X

Sindroma e Parkut / Parku i Lalit



Nga Rezart Prifti

Arsyeja se pse nuk them parqet e Lalit, por parku i Lalit është se dua të flas për fenomenin. Dhe kur them për fenomenin, jo për fenomenin e parqeve si lodra që të bien në patatina, por e kam fjalën për fenomenin Lali. Është bërë fenomen në shumë dimensione, në politikë-bërje, në menaxhim, në montazh, në video produksion.

Të gjithë, madje edhe ata që e kanë besuar se mund të bënte vërtet shumë çka, kanë arritur në një pikë që nuk po u mban më ujë pilafi dhe kanë kuptuar që është modeli i të thënit derrit dajë. Nëse ti dëgjon dikë dhe e dallon që po të gënjen është një rregull në psikologjinë e mashtruesve që quhet rregulli i treshit. Ky rregull thotë, dëgjoje mashtruesin dhe atë që të thotë pjestoje me tre, ose shumëzoje me tre sipas kahut të mashtrimit. Mirëpo në rastin e Lalit ti nuk ke çfarë pjeston për arsye se ta vendos përballë fytyrës.

Për profesionistët e komunikimit ky është një stad tjetër komunikimi. Ndaj dhe arsyeja e dobësisë së gazetarëve për ta pyetur, për të diskutuar ose dhe e njerëzve për ta kuptuar është mungesa e profesionalizmit. Është edhe një tjetër por që nuk është subjekt i këtij shkrimi.  Në një fshat me qorra edhe pse me një sy ti prap je më i miri. Edhe në injorancën masive të Tiranës ti prap je një hap para. Këtë kam kohë që e them, këtu, me pako punë mund të bësh çudira se nuk ka nevojë për shkencë, Lali këtë e ka bërë më së miri. Në këtë aspekt unë i heq kapelen sepse është i vetmi që është nëtrend ose i azhornuar me shkencën e komunikimit dhe të tjera. Për gjithë gazetarët dhe komunikuesit e kazaneve, që u thotë ai më drejtë, nuk quhet më shkenca e komunikimit (the science of communication), por shkenca e bindjes (the science of persuasion). Për të mos u zgjatur më shumë me shkencën se këtu e hanë vetëm gomerët, po merrem me Lalin që është te kjo e dyta.

Dikur në një emision kuadri i lartë i Bashkisë së Tiranës sot, para se të bëhesh i tillë, deklaroi se do ketë zero ndërtime në Tiranë. Me zë dhe me figurë në këtë vend kanë ndodhur çudira! Me zë dhe figurë në këtë vend janë vrarë njerëz, me zë dhe figurë në këtë vend janë vjedhur Shqiptarët, me zë dhe me figurë janë mashtruar hapur fare dhe jo përgjegjësi ligjore, administrative, morale, etike, etj. që nuk ka mbajtur njeri por as u ka plasur fare. Kur unë thosha që nuk ka logjikë të ketë zero ndërtime nënjë qytet si Tirana, ku kjo e fundit është një industri normale dhe funksionale e cila krijon vlerë të shtuar ekonomike dhe vende pune, dukesha si renegad, si ekstremist, si inatçor ndaj qytetit, dhe si gjithmonë i shitur te industria e gogolëve. Në shoqërinë e ekstremeve që jemi ne, kur njëra palë e menderos deri nëskaj, pra siç ishte menderosja që u bë me ndërtimet në qytet, edhe kur thua gjëra që nuk kanë asnjë fije logjike mbahesh për i mençur, mjafton që këto të jenë në të kundërt me ekstremin e parë. Polarizimi i shoqërisë bën që kjo të mos reflektojë ndonjëherë dhe mos-reflektimi sjell këtë maskaradë që ka sjellë deri tani. Kur Lali i thoshte gazetarit që do ketë zero ndërtime ishte mjaft e lehtë të dalloje jo vetëm mashtrimin e këtij të parit, por dhe mos-reflektimin e këtij të dytit si ti gjente shpirti paqe që më në fund nuk do të ketë ndërtime.

Kështu nisi edhe ajo që unë tani e tutje do ta quaj “Sindroma e Parkut”. Punë vogli kosto madh nuk të lëtë pjestosh ose të shumëzosh gënjeshtrën sepse ka gjetur një teknike tjetër. E merr fenomenin dhe ta vë përballë syve që ti ta shikosh e të mos kesh kohë për veprime matematikore. Këtë punë e bën me gjërat bazike që janë punë vogla, por me kosto të mëdha. Çfarë është kjo sindromë?!

Lali merr proceset bazike dhe të thotë: A do shkollë ti? A do park ti? A do kopësht për fëmijët? A do lagje të gëzuar?

Kaq pyetje janë, sepse në një shoqëri me nevoja bazike pse ti hapi punë vetes kuadri i lartë? Përgjigjet e të gjitha pyetjeve janë normalisht po, sepse duhet të jesh i sëmurë të thuash të kundërtën dhe këtu automatikisht ti je i pozicionuar.

Po ka njeri që nuk do shkollë? Mirëpo, cilën shkollë, si është shkolla, sa është bërë, sa ka kushtuar, nga kush është bërë?

Po ka njeri që nuk do park? Po identifikon dot njeri një park të ri në Tiranë sot? Këtu do ndalem te dy detaje. I pari është që ti thuash derrit dajë. Park, ne primitivëve sot na është mbushur mendja se quhen ato lodrat si në patatina që u bien fëmijëve të cilat faturohen për mijëra euro. Dhe njësoj si te histeria masive që gjithë kallaballiku pranoi se do kishte zero ndërtime, ka pranuar sot se ai është park. I dashur lexues, këtu po krijohet sindroma e parkut!

Detaji i dytë është se njeriu që pretendon të jetë më jeshili nëkëtë vend nuk kanë jeshilllik në këmbë. Nisi e gjitha me parkun e liqenit! Ai i shkreti e di se çfarë heq, duke patur parasysh se një është në gjithë këtë dreq qyteti. I janë turrur barbarët nga para, nga mbrapa, anash dhe së fundi dhe nga brenda si qeliza kancerogjene të pamëshirshme.

Dikur ishte prestigj të veje nga liqeni! Mbaj mend kur isha më i ri dhe jabanxhi rishtar në Tiranë, liqeni ishte simbol qytetarie. Venin artistë, vraponin intelektualë, pikturonin piktorë dhe dilnin xhiro “njerëz”. Sot të vesh nga liqeni je mallist, je katnar, i papunë, fara ngrënës apo ku di unë… Shumë njerëz as rregullat bazë të ecjes nuk dinë kur shkëmbehen me njëri-tjetrin. Nuk e dinë që ecet djathtas dhe personi që të vjen përballë e lë përherë në të majtë. Nuk e dinëqë te rripi i kuq nuk është për të ecur por për të vrapuar. Po edhe pse kanë ardhë në qytet nuk u pëlqen asfalti por prap ecin aty ku duhet vrapuar… Pra arriti që ta kthente liqenin e Tiranës në diçka të zakonshme. Magjistari i komunikimit publik arriti që ashtu si u mbushi mendjen njerëzve që parku është ai që thotë ai që është parku, edhe tu mbush mendjen që parku i liqenit duhet kështu! Dhe po aty fillojë zakonin. Në Tiranë nuk ke rrugë që të mos jetë vrima vrima, madje edhe të rejat që kanë bërë këta lanetët e tij, nuk ke rrugë që ka trotuar normal dhe nuk ke rrugë që fillon e mbaron në rregull. Jo, Lali do hidhte asfalt dhe do derdhte në beton të vetmin vend me pemë dhe po aty do të vendoste lodra patatinash… Edhe prap njerëzit ngaqë nuk kishin hiç dhe nuk dinë hiç, lodrat e patatinave i morën për park. Pasi e ezaurojë parkun e vetëm në Tiranë anash, para, mbrapa dhe nga brenda ju turr një parku tjetër. Parkut Rinia, ose si i thonë jabanxhinjtë Tajvanit. A thua ti nuk ishte perfekte ashtu si qe ku venin pleqë, plaka, të rinj, njerëz që dashurojnë kafshët dhe hallexhinjë të tjerë. Jo! Prap, Lali ka një mendim tjetër, ai park do botoks! Dhe me mungesën më të madhe të demokracisë, kur nga njëri krah digjet teatri dhe nuk e ka mendjen njeri, me procedura të shpikura nga hiçi dhe korruptive u vendos që ky park të rikualifikohet. Çështë e vërteta gojët e liga thonë që do bëhet parkim nëntokësor. Kur unë e thash publikisht menjëherë makineria e tij mediatike u vu në dispozicion të mashtronte hashiqare duke thënë se ai park do rikualifikohet dhe do përmirësohet gjelbërimi. Me pak rezistencë bie logjika e këtyre qoftëlargëve sepse janë si ai fakiri i Durrësit atëherë që do të përmirësonte cilësinë e diellit. Po pse nuk krijohen parqe të reja por ato që kanë mbetur përcudnohen?

E para, është se thjeshtë nuk ua ndjen, nuk kanë asnjë lloj lidhje me këtë vend. E dyta, nëse shoqërisë tonë ja vë fajin se është injorane për shumë arsye, këtyre jo, sepse nuk janë injorantë. Janë thjeshtë dashakeq barbar. E treta, është sepse ky është i vetmi vend me demokraci të plotë në botë. Këtu mund të bësh çfarë të duash pa dhënë kurrfarë llogarie dhe pa ta bërë syri tërr.

Lali siç ta bën parkun park, ta bën dhe autobuzin udhëtim ëndrrash, ta bën dhe ujësjellësin sikur furnizohet nga alpet dhe kinematë që nuk u bën kurrë, madje të fut dhe një festë perimesh, fërgese, sallatori, apo ku di unë dhe ti je në ëndrrën e tij, në ëndrrën që ti nuk e ke patur kurrë dhe ndaj të duket sikur është ajo që ke tërë jetën që ke kërkuar.

Lali është si thikë zvicerane, është shumë funksional dhe së fundi është dhe regjizori i shfaqeve të popullit mediokër. Në një takim rastësor në rrugë me popullin koçidojnë të jenë 17 kamera, 13 fëmijë që luajnë rastësisht, një fshatar, një qytetar, një pjeshkë dhe një skenar…

Ore e kuptove se çfarë është sindroma e parkut?

 

More in IDE
Edi Rama, kamarieri i një pjate bajate

Nga Andi Bushati Sa më tepër kalon koha, aq më i parashikueshëm bëhet Edi Rama. Kryeministri ka shpërndarë dje një...

Close