Por edhe pa një ide të caktuar.

Ndërkombëtarët nuk e mbështetën bojkotin dhe në fytyrën e Bashës filluan të dukeshin shenjat e dëshpërimit të thellë…

Kryeministri nuk linte shkak pa e thumbuar dhe pa ia cënuar aftësinë e lidershipit duke kaluar çdo kufi etike. Në fund fare, e veçoi nga aleatët dhe e mbylli në një dhomë të veçantë ku ndenji me të për 3 a 4 orë. Aleatët e Bashës bënin muhabet ndërkohë e prisnin. Dikur dolën të dy. I pari foli sigurisht Kryeministri. Tha: “Jam dakort me të gjitha ato që do të thotë lideri i PD-së”. I zgjati edhe dorën me një version adoleshentësh çamarrokë dhe iku…

E kishte tërhequr në zgjedhje. Fiks ajo që i duhej. I la Ministri e Drejtori sa të donte, për tre muaj, deri sa të mbaronin zgjedhjet. Basha mendoi se arriti fitoren më të mirë në kushtet që ishte. Edhe unë ashtu mendoja ato ditë.

Fushata që bëri Lulzim Basha dhe përzgjedhja e deputetëve ishte një përpjekje për ndarje me të shkuarën. Iku koncepti Parti Demokratike, doli në qarkullim teza “Republika e re”. Pa Jozefinën, Patozin, Imamin, Boden, kollonat e Partisë Demokratike. Por sigurisht me Berishën brenda. Dukej sikur me përzgjedhjen po thoshte “Berishës nuk kam çfarë t’i bëj, këta të tjerët i ndreqa”

Dështimi ishte i paraparë. Edi Rama fitoi mbi 208 mijë vota më shumë sesa Partia Demokratike.

Ky duhej të ishte fundi i Kryetarit Basha. Rënia e PD-së në nivelet më të ulëta historike duhej të ishte fundi i tij. Por në fakt ishte vetëm fillimi i fundit!

Lulzim Bashës i mungoi kurajoja për të bërë lëvizjen e duhur. Sepse siç thotë Gëtja (duke iu referuar edhe lojës së shahut, aq të përfolur në ditët e çadrës së famshme):

“Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet”!

Tani është momenti që dikush tjetër ta bëjë mat atë. Dhe ai dikush po spikat çdo ditë e më shumë në atë Parti. Është meritë e Lulzim Bashës sjellja e emrit të tij në listën e deputetëve të vitit 2017!

Botuar në fillim në Gazetën Express

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE
Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Nga Artur Zheji Presim Shtatorin dhe Tetorin që do vijë… Kështu pëshpëritet vesh më vesh, në bregdet apo në gryka...

Close