X

E ardhmja e pasigurt e Greqisë nën qeverinë e saj të re


Nga Gazmend Kapllani

Pas një dekade trazirash, qeveria e porsazgjedhur po premton ta çojë Greqinë drejt rimëkëmbjes ekonomike, por flirtimet e saj me nacionalizmin populist dhe retorikën anti-emigracion janë arsye për t’u shqetësuar.

Ka një anekdotë që shkencëtarët politikë në Greqi ia tregojnë njëri-tjetrit kur ulen e pinë nga një kafe.

Jean Marie Le Pen, kreu i vjetër i Frontit Kombëtar Francez të ekstremit të djathtë, vizitoi Greqinë në mesin e viteve 1990 për të dhënë bekimet e tij ideologjike për Frontin Kombëtar Grek (Ethniko Metopo), një grup i vogël i ekstremit të djathtë i drejtuar në atë kohë nga Makis Voridis.

Kur një gazetar grek e pyeti Le Pen pse partitë ultranacionaliste të ngjashme me Frontin Kombëtar Francez nuk ishin në gjendje të bëheshin forca politike relevante në Greqi, kumbari i së djathtës ekstreme franceze të pasluftës u përgjigj: “Sepse në Greqi të gjitha partitë politike janë ultranacionaliste.”

Te kjo përgjigje ka thjeshtëzime dhe copëza të vërtete, siç ndodh zakonisht gjithmonë me anekdotat. Sido që të jetë, politika greke ka kaluar përsuar ndryshime dramatike që nga ajo kohë.

Në vitet 1990, Greqia po shijonte momentin më të mirë të historisë së saj moderne, ndërkohë që shumica e fqinjëve të saj ballkanikë po merreshin akoma me ato që kishin mbetur nga regjimet e tyre komuniste apo tmerret e luftërave jugosllave. Nacionalizmi ishte i fortë në Greqi (gjithnjë ka qenë), por ekonomia po ecte shumë mirë.

Pastaj, dhjetë vjet më parë, erdhi rënia e shkaktuar nga “kriza e borxheve”. Grekët shfrynin të zemëruar kundër regjimit të tyre të korruptuar politik dhe klasa e mesme i druhej një kolapsi.

Në krye të të gjitha këtyre, një valë e madhe refugjatësh të dëshpëruar sirianë që përpiqeshin t’i shpëtonin ferrit kërkuan strehë në brigjet greke. Shumë prej tyre tashmë janë larguar nga Greqia, duke vazhduar udhëtimin drejt veriut europian. Të tjerë ndihen të bllokuar në Greqi, duke jetuar në kushte të tmerrshme dhe ende shpresojnë se një ditë do të mund të shkojnë në ndonjë vend tjetër më në veri.

Zemërimi kundër establishmentit politik dhe ksenofobia në rritje solli në krye forca të reja politike, të cilat para krizës ishin në margjina: Syriza në ekstremin e majtë të demokracisë sociale dhe Agimi i Artë në ekstremin e djathtë të së djathtës ekstreme.

Në vitin 2012, Agimi i Artë u bë i pari partia e parë e dhunshme neo-naziste që hyri në parlamentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të një vendi europian pas Luftës së Dytë Botërore. Në zgjedhjet e fundit, Agimi i Artë nuk u rizgjodh në parlament, duke humbur me një numër të mirë votash, por kjo parti do të vazhdojë të përfaqësohet në Parlamentin Europian.

Shumë grekë psherëtinë të lehtësuar me përjashtimin e Agimit të Artë, pasi ata e kanë përjetuar praninë shtatë vjeçare të kësaj partie në parlamentin grek si një poshtërim personal.

Megjithatë, një tjetër parti e ekstremit të djathtë ka hyrë tani në parlament. Ajo quhet Zgjidhja Greke (Elliniki Lysi) dhe diskursi i saj ideologjik bazohet në antisemitizëm virulent, një sërë teorish konspirative dhe një formë të veçantë të fundamentalizmit fetar – udhëheqësi i saj Kyriakos Velopulos thotë se në venat e Jezusit rridhte gjak i pastër arian grek dhe se për më tepër ai ka në pronësi letra të shkruara me dorë të nënshkruara nga vetë Jezusi.

Zgjidhja Greke është gjithashtu e përfaqësuar në Parlamentin Europian, duke e bërë Greqinë vendin e vetëm në legjislaturën europiane, jo me një, por me dy parti të së djathtës ekstreme.

Sigurisht, ka një dallim thelbësor midis dy grupeve të ekstremit të djathtë: Agimi i Artë është një bandë banditësh të dhunshëm ndërsa Zgjidhja Greke është një tufë kllounësh. Por nuk duhet të nënvlerësojmë faktin se në të djathtën ekstreme, kllounët dhe banditë kanë bashkëjetuar gjithmonë në harmoni të plotë.

Retorikë armiqësore për emigrantët

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Foto: Facebook/Kyriakos Mitsotakis

Pas fushatës zgjedhore në Greqi, nuk u habita nga ajo që u tha, por nga ajo që u la pa thënë. Nuk pati asnjë diskutim serioz për sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi pas dhjetë vjet trazirash.

Në fund, Demokracia e Re fitoi zgjedhjet me një shumicë domethënëse (më shumë se tetë për qind), por Syriza e ruajti pjesën më të madhe të votuesve, duke ringjallur kështu sistemin tradicional dypartiak, i cili i dha Greqisë stabilitetin e tij institucional pas rënies së juntës ushtarake në vitin 1974.

Lideri i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis është fituesi i madh i zgjedhjeve. Mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në gjendje të imponojë vlerat politike konservatore të modës së vjetër mbi tendencat e forta ekstreme të djathta që ekzistojnë në partinë e tij.

Rritja e fundit e lëvizjeve nacionaliste-populiste në të gjithë Europën, e shoqëruar nga rënia e partive të vjetra të djathta konservatore, do ta komplikojë më tej detyrën e tij.

Emigracioni, një çështje shumë e ndjeshme në Greqi, do të jetë prova më e madhe në lidhje me qëndrimin e qeverisë së re greke për çështje thelbësore që lidhen me nacionalizmin dhe racizmin, respektin për të drejtat e njeriut dhe barazinë.

Deri më tani, diskursi i Demokracisë së Re mbi emigrantët dhe refugjatët ka qenë shpesh armiqësor, kështu që ka shqetësim të madh midis emigrantëve dhe refugjatëve në Greqi se vendi i tyre në shoqëri do të përkeqësohet dhe të drejtat e tyre –  mes të cilave edhe qasja tashmë e kufizuar në shtetësinë greke – do të kufizohen shumë.

Mitsotakis u kujdes për të ushqyer këto frika që nga dita e tij e parë, duke vendosur të shfuqizojë Ministrinë e Emigracionit dhe vendosjen e emigracionit nën kujdesin e Ministrisë së Rendit Publik. Simbolizmi në politikë ka rëndësi të madhe dhe kjo lëvizje të sjell në mendje kujtime të këqija nga një e kaluar jo shumë e largët – kur emigrantët ndiqeshin rrugëve dhe trajtoheshin brutalisht nga policia greke.

Fytyrat e ndryshme të Alexis Tsipras

Lideri i Syriza dhe kryeministri në largim Alexis Tsipras. Foto: Facebook/Alexis Tsipras.

Mitsotakis (kryeministri i porsaemëruar) dhe Alexis Tsipras (kryeministri në largim) mund të shihen si dy përralla politike në shoqërinë aktuale greke.

Mitsotakis vjen nga një dinasti familjare, anëtarët e së cilës kanë qeverisur Greqinë për të paktën gjysmë shekulli.

Tsipras vjen nga një klasë e mesme e ulët. Ai nuk është i arsimuar në Harvard si Mitsotakis, por është një politikan dinak dhe karizmatik ballkanas i cili është i aftë “të “ofrojë” karaktere të ndryshme për bashkëbisedues të ndryshëm.

Gjatë këtyre katër viteve e gjysmë si kryeministër i Greqisë, ai ka “luajtur” role të ndryshme: shantazhisti i Europës (me referendumin e e vitit 2015, i cili rrezikoi të shndërrohej në Grexit shkatërrues) dhe në të njëjtën kohë, mbrojtësi i ashpër i BE-së.

Ai ka luajtur gjithashtu rolin e liderit populist anti-kapitalist (me një dobësi për Venezuelën e Chavezit dhe Kubën e Kastros) dhe gjithashtu atë të një miku të kapitalizmit modern; oportunisti i majtë i cili qeverisi në koalicion me një grup kombëtar populist të krahut të djathtë (Grekët e Pavarur) – qeveria e parë në Europën e pasluftës e përbërë nga të majtë dhe ultranacionalistë; dhe rolin e një burri shteti vizionar që arriti Marrëveshjen e Prespës për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë të Greqisë me Maqedoninë e Veriut.

Askush nuk e di me siguri se cili nga të gjitha këto personalitete politike do të mbizotërojë në të ardhmen e Tsiprasit.

Sa i përket Mitsotakisit, ai ka qenë në gjendje, deri më tani, t’i mbajë të lumtur të gjithë – centristët dhe “ekstremistët”, liberalët dhe neo-të djathtët.

Ai ka premtuar, mbi të gjitha, se do ta kthejë Greqinë në rrugën e duhur, financiarisht. Formula e tij për të arritur këtë është mjaft e thjeshtë: ai e dashuron kapitalizmin dhe për këtë arsye, në këmbim, kapitalizmi do ta dashurojë atë. Mbetet për t’u parë se si kjo lidhje dashurore do të evoluojë më tej.

Mitsotakis gjithashtu ka premtuar se do të luftojë nepotizmin në kapitalizmin shtetëror dhe klientelist, edhe pse ai vetë është “produkt” i një nepotizmi të tillë dhe kapitalizmi klientelist. A do të dalë ai kundër traditës së tij familjare dhe do të rivitalizojë mobilitetin social në Greqi?

Marrëveshja e Maqedonisë nxit pakënaqësi nacionaliste

Pozicioni i Greqisë në Ballkan nuk është më ai i një lideri rajonal pasi politikanët dhe mediat greke kanë punuar fort për të dëmtuar rolin udhëheqës të vendit të tyre.

Establishmenti politik grek mbështeti Slobodan Millosheviçin gjatë luftërave jugosllave, duke luajtur rolin e të fortit për shtete të dobëta si Shqipëria dhe Maqedonia. Mediat greke mbeten ende ndër më të pabesueshmet kur është fjala për Ballkanin.

Konflikti i pafund mbi emrin e Maqedonisë e bëri Greqinë pjesë të problemeve të Ballkanit dhe jo të zgjidhjes së tyre. Marrëveshja e Prespës që Tsiprasi pati guximin të përfundonte – pavarësisht kundërshtimit të fortë të Mitsotakis dhe partisë së tij – më tepër ndihmoi Maqedoninë e Veriut të dilte nga vështirësitë, por jo aq shumë Greqinë.

Në vend të kësaj, ajo nxiti një valë pakënaqësish nacionaliste në Greqi që mund të kenë luajtur një rol vendimtar në humbjen e Syrizas. Le të shpresojmë se Mitsotakis nuk do t’i përkeqësojë më shumë gjërat. Nëse qeveria e tij e re vazhdon të luajë me mëri nacionaliste, në fund ajo mund të ketë një efekt bumerang: një kulm i ultranacionalizmit mund t’i japë një goditje vdekjeprurëse përpjekjeve greke për rimëkëmbje ekonomike dhe të rezultojë në dobi të grupeve ekstremiste.

E nisa me një anekdotë rreth kumbarit të së djathtës franceze Jean Marie Le Pen që vizitonte mikun e tij grek Makis Voridis në mesin e viteve 1990.

Që atëherë, ka pasur ndryshime të mëdha. Vajza e Le Pen, Marine Le Pen, ka qenë në gjendje ta kthejë Frontin Kombëtar Francez forcën kryesore politike të djathtë në vend.

Makis Voridis, sot një anëtar i spikatur i Demokracisë së Re në pushtet, sapo u bë Ministër i Zhvillimit Bujqësor në qeverinë e re greke.

Ai gjithashtu i ka ofruar shërbimet e tij besnike një tjetër partie të ekstremit të djathtë, LA.OS, pasi hoqi dorë nga Fronti Kombëtar i dështuar. Vorides njihet gjerësisht si një anti-semit i vendosur. Ai është në një farë mënyre ajo delja e zezë në qeverinë e re që tregon se sa e vështirë do të jetë që zoti Mitsotakis t’i mbajë përgjithmonë të lumtur të gjithë në partinë e tij, centristët dhe të djathtët ekstremë, liberalët dhe neo-të djathtët…

BIRN

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Një histori e pabesueshme: 48 orët që pothuajse rrëzuan presidentin Donald Trump

Nga Tim Alberta Një nga një, ata ishin zhdukur nga dhoma e konferencave në katin e 25-të të kullës Trump....

Close