X

Profil/ Historia e Haradinajt, “Rambo” në luftë dhe në politikë

Në Ballkan shpesh thuhet se “heroi i një personi është kriminel për një tjetër”. Ky përkufizim nuk do të mund të ishte më adekuat se në përshkrimin e Ramush Raradinajt, i cili dha dorëheqje si kryeministër i Kosovës pasi Gjykata Speciale e Hagës e ka thirrur sërish (për herë të tretë) si të dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Për shumë shqiptarë në Kosovë, Haradinaj është hero i modelit klasik, djali i vrazhdë dhe trim nga fshati, që bëri vepra të mira duke pasur guximin të luftojë për idealet e tij. Për serbët në Kosovë, Haradinaj është ndryshe. E akuzojnë se vendosi terror te popullsia civile në zonën e Dukagjinit në vitet 1998-1999.

Dy javë më parë ai festoi 51-vjetorin. Lindi në fshatin Gllogjan më 3 korrik 1968, fëmija i dytë nga 9 të tillë në familjen e tij. Si të gjithë shqiptarët e Kosovës të lindur në vitet e 60-të, Haradinaj vijoi mësimet në shkollë etnikisht të përzier, dhe mësoi të flasë serbo-kroatisht.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1987, ai e kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave, duke treguar talent të mjaftueshëm ushtarak, gjë që çoi në gradimin e tij si oficer komandant, gjë e rrallë kjo për shqiptarët.

Haradinaj në Armatën Jugosllave

Pas ushtrisë, Haradinaj fillimisht deshi të studionte astronomi në universitetin e Prishtinës, në atë kohë të udhëhequr nga serbët, por ai thotë se i ishte pamundësuar një gjë e tillë për shkak se disa nga anëtarët e familjes së tij kishin pasur probleme me autoritetet.

Në vend të studimit, ai shkoi në Lucern të Zvicrës, ku së bashku me xhaxhanë e tij e krijoi një biznes ndërtimi. Gjatë një vizite në Kosovë, në mars të vitit 1991, Haradinaj u përfshi nga vala e protestave dhe kryengritjeve që po ndodhnin në këtë krahinë si reagim ndaj një numri ligjesh anti-shqiptare të implementuara nën urdhrat e liderit serb Sllobodan Millosheviç.

Haradinaj u mbajt në paraburgim për një natë dhe u mor në pyetje nga policia serbe. Pas lirimit, u kthye në Zvicër ku iu dha më vonë azili politik. Nga ekzili, Haradinaj shihte se si Millosheviç vazhdonte ta torturonte Kosovën duke larguar shqiptarët nga universiteti dhe duke i përzënë ata nga vendet shtetërore të punës.

Fillimisht u bë pjesë e Lidhjes Popullore të Kosovës, (LPK) një grup radikal i shqiptarëve emigrantë me banim në Zvicër, të cilët u bënin thirrje shqiptarëve të përdorin çdo mjet të mundshëm, përfshirë këtu edhe kryengritjen e armatosur, për të siguruar pavarësinë e krahinës.

Gjatë kohës në ekzil, u dashurua me një finlandeze dhe filloi të jetonte me të. Kohë pas kohe kthehej në Kosovë ilegalisht duke kaluar nëpër male nga Shqipëria, ndonjëherë duke marrë edhe armë me vete.

Me të dashurën finlandeze, Joanna Carsson

Në mars të vitit 1997, në kulmin e krizës në Shqipëri pas rënies së firmave piramidale, Haradinaj filloi grumbullimin e armëve. Ai e dinte se tragjedia në Shqipëri do të shërbente për të pajisur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Mblodhi një grup njerëzish duke përfshirë edhe vëllanë e tij, Luanin, në aksione të transportit të armëve përtej kufirit. Në maj të vitit 1997, grupi i Haradinajt ngarkuan armët në shpinë dhe kaluan kufirin për në Kosovë. Pak pasi kishin kaluar kufirin, u përballën me një pritë nga trupat serbe. Luani u vra, dhe një person tjetër u plagos rëndë.

 

Grupi u tërhoq dhe Haradinaj e mbajti në shpinë trupin e vëllait të tij përtej kufirit për ta varrosur dhe më pas u kthye në Zvicër.

“Kam qenë i humbur pas asaj ngjarjeje” – do të rrëfente Haradinaj më vonë: “Ndjehesha përgjegjës për vdekjen e vëllait tim. Doja të vazhdoja, por nuk mundesha gjatë asaj kohe.”

Gjithsesi do të rikthehej 2 muaj më vonë. Sërish nga Shqipëria kapërceu sërish malet për të shkuar në Kosovë ku themeloi bazën e tij në fshatin e lindjes, Gllogjan. E shndërroi shtëpinë e familjes në bazë të UÇK-së dhe ndihmoi në ndërtimin e ushtrisë guerile të rajonit të Dukagjinit, duke e transformuar një grup të paorganizuar djemsh të rinj në një forcë që do të trondiste regjimin serb.

Në mars të vitit 1998, gjatë përpjekjeve për të eliminuar UÇK-në, trupat serbe ndërmorën një sulm në bazën rebele në Gllogjan, duke përdorur helikopterë dhe makina të blinduara. Falë një sërë rastësish fatlume konfuzionit që përfshiu palën serbe, grupi i shqiptarëve i mbijetoi sulmit, edhe pse Haradinaj u plagos rëndë.

Gjatë 2 viteve të ardhshme, Haradinaj do të humbte edhe një vëlla tjetër në luftime dhe disa nga shokët e tij të ngushtë. Por ndërkohë UÇK po shndërrohej në një forcë të vërtetë guerile dhe Haradinaj fitoi reputacionin e një luftëtari që nuk i frikësohet asgjëje.

Shumë shpejt ai lidhi marrëdhënie me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara duke u bërë i vlefshëm për ta ushtarakisht dhe në fushën e inteligjencës. Edhe pse respektohej në mesin e bashkëluftëtarëve të tij dhe konsiderohej i vlefshëm nga amerikanët, ai konsiderohej mjaft i ashpër për ata që guxonin të vinin në dyshim urdhrat e tij. Për këtë kishte marrë edhe pseudonimin “Rambo”.

Komandant i UÇK

Haradinaj akuzohet se ka rrëmbyer dhe vrarë 40 civilë serbë të cilët konsideroheshin të zhdukur në vitin 1998 dhe 1999. Akuzat janë ngritur në vazhdimësi nga Serbia dhe dy herë nga Gjykata e Hagës. Në fund të dhjetorit të 2002, vëllai i Haradinajt, Dauti u dënua nga gjykata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë me 5 vjet burg për pjesëmarrjen e tij në rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e 4 anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), të cilët ishin rivalë të UÇK-së gjatë konfliktit.

Pas luftës, Haradinaj u zgjodh zv.komandant i Trupave për Mbrojtjen e Kosovës (TMK), forcë kjo e krijuar sipas modelit të Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Pas një kohe të shkurtër, Haradinaj dha dorëheqje nga detyra dhe themeloi partinë e tij politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

I rrjedhshëm në gjuhën frënge dhe angleze, politikani i ri la përshtypje të mira tek zyrtarët e huaj dhe gazetarët. Teksa partitë tjera politike përqendroheshin kryesisht në çështjen e Pavarësisë, Haradinaj mbështeste rëndësinë e ndërtimit të rrugëve dhe shkollave.

Edhe pse shumica e respektonin të kaluarën luftarake të Haradinajt, partia e tij politike nuk gëzonte përkrahje të gjerë popullore, dhe mbetej e treta në distancë pas partisë së Ibrahim Rugovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe partisë së liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Ramushi nuk është njeri i politikës. Kur flas me të, mund ta bëj të qeshë një minutë, dhe ta bëj të më vrasë minutën tjetër. Nuk mund të jesh emotiv në politikë” – do të thoshte për mediat një nga bashkëluftëtarët e tij në vitin 2000 kur Haradinaj hyri në skenën politike për herë të parë. Në zgjedhjet lokale të atij viti do të mbahet mend për një përleshje fizike me ushtarët rusë paqeruajtës në një pikë kalim kontrolli.

Disa muaj më vonë bëri një tjetër gabim. Shkak u bë një sherr që një familje rivale nga koha e luftës (Musaj) kishin bërë me të atin e tij për çështjen e familjarëve të zhdukur. Ai shkoi në orën 1 të natës në familjen e kundërshtarëve dhe mbeti i plagosur nga një granatë në një shkëmbim zjarri. Ai u transportua me helikopter në bazën amerikane në Kosovë dhe më pas në një spital ushtarak amerikan në Gjermani. Zyrtarët amerikanë në Kosovë do të akuzoheshin për ndërhyrje në hetimet e Kombeve të Bashkuara për incidentin.

Pas incidentit në familjen Musaj

Në vitet që pasuan, stili i jetës së Haradinajt shkaktonte shpesh kuriozitet në Kosovë. U nda nga partnerja e tij finlandeze dhe u martua për së dyti duke u vendosur në një shtëpi luksoze në Prishtinë. Edhe pse shtëpia thuhej t’i ishte dhënë nga miqtë e tij, shume shqiptarë të Kosovës e vështronin një gjë të tillë me dyshim. Asaj kohe, kundërshtarët politikë e akuzonin për përfshirje në tregtinë e paligjshme të cigareve.

Me bashkëshorten Anita

Përkundër komenteve kontroverse, Haradinaj mbetej një person mjaft popullor. Biografia e tij në dy pjesë në formë të intervistës së zgjatur u publikua nga një ndër shtëpitë botuese më të famshme në Kosovë, dhe ishte ndër librat më të shitur.

Në Kosovën perëndimore ai gëzonte përkrahje besnike. “Ne kemi njerëz tjerë për politikë” – thoshin fshatarët e rajonit të Dukagjinit: “Por nëse serbët kthehen, ne e kemi Ramushin.”

Pas zgjedhjeve të vitit 2004, AAK hyri në koalicion me LDK dhe Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës. Dha dorëheqje pas 100 ditësh për shkak të thirrjes nga Gjykata e Hagës.

Në 2008-ën u shpall i pafajshëm, por procesi do të përsëritej edhe në 2012-ën. Haradinaj do të pritej me nderime nga ish-bashkëluftëtari i tij, Hashim Thaçi. Do të merrte sërish vendin në qeveri në 9 shtator 2017, por pas 22 muajsh po e lë sërish detyrën.

Edhe gjatë qeverisjes së tij të dytë ai tregoi kokëfortësinë e tij për vendimet e marra. Do të mbahet mend si kryeministri që mori vendime të forta kundër Serbisë duke vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake e cila mbetet në fuqi edhe pas presionit të fortë të BE dhe SHBA.

“Rambo” nuk ruajti linjën e paraardhësve për të mbajtur tone nën zë edhe me Tiranën, por shpesh herë ai doli hapur dhe publikisht kundër veprimeve të homologut shqiptar Edi Rama të cilin e akuzonte se i ishte bashkuar idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Edhe në fjalimin e tij të dorëheqjes, ku nuk munguan emocionet Haradinaj do të kujdesej të theksonte fjalët: “Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij”. /Lapsi.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in LAJME, Magazine
Me këmbët hapur mes plazhit, Kejvina Kthella ngre temperaturat duke pozuar me bikini (FOTO)

Modelja e njohur shqiptare Kejvina Kthella që kur hyri në emisionin “Xing me Ermalin”, është bërë pjesë e pandashme në...

Close