X

Pa dalë fare në punë, qeveria e Kosovës jep 1.2 milion euro paga për 271 serbë


Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2018 u ka dhënë paga 271 punëtorëve nga komuniteti serbë pa shkuar fare në punë. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo bëri që buxheti i shtetit të dëmtohet në vlerë prej 1 milionë e 294 mijë euro.

Dhjetë ministri të Qeverisë së Kosovës kanë shpenzuar gjatë vitit 2018, mbi 1 milionë euro për punonjës, që nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme. Edhe pse nuk dolën në punë, 271 punëtorë që vijnë nga komuniteti serb, i morën pagat me rregull nga buxheti i Kosovës.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo bëri që buxheti i vendit të dëmtohet në vlerë prej 1 milionë e 294 mijë e 222 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Portali ka hulumtuar të gjitha raportet e Auditorit të Përgjithshëm, për ministritë që e kishin këtë problem gjatë vitit 2018.

Punësimi i tyre derivon prej marrëveshjes së Brukselit dhe vendimit të Qeverisë në vitin 2015, për shuarjen e së ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, në veriun e Mitrovicës, duke i pozicionuar zyrtarët serbë nëpër pozita të caktuara nëpër ministri të ndryshme të vendit.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në auditimin e saj për vitin 2018, në shumë prej ministrive, gjeti paga të parregullta dhe pavijueshmëri në punë. Bëhet fjalë për gjithsej dhjetë ministri që e patën këtë problem.

Kështu në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 punonjës të komunitetit serb, të cilët ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës.

Për zyrtarët e lartcekur kjo ministri, nuk ka pasur dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, edhe pse e njëjta kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 32 zyrtarë ishte 134 mijë e 657 euro.

Shpenzime për paga në vlerë prej 99 mijë e 916 eurosh, për 20 punëtorë të tjerë të cilët nuk kanë vijuar orarin e rregullt të punës ishin hasur edhe në Ministrinë e Administratës Publike.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë ishin integruar 22 nëpunës të komunitetit serb, të cilët gjithashtu nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës, ku ishin përcaktuar me akt emërime, siç i obligonte Ligji i punës dhe kontrata e punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e pagave të tyre në vlerë prej 97 mijë e 733 euro.

Ministria për Kthim dhe Komunitete kishte integruar gjithashtu 21 nëpunës të këtij komuniteti, duke paguar për ta vlerën prej 100 mijë e 430 eurove edhe pse të njëjtit nuk kishin kryer shërbimet ndaj kësaj ministrie të përcaktuara në kontratat e tyre.

Shpenzime për paga në vlerë prej 139 mijë e 711 eurosh, kishte bërë edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dedikuar 26 punonjësve të saj, të cilët nuk kishin vijuar orarin e rregullt të punës në këtë ministri.

Sipas konstatimit të Auditorit, përkundër përpjekjeve të Qeverisë për të krijuar kushte për punë për këtë komunitet, nuk është arritur qëllimi i integrimit të tyre pasi ka ndodhur një sulm në objektet, ku do duhej të fillonte puna, si dhe ka pasur kërcënime tjera të vazhdueshme. Prandaj, për shkaqe të sigurisë së këtyre punëtorëve, Ministria nuk ishte në gjendje t’i angazhoj në punë stafin e kontraktuar, njësoj sikurse kishte ndodhur edhe në Ministrinë e Administratës Publike.

Paga të parregullta gjatë vitit 2018, kishte bërë edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke paguar gjithsej 29 nëpunës të komunitetit serb nga 38 sa ishin të emëruar. Megjithatë, në akt emërimet e këtyre të punësuarve iu ishte caktuar vetëm pozita, por jo edhe vendi i punës.

Auditori i Përgjithshëm ka vërejtur se për 29 nga 38 zyrtarët e lartcekur, ministria nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, përkundër faktit se kjo ministri kishte bërë pagesat e rregullta për ta në vlerë prej 126 mijë e 242 eurosh.
Pagat me pavijueshmëri në punë kanë vazhduar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, ku pas një procesi të rekrutimit kjo ministri kishte integruar 32 nëpunës serbë, në pozita të caktuara. Por, ministria në fjalë nuk ka poseduar kurrfarë dëshmie që konfirmon paraqitjen e tyre në punë apo kryerjen e ndonjë prej përgjegjësive të tyre sipas kontratës së punës, megjithëse në të njëjtën kohë ka paguar për ta gjithsej 153 mijë e 554 euro.

Po ashtu, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas marrëveshjes së Brukselit kishte emëruar 30 pjesëtarë të “Mbrojtjes civile”, por për 22 zyrtarë kjo ministri nuk i kishte ofruar Auditorit ndonjë dëshmi si: vijueshmëria në punë apo raportet për punën e kryer nga ta, gjatë vitit 2018, mirëpo ka vazhduar t’ua paguaj pagat e tyre në vlerën prej 105 mijë e 124 eurosh.

Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 18 nëpunës të komunitetit serb, të cilët ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës.

Megjithatë, në akt emërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri. Për zyrtarët e lartcekur kjo ministri, sikurse edhe ministritë e tjera nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 18 zyrtarë ishte 81,156 euro.

Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka qenë e obliguar t’i punësoj 18 punëtorë të komunitetit serbë, por ka qenë e obliguar gjithashtu edhe të sigurohet se po përfillet orari i punës nga këta zyrtarë. Por as kjo ministri nuk ka pasur dëshmi për realizimin e punëve në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre punëtorëve të përshkruara në kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar nga buxheti i kësaj ministrie 92 mijë e 336 euro.
Po ashtu, kësaj shkeljeje nuk i ka shpëtuar as Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila kishte pozicionuar në departamente të ndryshme të saj, 31 pjesëtarë të strukturave ilegale, duke dëmtuar buxhetin e saj me vlerën e 163 mijë e 363 eurove.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës nga ana e punonjësve dhe gjithashtu edhe nga përpjekja e pamjaftueshme e ministrive përkatëse për t’i angazhuar ata.

“Nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës si dhe arsyeve tjera, duke përfshirë edhe rrethanat politike”.

Auditori konstaton se këto pagesa pa vijueshmëri në të gjitha ministritë shkakton dëmtimin e buxhetit të shtetit si dhe shkakton mos arritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemet e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm iu rekomandon të gjithë ministrave që të shqyrtojnë arsyet e mos vijimit në punë të këtyre punëtorëve, si dhe të zgjidhin problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë. Në të kundërtën kërkon t’i ndërpresin pagesat e pagave të parregullta.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BALLKAN, LAJME
Ambasadori polak ngre shqetësimin, Tarka: Ballkani Perëndimor dhe BE janë në udhëkryq

DW: Ambasador Tarka, cilat janë çështjet kryesore që diskutuan ekspertët në forumin “Think Tank” dhe në Forumin e Shoqërisë Civile,...

Close