X

Monologu i Kryetarit


Nga Edmond Tupja

Dje, ndaj të gdhirë, më erdhi për vizitë në shtëpi Kryetari. “Për cilin Kryetar e keni fjalën, profesor?”,-mund të më pyesni ju, të nderuara lexuese e të respektuar lexues të rubrikës sime.

Pa dashur ta anashkaloj pyetjen tuaj, ju siguroj që kjo nuk ka pikë rëndësie, ndërsa, për mendimin tim modest, rëndësi ka vetëm fakti se bëhej fjalë për një Kryetar me “K” të madhe, për një personalitet të plotfuqishëm e të gjithëpushtetshëm.

Sidoqoftë, ngaqë ishte errësirë, nuk ia dallova fytyrën, por i dëgjova vetëm zërin. Nisi kështu monologu i tij, i cili, qysh në krye të herës, më kujtoi monologun e Hamletit: mletit: “To be or not to be, that is question!”, – tha ai si fillim. Pastaj heshti një grimë, qëroi fytin dhe vazhdoi: “Mirëpo, unë nuk jam dakord me përkthimin e Nolit: ‘Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja’. Kështu që thënien e Hamletit e kam përkthyer paksa ndryshe: ‘Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja’. Pse kështu?

Sepse, për mua puna qëndron si vijon: ‘Të jesh a të mos jesh Kryetar dhe absolutisht Kryetar, kjo është çështja!”. Vetëm kjo është thelbësore, sidomos për institucionin transhendent që unë drejtoj dhe dua ta drejtoj sa më gjatë, sa më gjerë, sa më lart e sa më thellë të jetë e mundur.

Për këtë jam tejet i bindur dhe i sigurt, veçse këtu ka diçka fort të rrezikshme, sepse ndonjë shkronje rebele të mallkuar mund t’i shkrepet të vijë e të zëvendësojë shkronjën “t” të fjalës së madhërishme “Kryetar”, duke i dhënë asaj një tingëllim e kuptim të llahtarshëm, çka nuk do ta lejoja në asnjë mënyrë, sepse unë jam “Kryetar” (pra, me “t”), jam flori, jam ar (pa asnjë germë të padëshiruar përpara, ta pret mendja), jam ar jo thjesht 24, por 2424 karat! Jam ar e shkuar arit aq sa vetë ari si metal ma ka zilinë! Ç’është e vërteta, vetë floriri, pra, ari, është i heshtur, kurse unë jam një ar që flet me zë të plotë, me sy vigjilentë, me gjeste bindëse, jam një ar karizmatik karakteristik vetëm për gjenitë e të tëra kohëve!”.

Ai heshti, më gozhdoi e kryqëzoi me vështrimin e tij vezullues, por, duke ndier skepticizmin tim lidhur me përkufizimin përvëlues që sapo i kishte bërë vetes si ar artistikisht krenar, u hodh e tha me një zemërim epik: “Kot e kanë kundërshtarët e mi prej bakri që më sulmojnë, më qesëndisin e më vënë lloj-lloj nofkash: Unë u deklaroj dhe u betohem botërisht që ar jam e ar do të mbetem edhe pas vdekjes sime të largët e të paimagjinueshme për popullin tim të urtë, të bindur e të nënshtruar, si edhe për komunitetin ndërkombëtar të mahnitur nga bëmat e mia bombastike”.

Pikërisht në atë çast, përjashta shkreptiu rrufeja e ndjekur nga një bubullimë shurdhuese dhe dera e dhomës sime u hap vrullshëm: Te pragu i saj u shfaq ish-kolegu dhe miku im i vjetër, Françesk Armadhi, i cili, pa pikë droje, madje me një buzëqeshje të lehtë ironike, iu afrua Kryetarit me “K” të madhe e me “t” të vogël, u përkul para atij dhe “Nderimet e mia, zoti Kryetar, – i tha pa ia ndarë sytë. – Lejomëni të prezantohem: Unë jam Françesk Armadhi, psikiatër me formim psikanalitik dhe ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Ju kërkoj gjithashtu ndjesë që, duke mos guxuar ta ndërprisja monologun tuaj hamletian, e dëgjova atë nga kreu deri në fund që prapa derës.

Jam mik i profesor Tupes, por, krejt ndryshe nga ai, jam njëri nga admiruesit tuaj të pakushtëzuar dhe, si i tillë, jam gati të shkoj në gjendjen civile të lagjes ku banoj për t’ia hequr emrit tim – Françesk – shkronjën e fundit, pra “k”-në, me qëllim që ajo të mos lajthisë e të vijë paturpësisht për të zëvendësuar germën “t” të ofiqit tuaj ogurbardhë e të lavdishëm. Së fundi, jam krenar që ju jeni e do të jeni vazhdimisht flori, pra, ar, sepse ari, sa më shumë ta fërkosh, aq më shumë shkëlqen burrërisht, mburret madhërisht dhe krekoset karizmatikisht pa bërë karambol me vetveten”. Unë kërceva përpjetë dhe desha ta kundërshtoja ish-kolegun dhe mikun tim të vjetër, por, aty për aty, u përmenda: Kryetari më kishte ardhur për vizitë në ëndërr, Françesk Armadhi gjithashtu dhe që të dy, i pari epik, i dyti lirik, më kishin prishur gjumin, por jo humorin.

Panorama