X

Do të qëndrojë Merkel deri në fund të mandatit? Pasuesja e saj merr “Mbrojtjen”

Zgjedhja e Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK), kryetares së Partisë kristiandemokrate (CDU) të kancelares Angela Merkel, në postin e ministres së re të Mbrojtjes, zuri në befasi shumëkënd në Berlinin zyrtar, ku kishte pritshmëri të larta që Jens Spahn, ministri i Shëndetësisë, të pasonte në detyrë presidenten e porsazgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kramp-Karrenbauer, e njohur gjerësisht si kandidatja më e parapëlqyer e Merkel për të marrë “stafetën” e kancelares së Gjermanisë, nuk kishte një rol qeveritar, një arsye që ka shërbyer si pikëmbështetje për kritikët, të cilët kundërshtonin “katapultimin” e saj në detyrën më të lartë të Republikës Federale.

 

 

Von der Leyen do të lërë detyrën në Ministrinë e Mbrojtjes të martën e ardhshme, pasi të jetë emëruar zyrtarisht si presidente e KE-së. Lakimi i emrit të Kramp-Karrenbauer erdhi vetëm disa orë pasi Merkel u zotua se do të vendoste “shumë shpejt” mbi pasardhësin e Von der Leyen. “Do të ketë një zëvendësim të shpejtë. Ministria e Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, zotëron autoritet dhe fuqi urdhëruese.”- u shpreh Merkel për gazetarët.

Sipas pretendimeve të qarqeve mediatike dhe burimeve konfidenciale në Bundestag, vendimi vjen pasi Merkel, që mbushi dje plot 65 vjeç, është shtrënguar t’i japë në parakohë pushtet pasardhëses së saj, nisur nga frika mbi gjendjen shëndetësore, pas episodit të tretë të dridhjes në publik në harkun kohor të një muaji.

 

 

Shqetësimet për shëndetin e kancelares u ngritën përsëri javën e kaluar, kur ajo nisi të dridhej teksa po zhvillohej ceremonia zyrtare e pritjes së kryeminstrit të Finlandës, Antti Rine. Merkel këmbëngul se gëzon shëndet të plotë, megjithatë zyra e shtypit është treguar evazive, duke mos dhënë ende asnjë shpjegim shterues dhe bindës për dridhjet periodike. Në këto rrethana, ligjvënës të CDU0-së po artikulojnë nën zë dyshimin se ka ardhur koha që Merkel t’i japë lamtumirën politikës.

65-vjeçarja u rreshtua përkrah kryetares aktuale të CDU-së, duke çimentuar rrugëtimin e Karrenbauer drejt postit të kancelares në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Zgjedhjet vendore, Audrey Glover i nis letër Ardi Veliut (LETRA)

Shefja e misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri, Audrey Glover, i ka adresuar një letër drejtorit të Policisë, Ardi Veliut. Në...

Close