X

Kur përfundon mandati i Ramës

Nga Enton Abilekaj

Sa më pranë krijimit të institucioneve më të rëndësishme të Drejtësisë, aq më shumë shtohen debatet për Reformën.

Ndërsa Gjykata Kushtetuese është bllokuar nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykata e Lartë është bllokuar nga Vettingu, palët akuzojnë njëra – tjetrën.

Në këtë betejë është opozita që tejkalon arsyen, interpreton fakte të diskutueshme dhe rreshtohet kundër investimit më të rëndësishëm perëndimor në Shqipëri që nga viti 1991.

Deri tek kontrolli i Ramës mbi KPK, KPA, KLP dhe KLGJ akuzat kanë një bazë.

Vërtetë aty janë zgjedhur njerëz të afërt të Kryeministrit, vërtet aty ka patur vendime të pashpjegueshme as me ligjin as me moralin e reformës.

Nuk është e vështirë të kuptohet që Rama ka shfrytëzuar pushtetin për të kontrolluar sa të mundet institucionet e reja të drejtësisë.

Opozita, e gjendur përballë këtyre fakteve, akuzon për një komplot ndërkombëtar, të financuar nga Fondacioni Soros dhe të mbështetur nga njerëz të miliarderit amerikan në Departamentin e Shtetit apo Komisionin Europian.

Një teori konspirative që mundohet të zëvendësojë atë që nuk shpjegohet, errësirë që vjen kur mbaron fuqia e arsyetimit për mbështetjen që ndërkombëtarët i japin Reformës, edhe kur duket qartë devijimi i institucioneve, kontrolli i tyre nga mazhoranca, mbështetja për Ramën me këtë rast, edhe kur duket qartë se ai po e kompromenton Reformën dhe jo vetëm atë, por edhe zgjedhjet e lira, edhe konkurrencën e lirë, edhe luftën ndaj krimit.

Si mund të mbështetet pra, një njeri që qeveris keq, nuk bën zgjedhje të lira apo anulon fare zgjedhjet në parti, bashkëpunon me kriminelët aq ngushtë sa i fut edhe në Parlament, bëhet ortak me një grusht biznesmenësh të mëdhenj kundër të gjithëve, duke shkatërruar biznese të mëdha të mesme dhe të vogla dhe duke krijuar një sistem oligarkik.

Bën prokurime pa tender, madje një i klasifikon si sekret shtetëror që të evitojë garën, ka hyrë në vitin e gjashtë të refuzimit nga BE dhe, në fund, nuk ka sjellë asnjë investitor të huaj në vend në 6 vite.

Në fakt përgjigja ka qenë që në fillimin e reformës në Drejtësi. Opozita nuk e mirëpriti, pavarësisht insistimit ndërkombëtar. Sot opozita vazhdon të mos e mirëpresë, ta anatemojë, të premtojë se do ta zhbëjë ose do ta ribëjë, ndërsa Komuniteti Ndërkombëtar, njëzëri dhe me insistim, vazhdon të kërkojë ecjen përpara me shpejtësi dhe zbatimin e saj.

codeit al
Dallimi qëndron tek këndvështrimi. Ndërsa opozita e sheh me frikë, shikon tek institucionet e reja inkuizitorët që hakmerren politikisht, kontrollon të shkuarën, mundohet të pastrojë gjurmët, ndërkombëtarët shohin të ardhmen.

Ditën kur Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese do të ngrihen, Prokurori i Përgjigthshëm do të zgjidhet, më pas SPAK dhe BKH do të plotësojnë gjithë kuadrin institucional dhe Drejtësia e re do të bëhet efektive.

Aty mandati i Ramës përfundon. Mbështetja ndërkombëtare do të rreshtë, opozita mund të fitojë epërsinë e shpresuar, ndërsa drejtësia do fillojë të veproje në të dyja krahët.
Sa më shumë të zgjasë reforma, aq më shumë do të zgjasë mandati i Ramës.

Duke shtyrë reformën, shtyhet mandati i tij, duke kundërshtuar reformën, forcohet pocizioni i tij. Në këtë këndvështrim, sado keq të jetë bërë reforma në Drejtësi, sado ta ketë devijuar atë Rama, opozita nuk e ka luksin ta pengojë, përkundrazi.

Tezat e fillimit të Vettingut nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë dhe dalja kundër plotësimit të përkohshëm të Gjykatës së Lartë, janë vetëm qëndrime që i shërbejnë zgjatjes së reformës dhe si rrjedhim zgjatjes së mandatit të Ramës. Nëse Vettingu do të fillonte nga poshtë lart, institucione si SPAK nuk do të ngriheshin dot përpara 10 viteve.

Nëse do të pritet që Gjykata e Lartë të plotësohet me gjyqtarë të Përhershëm, duhet të pritet Vettingu, më pas gjithë procedura e përzgjedhjes që do ta shtynte Kushtetuesen për në Janarin e vitit tjetër në rastin më të mirë dhe si rrjedhim mandatin e Ramës me disa muaj.

Ndërsa Euralius dhe OPDAT dhe qeveritë perëndimore që mbështesin dhe financojnë, kërkojnë shkurtimin e hapave, shkurtimin e afateve dhe fillimin e punës sa më shpejt.
Pas kësaj, mbështetja kaq e fortë ndërkombëtare do të devijohet nga Rama, jo në drejtim të opozitës por në drejtim të SPAK.

Me ikjen e Ramës, institucionet e reja, edhe sikur të jenë mbushur me Rilindas do të gjykojnë qeverinë e re, do të jenë diga e korrupsionit.

Edhe nëse do të jetë selektive për të shkuarën, nuk do të jenë për të ardhmen. E ardhmja e Institucioneve të Drejtësisë është pa Ramën, sa më shumë t’i marrë ai nën kontroll, aq pak mundësi ka që të jetë Kryeministër pasi të fillojnë punën, sa më shumë do mundohet ai ta ngatërrojë pushtetin ekzekutiv me gjyqësorin, aq më shumë do bëjë presion Perëndimi që Ekzekutivi dhe Gjyqësori të mos jenë i njëjti pushtet.

E vetmja gjë që mund të marrë Rama nga kjo drejtësi është amnistia për veten. Në fakt nuk do të jetë i pari, por me siguri do të jetë i fundit. / Dosja.al/

More in BLOG
Rreziku i Shqipërisë janë PPP-të e konfirmon FMN-ja

Nga Jorida Tabaku Shqiptarët dje mbushën Bulevardin Dëshmorët e Kombit njësoj si 9 protestate tjera. Një protestë e tillë paqësore...

Close