X

Të “deklasuarit”

Nga Raimonda Shundi

I përkas brezit të rritur me lodra të munguara, brezit të lojërave prej vërteti, brezit ku shokun e shihja në sy për t’i marrë emocionin, brezit ku propaganda ishte kudo

Ne kopshtet tona kishte pak ngjyra e lodra, por nuk mungonin portretet e diktatorëve, thirrje për unitet, lavdërime për jetën e lumtur që ne gëzonim dhe pëshpërima- frike të të “deklasuarve”. Shihnim shpesh moshatarë që përdornin shabllonët e partisë për të kërkuar ndjesë për aksh veprim, e pas kësaj ishin pjesërisht të pastruar. Sot i shohim të njëjtat metoda në versionin blu jeans apo tallava. Sot që jemi të rritur dhe përgjegjësitë tona janë decizive e jo vetëm vëzhguese, ndeshemi me metoda të ricikluara në versione 4D,5D …

Mendojmë ndryshe dhe mundemi ta themi para një kamera, madje marrim guximin edhe t’i shkruajmë KM tonë të fiksuar pas teknologjisë e diskutimeve publike, duke na etiketuar si qytetarë të lirë e aspirantë të shpejtë të komunitetit të zhvilluar europian. Kryeministri ynë, madje si i papunë e i pagjumë nga hallet tona, nis diskutimet zinxhir me ndjekësit e rregullt si ato të rrjeteve sociale, por edhe ndonjë hallemadhi besimshumë apo besimpak. Është koha që ai ka nisur fushatën e publikimit të emrave “pro” shembjes së Teatrit. Është koha kur hija e emrave të ardhur përshtat në terr, të dritësohet nga ajo e palës së “keqe”. Është koha e përballjes finale, e luftës reale. Strategji dinake dhe aspak komode për palën e strukur, nga ku ata nuk ndihen mirë. Mërmërisin herë pro, herë kundër, në varësi të presionit të dyanshëm e vërtetë-gënjeshtërt. Emra që kanë punuar fort në angazhimet e tyre krijuese, apo të tjerë që falë punës së dikujt, ndodhen në organikën e teatrit si produkt i punës dhe investimit të dikujt tjetër. Artistë shterpë, por tashmë janë aty ku ata donin falë dikujt apo diçkaje. Elita e re po investohet të krijohet nga klanizimi i kritereve mavi.

Elita e re po përthith projektet e pikatorta nga buxheti mjeran për shumicës, por impenjuese për vetëm ata. Në një nga thirrjet që Roza Anagnosti u bëri jo vetëm kolegëve, por kryesisht emrave që vendosin në shembjen e ndërtesës së saj të dashur, më pohon se pas thirrjeve e deklarimeve publike, fle e qetë. E njëjta gjë ndodh edhe me Justina Aliaj, e cila më pohon se e irriton shumë fakti që zoti Veliaj deklaron që “Unë, teatrin do ta prish”. “Cili je ti mor zotëri, që vendos për teatrin tim, në do të prishet ose jo?! Cili je ti që i jep zë investimit të shpirtit tonë?! Unë nuk ndërhyj në punët e tua në bashki, ti …Kurrë në atë të teatrin tim dhe të tonin. Ndërkohë, të përkëdhelurit e dalë me zë e figurë, urdhëruar nga njëshi, u binden urdhrave. Po nesër ku do jenë? Jam e sigurt se nesër po këta emra do viktimizojnë faktorin palë. Jam e sigurt se po këta nesër do vijojnë të kërcejnë nga njëra palë, në tjetrën. Jamë e sigurt se statusi i tyre nga të privilegjuar, do të kalojë në të deklasuar, fatkeq, hallexhinj, që sistemi i mëparshëm i detyroi të bënin shumë gjëra jashtë vullnetit të tyre. E po këta do përpiqen të marrin flamujt e luftës së re.

Tashmë, falë edhe luftës së fundit janë bërë edhe më të aftë në përpëlitjet e tyre mjerane. Tashmë, ata dinë të jenë edhe më mirë në krye të eventit politik të radhës, ku privilegjet janë vetëm për një pakicë, ata. Në fund, vetiu lind thirrja për politikën. Mos i përdorni emrat e artistëve, mos i përçani ata, mos i mikloni dhe dekurajoni njëkohësisht, mos hyni në jetën artistike të artistit ku ju artin e urreni. Lërini artistët të qetë. Mos kërkoni prononcime të detyruara, sepse kësisoj artistët po i ndani në kampe luftëtarësh me njëri-tjetrin, në kampe beteje, në kampe lufte për të marrë ju ca para me tepër. Të gjithë këta artistë “të përçarë” do të vijë momenti që në çfarëdolloj skene në cilësinë e personazheve që do të interpretojnë, do të jenë duke u përqafuar me njëri-tjetrin, do të jenë duke u puthur me njëri-tjetrin në skenë, do të jenë duke bërë një moral të caktuar që mbase deri dje nuk ka qenë morali i tyre. Kur je artist, përpiqu të mos shfrytëzohesh nga politika.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE
Drejt Europës, përmes Afrikës—qeveria Rama si ajo e Ugandës për kullat me teatër

Nga Kastriot Çipi Gjatë vitit të fundit kam ndarë përvoja të ndryshme botërore me ndërtesa të vjetra teatrosh, disa ndërtuar nga...

Close