X

Nga 1 Korriku, formulë e re dëmshpërblimi në rast aksidenti



Nga 1 Korriku 2019, qytetarët që fatkeqësisht do të bien pre e aksidenteve në sektorin e transportit, do të kenë një trajtim më të mirë dhe më të qartë të dëmeve, të cilat mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në këtë sektor.  Bëhet fjalë për aksidente në transportin public e privat, motorik, ajror, ujor, për dëme shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtyre mjeteve.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë përmirësime të dukshme në rregulloren që përcakton rastet e dëmshpërblimit, ku më të rëndësishmet lidhen me rishikimin dhe riklasifikimin e përqindjeve të humbjes së aftësisë për punë.

Kështu, me ndryshimet e reja, përcaktohet në mënyrë të saktë çdo dëmtim, ç’ka do të bëjë shmangien e abuzimeve dhe mbrojtjen e të dëmtuarve në aksidente.

Cdo grup dhe nëngrup apo klasë dëmtimi do të ketë të përcaktuar qartazi sa duhet të jetë përqindja e Humbjes së Aftësisë për Punë, do ketë të përcaktuar formulën e përllogaritjes së përqindjes kur ka më shumë se një dëmtim, sipas praktikave më të mira të Bashkimit Evropian si dhe parimet mbi të cilat udhëhiqen mjekët në përllogaritjen e shkallës të dëmtimit në aksidentet rrugore.

Me këtë rregullore, qytetarët shqiptarë të prekur nga aksidentet, trajtohen njësoj si ata që jetojnë në shtetet e Bashkimit Europian.

Në tabelën që përcakton shkallen e humbjes së aftësisë në punë, janë listuar pasojat e përhershme, pasojat e dëmtimeve traumatike nga mjetet motorike dhe në shumicën e rasteve janë të shprehura në përqindje fikse si p.sh. 15%, 40% etj, dhe në përshtatje me topografinë regjionale të sistemeve të organeve të trupit njerëzor.

Rregullorja përcakton se vlerësimi mjekësor në dëmtimet serioze duhet të kryhet në një kohë kur gjendja shëndetësore e të dëmtuarit të ketë arritur një përmirësim mjekësor maksimal, pra rikuperimi të jetë arritur në masën më të mirë të mundshme dhe gjendja invalidizuese e pacientit konsiderohet e palëvizshme.

Pra, në këtë kontekst, koeficienti i paaftësisë nuk mund të përcaktohet të paktën para 6 muajve nga data e dëmtimit, përveç rasteve kur palët kanë rënë dakord ndryshe, duke bërë parashikime sa më të sakta për ecurinë e gjendjes shëndetësore dhe përmirësimin e tij maksimal të mundshëm dhe konkluzione për ardhmërinë e të dëmtuarit në bashkëpunim me specialistët e fushave të ndryshme mjekësore.

Caktimi i përqindjeve bëhet në mënyrë të përshkallëzuar nga 0 deri në 100%. Në raste të veçanta, kur pasojat e dëmtimeve trupore ndërthuren me pasojat nga një ngjarje e vjetër aksidentale e të dëmtuarit, vlerësimi duhet të bëhet duke zbritur përqindjen e mëhershme të zvogëlimit të aktivitetit jetësor.

Te pasojat e dëmtimeve të shumëfishta që mund të jenë njëkohësisht të pranishme në regjione të ndryshme të trupit (politraumat) si në kokë, kraharor apo gjymtyrë, përqindja e përgjithshme llogaritja bëhët duke filluar nga pasoja që ka përqindjen më të lartë, dhe më pas përqindjet vijuese caktohen duke u bazuar në  formulën përkatëse.

Përqindjet e dëmtimit të gishtave mblidhen matematikisht dhe kur vlera del me presje dhjetore shifra rrumbullakoset me numërorin më lart. Në rastet e disa dëmtimeve trupore do të bëhet përllogaritja e Humbjes të Aftësisë për Punë me Metodën Gjeometrike, duke bërë renditjen nga përqindja më e lartë deri tek më e ulëta.

Ndryshimet në Tabelen 2 të Rregullores Nr. 53, dt 25.06.2009 janë rezultat i punës së një grupi mjekësh të specializuar, të cilët sëbashku me përfaqësuesit e tregut të sigurimeve kanë konkluduar në hartimin e këtij dokumenti.

 

Vlen të theksohet se tabelat e humbjes së aftësisë për punë nuk janë krijuar për të rritur apo ulur vlerën e dëmshpërblimit (pasi këtu nuk kemi të bëjmë me biznes) por janë hartuar për të llogaritur në mënyrë sa më të saktë dhe mbi baza sa më shkencore e mjekësore, shkallën e humbjes së aftësisë për punë të një të dëmtuari në aksident.

 

Edhe pse aksidentet janë të padëshiruara, dëmshpërblimi i denjë në këtë rast, është më e pakta që mund të meritojnë qytetarët shqiptarë. /

More in LAJME
“A keni frikë nga Komisioni Hetimor?”, Meta: E vetmja gjë që më shqetëson është…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar nga Durrësi në një prononcim për gazetarët, se nuk i trembet Komisionit Hetimor...

Close