X

Vrasja e “presidentit” të Çamërisë në Holandë, i vëllai: Presim ADN-në


Policia holandeze ka nisur hetim për vrasje pas gjetjes së trupit të pajetë të Festim Latos në kanalin Amsterdam-Rhine.

Sipas policisë, 43- vjeçari është vrarë me armë zjarri, ndërsa jetonte në Holandë prej 25 vitesh. Lato ishte biznesmen, i cili më 24 prill kishte shpallur falimentin në gjykatë. Gjithashtu, ai ishte i aktivizuar edhe në politikë, ku ishte dhe president i vetëshpallur i Çamërisë.

Ndërkohë që hetuesit holandezë ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e tij, familja e Latos në qytetin e Vlorës ka hapur dyert e mortit. Në banesën e familjes, që ndodhet në lagjen “Lirimi” të qytetit bregdetar, hyjnë e dalin familjarë dhe të afërm për ngushëllim.

Xhemil Lato, vëllai i madh i 43-vjeçarit, thotë se ata janë duke pritur përfundimet e analizave të ADN-së për të konfirmuar lajmin për vdekjen. Ai thekson se tre fëmijët e Festimit nuk janë lejuar nga Policia holandeze që të hyjnë në morg për verifikimin e kufomës. Për këtë arsye, ende në portën e banesës 3-katëshe në Vlorë nuk ka lajmërim nekrologjie.

Festim Lato ishte shpallur i zhdukur prej disa ditësh nga familjarët e tij në Holandë. Mediat në këtë shtet e lidhin vrasjen e tij me shpalljen e falimentit, pasi kishte shumë borxhe. Lato merrej me tregtinë e naftës, ndërsa kohët e fundit ishte vendosur në një shtëpi në Afferden. Jashtë banesës së tij valëviteshin flamujt e Holandës, SHBA-ve dhe flamuri i Shqipërisë, me shkrimin ‘Çamëria’.

Një mik i 43- vjeçarit, duke folur për mediat lokale, ka treguar se kohët e fundit Festimi nuk kishte shprehur asnjë shqetësim dhe çdo gjë dukej mirë. Kohët e fundit, Lato mësohet se kishte probleme me biznesin e tij, sepse kishte borxhe në kompani dhe individë të ndryshëm në zonën ku ai jetonte në Holandë. Shuma e borxheve të tij dyshohet se arrin në miliona euro.

Nga dyshimet e para thuhet se Lato është telefonuar nga një person joshqiptar. Pasi kanë lënë vendtakimin, 43- vjeçari është qëlluar për vdekje. Lato e kishte shpallur veten dhe president të Çamërisë dhe prej vitesh luftonte për pavarësinë e territorit që sot është brenda kufirit të Greqisë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Dhuna tek Teatri, ‘shpërthen’ Vasili: Gjyqit të popullit nuk i shpëtojnë dot kurrë!!!

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka reaguar sërish për dhunën e ushtruar nga policia tek Teatri Kombëtar. “Ky shkollëpak dhe...

Close