X

Von der Leyen kërkon mbështetje për postin e Presidentes së KE

374 është numri magjik, i cili i siguron Ursula von der Leyenit zgjedhjen në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, sepse Parlamenti Evropian ka aktualisht 747 eurodeputetë. Parlamenti numëron në fakt 751 eurodeputetë, por katër vende akoma nuk janë plotësuar. Votimi do të mbahet ditën e martë të javës që vjen, në Strasburg.

Besohet se von der Leyen do të zgjidhet në këtë post, por e sigurt nuk është. Po çfarë politike personifikon ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, në kabinetin e kancelares Angela Merkel? Këtë ende nuk e di askush saktësisht, ndërkohë që politikanja 60-vjeçare nga CDU është ende e panjohur sa duhet për shumë eurodeputetë.

Socialistët, liberalët dhe ekologjistët

Ursula von der Leyen ka premtuar javën e kaluar se së pari do të dëgjojë se çfarë kanë për të thënë grupet parlamentare dhe ka premtuar, se shumë prej këtyre pohimeve do t’i marrë si udhërrëfim në punën e saj të re në Evropë. “Këtu në Parlamentin Evropian rreh zemra e demokracisë evropiane”, tha von der Leyen, e cila u shpreh e gatshme për dialog. Por shumë ekologjistë nuk u besojnë fjalëve të saj. Ata kërkojnë hapa konkretë, tha zëvendëskryetarja e grupit parlamentar Ska Keller.

Këtë të mërkurë (10.07.2019) Ursula von der Leyen ka planifikuar të bisedojë me socialdemokratët, liberalët dhe ekologjistët. Por ende nuk dihet, se cilat do të jenë pozicionet e saj në këto takime. Socialistët dhe liberalët duan të bisedojnë me dyer të mbyllura, ndërsa ekologjistët thonë se do të transmetojnë drejtpërdrejt takimin. Por që tani ka sinjale tek këto parti se “Evropa nuk duhet të mbetet në duart e von der Leyen.”

Pa pozicione të qarta

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, spanjollja Iratxe Garcia, nuk është përcaktuar qartë ndaj kandidates. Por ajo tha se nuk shkon domosdoshmërisht në favorin e von der Leyen fakti që ajo është mbështetur nga grupi i Vishegradit, ku bëjnë pjesë edhe shumë populistë të djathtë. “Por ne nuk do ta paragjykojmë para se ta dëgjojmë”, tha Garcia. Votat e këtyre deputetëve mund të jenë vendimtare për zgjedhjen apo jo të von der Leyen, sepse thuhet se ajo e ka edhe mbështetjen e Presidentit të Francës Emmanuel Macron, i cili përfaqëson grupin e liberalëve.

Në Bruksel po bëhen këto llogari. Von der Leyen do të fitojë 182 vota të grupit të kristiandemokratëve. Për të do të votojnë të paktën edhe 120 eurodeputetë nga grupi i socialdemokratëve dhe rreth 100 liberalë. Nëse këto llogari janë të vërteta, atëherë von der Leyen i ka të sigurta 402 vota, ndaj nuk varet nga votat e ekologjistëve

Ndërkohë që mendohet se mund të fitojë të paktën edhe 30 vota nga grupi i populistëve të djathtë. Diplomatët në Bruksel thonë se “ajo do t’ia dalë, ndërsa Bundeswehri do të gëzohet”. Me këto fjalë preket tema e akuzave serioze kundër ministres së Mbrojtjes, të cilat janë dëgjuar në muajt e fundit në Gjermani, për skandale financiare.

Po çfarë do të ndodhte sikur…

Ursula von der Leyen ka ngritur një zyrë të përkohshme në Komisionin Evropian në godinën Berlaymont, ku së bashku me bashkëpunëtorët po bën fushatën e saj. Kjo lejohet nga Komisioni Evropian. Von der Leyen megjithatë ende nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres së Mbrojtjes në Gjermani. Ndaj në rast të dështimit në Strasburg, ajo mund të kthehet në Berlin. Në rast dështimi, presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE duhet të paraqesin një propozim të ri brenda katër javësh. Kaosi politik do të ishte i pa evitueshëm, sepse në këtë mënyrë do të kontestoheshin marrëveshjet për Komisionin Evropian, Këshillin e Evropës, presidentin e Parlamentit dhe shefen e Bankes Qendrore Evropiane.

Në rast fitoreje të Ursula von der Leyen, ajo do të ishte femra e parë gjermane që merr këtë post. Dhe do të ishte një kontrast shumë i madh krahasuar me Presidentin e deritanishëm Jean-Claude Juncker. Mjekja me një gjatësi prej 1,61 cm, është një grua me disiplinë të hekurt, ha pak ndërsa alkoolin nuk e prek me dorë./DW/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Nuk ka qetësi për Merkel, dridhet për herë të tretë brenda muajit. Sëmundja po bëhet serioze (Video)

Kancelarja gjermane Angela Merkel është filmuar duke u dridhur sërish gjatë një takimi që ajo ka pasur me kryeministrin e...

Close